TIRANË- Florjan Binaj është zyrtarisht kandidati që do të mbështetet nga të gjitha forcat opozitare në zgjedhjet e pjesshme lokale që do të mbahen në 9 Nëntor për Bashkinë e Tiranës. Pasi mori mbështetjen e Shqipëria Bëhet të Adriatik Lapajt, Nismës Thurje, Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj, gjatë mbrëmjes së djeshme edhe Partia Mundësia është shprehur në mbështetje të Binajt. Edhe pse fillimisht Agron Shehaj hezitoi që të mbështeste Binajn, duke qenë se kandidati i propozuar prej tyre ishte politologu Ermal Hasimja, drejtuesi i partisë Mundësia, u shpreh se tashmë forca e tij politike nuk mund ti bënte opozitë opozitës.
“Ne nuk kemi folur për asnjë emër, nuk kemi përmendur kurrë emra në publik, kemi folur vetëm për parimin. Ne jemi krenarë sepse falë propozimit tonë ngjallli një shpresë në fakt, se në fillim thonin jo, duhet kandidat me profil politik, pastaj pak politik dhe jo politik. U detyruam të nxirrnim një propozim sepse thonin është ideale kjo që thoni ju, por keni emra. Dhe ne propozuam Ermalin (e ka fjalën për Ermal Hasimjan). Jemi krenarë edhe për propozimin dhe për Ermalin. U mbyll në mënyrën më të keqe të mundshme, u premë në besë. Folëm për të dalë me një kandidat jashtë partive opozitare për të shkuar përtej vetes. Ky është fakt. U mbyll në mënyrën më të keqe të mundshme. Na prenë në besë. PD na preu në besë sepse na thanë propozimi është i mirë, hajde flasim për emra. Pastaj dolën e thanë emrin, po deshët mbështeteni, po deshët jo”, deklaroi Shehaj në Opinion.
“Troç po flas. Ne do mbështesim kandidatin jo politik ashtu siç kemi premtuar, do mbështesim Binajn, pavarësisht se nuk është kandidati që kemi propozuar, por do ta mbështesim deri në fund. Ne e mbështesim, ne jemi koherentë me çfarë kemi thënë që në ditën e parë. Duhet një kandidat jo politik, ka dalë një kandidat si Binaj që i plotëson të gjitha kushtet. Pavarësisht problemeve me PD-në, qëllimi kryesor është t’i japim Tiranës një kandidat të pakorruptuar. Emri s’ka qenë kurrë kusht nga ne”, theksoi Shehaj. Ai shtoi se madje do ta mbështesin “sikur të kishte qenë kandidati ynë!”
Mbështetjen për Binajn e ka dhënë dhe vetë kandidati tjetër i përfolur nga radhët e opozitës, Ermal Hasimja.
Me anë të një postimi në Facebook, Hasimja shkruan se nga dita e sotme do i rikthehet jetës së tij të mëparshme, duke i uruar suksese kandidatit të pavarur dhe shumë të përfolur së fundmi.
“Para pak ditësh paraqita dëshirën për të qenë kandidati i një opozite të bashkuar për Tiranën tonë. Procesi u mbyll. I uroj suksese Florian Binajt dhe e mbështes plotësisht për të mirën e qytetit tonë dhe kryeqytetit të vendit.
Nesër i kthehem jetës sime të mëparshme. Do të vazhdoj të bëj punën time si arsimtar me brezat e rinj, në studio televizive e media të tjera dhe nëse një ditë krijohen kushtet e duhura edhe në angazhime politike që përputhen me parimet në të cilat besoj.
Nxitja dhe inkurajimi i papritur e befasues që mora nga qindra të njohur e të panjohur më tregon se ashtu si dhe unë shpresa pret ditën e saj për t’u rishfaqur”, shkruan Hasimja në postimin e tij.
Tashmë në garë për Tiranën janë Ogerta Manastirliu nga PS, Florjan Binaj si kandidat i pavarur, por i mbështetur nga partitë opozitare, Arlind Qorri nga Lëvizja Bashkë, dhe Marko Dajti nga Fronti i Majtë. Zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës pritet që të mbahen në 9 Nëntor, vetëm për kryetarin e bashkisë dhe jo për këshillin, ndërsa mandati i fituesit do të jetë më pak se dy vite, deri në zgjedhjet e ardhshme lokale në vitin 2027./ZËRI