
TIRANË-Kryeministri Edi Rama në rubrikën 'Sy më sy' ka komentuar foton që Alex Sorosi ripostoi një ditë më parë krah tij. I pyetur nga një prej komentuesve, Rama shpjegoi se ai ka pasur marrëdhënie miqësore me Alex Sorosin dhe me të atin, George Soros, por gjithashtu theksoi se kjo nuk e pengon të ketë edhe miq që janë kundërshtarë me këta figura.
Kryeministri tha se lidhja e tij me Soros dhe djalin e tij nuk ka asnjë ndikim në miqësitë dhe qëndrimet e tij politike
Komenti: O Rama, po si ta kishte publikuar Alex Soros foton. Për inat të gojëve të liga, publikoje edhe ti foton me të, tregojë që je burrë.
Edi Rama: Unë Alex Sorosin e kam patur mik, të atin e kam mik dhe i kam pasur dhe do ti kem miq dhe jam shumë krenar për atë miqësi. Përrallat dhe historitë propagandistike që kërkojnë të lidhin gjëra që nuk kanë lidhje fare, mua nuk më impresionojnë. Dhe, siç kam miq Alex-in, të atin, kam miq edhe të tjerë që nuk janë miq me ta. Por unë nuk bëj spekulime edhe mos u bëni qesharakë. Lërini historitë mes amerikanësh, t’i zgjidhin amerikanët me njëri-tjetrin. Mos gënjeni veten se këtu jemi ne kërthiza e botës etj etj. Kështu mos ma qaj hallin fare me miqtë e mi. Kam shumë miq që mes tyre janë kundërshtarë edhe armiq. Nuk do filloj të numëroj, por merr shijo të gjithë koleksionin e të gjithë fotografive të mia dhe do shohësh se kjo është mëse e vërtetë. Këto historitë me kukulla e mjeshtri kukullash mos i hani. Po doni hajini, por nuk ju çojnë asgjëkundi.
"Back by popular demand!,"-me këtë përshkrim e ka shoqëruar foton me kryeministrin Edi Rama, Alex Soros. Të dy kanë pozuar para kamerës me shumë gjasa në Samitin e Mynihut. Prej kohësh, Sali Berisha ka sulmuar George Sorosin, duke i theksuar sërish akuzat ndaj këtij të fundit për nbdehyrje në politikën shqiptare./ZËRI