
ITALI-Kryeministrja Girogia Meloni është shprehur e vendosur për të çuar para marrëveshjen e emigrantëve me Shqipërinë. Meloni në Konferencën e Prefektëve dhe Drejtuesve të Policisë është shprehur se nuk ka kthim pas për zbatimin e protokollit Itali–Shqipëri për emigracionin.
“Qeveria është e vendosur të çojë përpara protokollin Itali-Shqipëri. Jemi të vendosur të gjejmë zgjidhje për çdo pengesë që shfaqet. Dhe do të ecim përpara “jo vetëm sepse besojmë në protokoll, por edhe sepse pretendojmë të drejtën e politikës për të qeverisur dhe detyrën e politikës për të marrë përgjegjësi. Do të jetë e rëndësishme të qartësohen rregullat për vendet e sigurta dhe që Gjykata Europiane e Drejtësisë të shmangë rrezikun e kompromentimit të politikave të riatdhesimit jo vetëm të Italisë, por të të gjitha vendeve anëtare të Bashkimit Europian”,- tha Giorgia Meloni, raportojnë mediat italiane.
Gjykata e Apelit të Romës vendosi për të tretën herë që emigrantët e paligjshëm që u çuan në kampin e Gjadrit më 28 janar të ktheheshin në Itali. Më 16 tetor dhe 8 nëntor 2024, anija luftanike “Libara” solli në Shqipëri dy kontigjente me 24 emigrantë, kryesisht nga Egjipti dhe Bangladeshi, të cilët, pas vendimit të gjykatës italiane, u rikthyen në vendet e origjinës, pasi këto dy shtete u cilësuan si vende të sigurta.
Marrëveshja me Italinë për emigrantët u nënshkrua në muajin nëntor të vitit të kaluar dhe më pas u ratifikua nga të dyja parlamentet ndërsa në vendin tokë u kërkua edhe një aprovim i gjykatës kushtetuese. Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë në muaj dhe në përfundim të procedurave të vlerësimit autoritetet italiane do të largojnë me shpenzimet e tyre refugjatët nga territori shqiptar./ZËRI