TIRANË-Kryeministri Edi Rama mblodhi sot trukturat drejtuese të Partisë Socialiste të kryeqytetit për zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës. Rama u ka ndarë detyrat dhe zonat për ekipin e Tiranës. Kushdo nga ministrat, drejtuesit politik dhe deputetët që është rezident në Tiranë dhe që nuk kanë zgjedhje në qarkun që kanë mbuluar më herët, janë vendosur në Tiranë për zgjedhjet e pjesshme.
Toni Gogu do të mbulojë zonën e Ndroqit, Fatmir Xhafaj do të jetë i angazhuar në Njësinë 10. Blendi Klosi dhe Eduard Shalsi rikthehen në Tiranë vetëm për fushatën për zgjedhjet e 9 nëntorit. Ulsi Manja po ashtu do të angazhohet në Tiranë. Ish-deputeti i PS, Xhemal Qefalia, do të jetë i angazhuar në zonën e Dajtit, të cilën e ka pasur edhe më herët.
Ndërsa Elisa Spiropali do të jetë e paangazhuar në këto zgjedhje të parakohshme të Tiranës, Rama nuk e ka deleguar në asnjë zonë. Belinda Balluku është e besuara e kryeministrit Edi Rama për drejtimin politik të Tiranës, në zgjedhjet e pjesshme lokale që pritet të mbahen pas shkarkimit të Erion Veliajt.
Këshilli Bashkiak votoi kërkesën për shkarkimin e Veliajt, më 23 shtator, me 50 vota pro të PS-së dhe PD-së, duke iu referuar ligjit të vetëqeverisjes vendore, se shkarkimi i kryetarit mund të kërkohet pasi ai mungon për 3 muaj rresht në detyrë. Kërkesa e Këshillit Bashkiak u miratua dhe nga kryeministri Edi Rama, ndërsa vendimi i shkarkimit u publikua në Fletoren Zyrtare.
Veliaj, nuk ka hequr dorë nga posti, ku ka bërë një ankimim në Gjykatën Kushtetuese kundër vendimit të 25 shtatorit për shkarkimin si kryebashkiak i Tiranës dhe më pas ka ankimuar edhe dekretin e presidentit Bajram Begaj për zgjedhjet. Erion Veliaj mbahet nën masën e arrestit me burg që prej datës 10 Shkurt të këtij viti./ZËRI