TIRANË-Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste do të mblidhet të enjten e 11 shtatorit 2025. Shpallja e qeverisë së re do të vijë një ditë pas mbledhjes së Kuvendit të ri, që pritet të mblidhet më 10 shtator. Lajmi është konfirmuar nga Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi në mesazhin drejtuar anëtarëve të Asamblesë. Takimi do të mbahet në kompleksin “Xibraku” në orën 09.30.
Mesazhi:
Mbështetur në Statutin e PS, neni 37, pika 5, ju njoftojmë se më datën 11.09.2025, ora 09.30, tek kompleksi “Xibraku” do të zhvillohet mbledhja e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste me këtë rend dite:
1. Hapja e mbledhjes dhe miratimi i rendit të ditës
2. Fjala e kryetarit të PS Edi RAMA
3. Mendime, pyetje dhe diskutime
4. Të ndryshme
Pjesëmarrja juaj është e domosdoshme për vijimin e punimeve të Asamblesë
Rama pritet të vijë me një kabinet të strukturuar, me ndryshime në emërtime. Në parlamentin e ri, PS do të ketë 83 deputetë. Ndërsa nga 140 që të hyjnë në Parlament, 72 prej tyre janë të rinj dhe ulen për herë të parë në Kuvend.
Me nisjen e Kuvendit, brenda 10 ditësh, Edi Rama duhet të paraqesë në Kuvend programin qeverisës dhe kabinetin e ri, që kalojnë për miratim me 71 vota. Pas votimit në Kuvend, qeveria bën betimin përpara Presidentit të Republikës. Brenda 20 shtatorit, vendi do të ketë Kuvendin dhe qeverinë e re. Kush do të jenë ata, do të duhet të presim edhe pak./ZËRI