TIRANË-Kryeministri Edi Rama në fjalën e mbajtur në konferencën Ndërparlamentare, ka folur rreth zhvillimeve të fundit në vend, duke vendosur theksin në protestat në Tiranë. Para përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, Rama u shpreh se të gjithë janë argëtuar me flamingot, duke iu referuar tubimeve në kryeqytet. Rama theksoi në fjalën e tij se Shqipëria ka bërë mjaft mirë këtë dekadën e fundit dhe njerëzit e kanë kuptuar se ka zhvillime për këdo.
Edi Rama: Dua thjesht të ndaj me ju disa mendime në lidhje me këtë moment në Shqipëri. Kur flasim për këtë moment, jam i sigurt se jeni argëtuar mjaft kohët e fundit me flamingot, edhe pse jam i bindur se nuk do gjeni aq shumë flamingo dhe nuk do jenë aq të bukur sa i ndajnë kolegët tuaj në Instagram. Është shembulli më i mirë i këtij momenti që po kalojmë. Mendoj se Shqipëria ka bërë mjaft mirë këtë dekadën e fundit. Ka kaluar nga një epokë ku gjërat mendoheshin se do bëheshin më keq, në një epokë ku njerëzit mendojnë se gjërat do bëhen më mirë. E kanë kuptuar njerëzit se shumë gjëra po lëvizin dhe që ka një zhvillim të dukshëm për këdo.