Politikë

Gjinia në gjendje civile hap debat! PD: Dy gjini që në lindje, e pandryshueshme! PS kundër: S'ka kufizim ligjor

Deputetët e Partisë Demokratike kërkojnë përcaktimin e gjinisë që në lindje, të vendosur biologjikisht e të pandryshueshëm.

F.I
Gjinia në gjendje civile hap debat! PD: Dy gjini që në lindje, e
mbledhja në Komisionin e Shëndetësisë

TIRANË- 35 deputetë të Partisë Demokratike kanë dorëzuar një amendament në Kuvendin e Shqipërisë, ku kërkojnë përcaktimin e gjinisë që në lindje, të vendosur biologjikisht e të pandryshueshëm. Nisma, kaloi sot për diskutim në Komisionin e Shëndetësisë, atje ku u shtjellua si pjesë e Ligjit 10129 për Gjendjen Civile.

Socialistët vendosën ta rrëzonin amendamentin në parim me 5 vota kundër dhe 4 pro, ku PD-së i mungoi vota e Mesila Dodës për ta miratuar nen për nen. Tashmë ky amendament do ti kalojë Kuvendit në seancë plenare për shqyrtim. Por çfarë kërkoi PD?

Amendamenti në fjalë kërkon një përcaktim të qartë të gjinisë që në lindje. Më konkretisht, në pikën 1 të nenit thuhet “Pas nenit 38/1 shtohet nen i ri 38/2 me këtë permbajtje si vijon: "Gjini biologjikisht e pandryshueshme"

Në Republikën e Shqipërisë në kuptimin e këtij ligji ka vetëm dy gjini njerzore, gjinia mashkull dhe gjinia femër dhe mbeten të pandryshueshme gjinia e percaktuar ligjerisht që me aktin e lindjes, e cila mund të jetë mashkull ose femër. 

Por për këtë demokratët, të cilët thonë se janë bazuar edhe te dekreti i Trump, shtojnë edhe një përcaktim të dy gjinive “mashkull” dhe “femër”. Përcaktimet janë si më poshtë:

Në këtë kuptim gjini biologjikisht e pandryshueshme i referohet specifikisht për:
a) "Grua" ose "grat®" dhe "vajza" ose "vajzat" do të nënkuptohen respektivisht të moshës madhore ose të mitur.
b) "Burrë" ose "burrat" dhe "djalë" ose "djemtë" do të nënkuptohen respektivisht të moshës madhore ose të mitur.
c) "Femër" nënkupton një person që i përket, që në lindje sipas karakteristikave shkencore fiziologjike dhe anatomike të njohura dhe pranuara botërisht, të seksit që prodhon qelizën e madhe riprodhuese.
d) "Mashkull" nënkupton një person që i përket, që në lindje sipas karakteristikave shkencore fiziologjike dhe anatomike të njohura dhe pranuara botërisht, të seksit që prodhon gelizën e vogël
riprodhuese.

Çfarë ndodhi në Komision

Kryetari i këtij komisioni, Bardh Spahia kërkoi edhe nga deputetët e mazhorancës që ky projektligj të merret në konsideratë për rëndësinë që sjellë në plotësimin e kuadrit ligjor të brendshëm për të ofruar garanci shtesë në mbrojtjen e familjes, dinjitetin njerëzor dhe mbrojtjen e interesave kombëtare.

Mes socialistëve u hodh propozimi që të mos ketë kufizim ligjor vetëm në “burrë” dhe “grua” pasi përjashton qytetarë që nuk identifikohen me këto kategori, si personat interseks, jo-binarë apo transgjinorë.

“Një shtet që njeh më shumë se dy kategori gjinore është më gjithëpërfshirës, më i drejtë dhe më në përputhje me parimet e barazisë dhe dinjitetit njerëzor. Shumë vende kanë bërë hapa përpara në këtë drejtim, kanë futur opsionin X ose jo binar në dokumente zyrtare”, u shpreh Enriketa Jaho, deputete e PS.

Deputeti i PD, Tritan Shehu tha se gjinia është një kategori biologjike e përcaktuar shkencërisht dhe nuk duhet të ngatërrohet me orientimin seksual. Duke iu referuar pyetjeve të Shalsit, (përfshi  interseksin) Shehu tha se, “deformimet nga norma”  duhen trajtuar nga shkenca mjekësore, por nuk mund të përmbysin, në interpretimin e tij, kolonat e sotme të shoqërisë.

"Unë jam mjek dhe në lindje themi mashkull apo femër. Ka edhe deformime nga norma absolutisht që ka, shohim fëmijë dy bashkë, ashtu si një fëmijë mund të lindë edhe pa organe gjenitale, këto janë probleme të deformimit nga norma dhe këta duhen trajtuar rehabilituar për një jetë sa më normale, por pa dëmtuar kolonat e shoqërisë njerëzore. Thelbi i shoqërisë njerëzore nuk varet nga raste të veçanta. Interseksi është pak e shumë ajo që thashë më siper. Norma është burrë dhe grua. Nëse në certifikatat tona nuk përcaktohet qartë gjinia në momentin e lindjes, nëse ajo bëhet e ndryshueshme sipas perceptimit personal, atëherë bie themeli i identitetit ligjor. Nuk mund të ketë administratë të besueshme me identitete të paqarta”,-tha Tritan Shehu.

"Që të flasim për gjëra që nuk ekzistojnë është absurde të flas kështu që zana mund të jetë zani është absurde. Këto kanë shkuar në shkollat shqiptare. Kjo është po e njëjta, hapja e rrugës të pikërisht këtij problemi dhe propozimi që kemi bërë ne, sanksionimi i kësaj çështjeje ndalon këto”, tha Klevis Balliu. 

Ndërkohë një tjetër debat në Kuvend po zhbillohet edhe për draftin për barazinë gjinore, ku Partia Socialiste ka tërhequr termin “gjithëpërfshirëse” që linte hapësirë për identitete të tjera gjinore përveç burrit dhe gruas. Terma si  ‘gjithërfshirëse, përkatësi gjinore, diversitet gjinor’, u fshinë nga projektligji me propozim të PS-së në mbledhjen e Konisionit të Ekonomisë mbajtur më 21 tetor.

Këto terma ishin të përfshirë më herët në draftin fillestar të propozuar për konsultim publik të propozuar nga Ministria e Shëndetësisë. Drafti u kundërshtua nga komunitetet fetare dhe opozita që prej hedhjes së tij për konsultim publik, të cilit akuzonin se projektligji cenon familjen. Projektligji është depozituar në Kuvend dhe tashmë, bashkë me ndryshimet e socialistëve, do të diskutohet në komisione parlamentare./ZËRI

Poll

MOS HUMB