Politikë

'GJK të flasë'! Paga për gjyqtarët 'përplas' Ramën me 'Prokurorët': Po për arrestet pa gjyq keni gjë për të thënë?

Shoqata mbështet qëndrimet dhe kërkesat e shoqatave të gjyqtarëve para Gjykatës Kushtetuese dhe nënvizojnë se vendimet duhet të merren pa ndikim të jashtëm ose instrumentalizim të opinionit publik.

F.I
'GJK të flasë'! Paga për gjyqtarët
Edi Rama

TIRANË-Deabti për rritjen e pagave të gjyqtarëve ka përfshirë edhe Shoqatë e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë. Kjo e fundit reagoi pas replikave mes kryeministrit Edi Rama dhe gjyqtarëve lidhur me rritjen e pagave të magjistratëve, ku u shpreh se çdo debat publik mbi drejtësinë duhet të zhvillohet me përgjegjshmëri dhe respekt për rolin kushtetues të gjyqtarëve dhe prokurorëve. 

Në deklaratën zyrtare, Shoqata e Prokurorëve theksoi se çdo ndryshim ligjor që ul pagat e magjistratëve ose cenon garancitë kushtetuese përbën shkelje të parimeve themelore të sistemit të drejtësisë. Ata mbështesin qëndrimet dhe kërkesat e shoqatave të gjyqtarëve para Gjykatës Kushtetuese dhe nënvizojnë se vendimet duhet të merren pa ndikim të jashtëm ose instrumentalizim të opinionit publik. 

DEKLARATA:

Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të zhvillimeve të fundit dhe debatit publik rreth gjykimit kushtetues mbi pagat e magjistratëve, në përmbushje të misionit dhe veprimtarisë së saj, e konsideron të domosdoshme të shprehë një qëndrim zyrtar në funksion të mbrojtjes së parimeve të shtetit të së drejtës dhe pavarësisë së sistemit të drejtësisë.

Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë vlerëson se debatet publike për çështje që lidhen me sistemin e drejtësisë duhet të zhvillohen në mënyrë të përgjegjshme, të balancuar dhe me respekt për rolin kushtetues të magjistratëve. Çdo formë retorike që synon të kthejë opinionin publik kundër magjistratëve nuk i shërben forcimit të shtetit të së drejtës. Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë i bashkohet qëndrimeve publike dhe kërkimeve të argumentuara tashmë në mënyrë shteruese nga shoqatat e gjyqtarëve përpara Gjykatës Kushtetuese. Theksojmë se çdo ndryshim ligjor që passjell regres në standardet e njohura më parë dhe ulje të pagave të magjistratëve, përbën cenim të garancive kushtetuese.

Në një shtet demokratik dhe të së drejtës, pavarësia e Gjykatës Kushtetuese dhe e sistemit të drejtësisë në tërësi përbën një parim themelor, i cili duhet të respektohet nga të gjithë aktorët institucionalë dhe publikë, veçanërisht në faza të ndjeshme përpara vendimmarrjes. Në këtë kontekst, gjykimi kushtetues i inicuar nga shoqatat e gjyqtarëve duhet të përfundojë i pandikuar nga çdo presion i jashtëm apo instrumentalizim i opinionit publik. Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë shpreh besimin e saj të plotë në Gjykatën Kushtetuese si autoriteti i vetëm legjitim për të dhënë fjalën përfundimtare në këtë proces, si dhe mbështet çdo përpjekje institucionale dhe civile që synon forcimin e rendit kushtetues, pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe mbrojtjen e standardeve demokratike në vend.

'GJK të flasë'! Paga për gjyqtarët

Pas kësaj deklarate një reagim ka ardhur edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili e cilëson qëndrimin e tyre si absurd. Rama nënvizon se kjo shoqatë akoma nuk është e regjistruar sipas ligjit dhe sqaron se qeveria nuk ka pasur asnjëherë qëllim apo nismë për uljen e pagave të gjyqtarëve. 

Edi Rama: Paska dalë edhe një shoqatë prokurorësh e re - ende e paregjistruar deri tani sipas ligjit, po brenda afatit për regjistrim - e cila ka deklaruar solidaritet me shoqatat e gjyqtarëve, duke kërkuar “që të mos ulen pagat”!!! Pra, orvajtja absurde e kategorisë më të privilegjuar të piramidës së pagave të shtetit shqiptar, për t’ia rritur akoma më shumë pagat vetes me gjyq, tani na del si përpjekja e një grupi të diskriminuar nga qeveria, për të ndaluar uljen e pagave!!! A e kuptoni apo jo se çfarë quhet “ulje pagash” në fillin e çuditshëm të këtij arsyetimi?

Mosngritja e pagave aq sa duan shoqatat e gjyqtarëve!!!  Pra, shqip, një pagë që s’më ngrihet sa ç’dua unë, është një pagë e ulur!!!  Duket totalisht e pabesueshme, po është shumë fatkeqësisht e vërtetë! Absurditet total pra, sepse vetëm s’ka pasur asnjë tentativë, po as nuk i ka shkuar mendja askujt për të ulur pagat e gjyqtarëve! Madje kaq e madhe është vëmendja e qeverisë ndaj pushtetit gjyqësor, sa prej thuajse një viti tanimë po punojmë për të mundësuar ndërtimin e një Poli Drejtësie, si askund në Ballkan, që edhe kushtet e punës së trupës së drejtësisë të jenë njësoj si pagat, më të mirat në rajon!

Por ndërkohë, s’mund të rri dot pa i shtruar një pyetje kësaj shoqatës së re: Po për shqelmimin e vazhdueshëm si askund në Europë të prezumimit të pafajësisë dhe kthimin e arresteve me burg pa gjyq në një praktikë rutinë, e cila e ka njollosur Shqipërinë botërisht, duke na renditur si dele të zezë në bisht të kontinentit europian dhe kthyer në subjekt publik shqetësimi të Komitetit të Këshillit të Europës për Parandalimin e Torturës, a keni ndonjë gjë për të deklaruar?!

Poll

MOS HUMB