TIRANË-Ngjarjet e 1997 dhe trazirat që përjetuan shqiptarët, janë rikthyer në vëmendje. Deputetja e Partisë Socialiste Sara Mile, përfaqësuese e Elbasanit e cila gjatë dhe pas zgjedhjeve është përplasur herë pas here me kryedemokratin Sali Berisha për zhvillimet politike në vend, ka deklaruar një ditë më parë (14 korrik) se një nga shkaqet që nuk e mbështet politikën e tij është viti 1997.
Ajo është shprehur se ka "jetuar ferrin e '97-ës" dhe se nuk mund ta shoh Berishën si normalitet. Mile u shpreh në DritareTv, se i duhej të fshihej poshtë tavolinës nga nëna e saj, për t'i shpëtuar plumbave qorr që binin mbi shtëpitë e shqiptarëve për shkak të kolapsit të shtetit. Megjithatë, deputetja ka lindur në vitin 1995 dhe asohohe ka qenë vetëm 2 vjeç.

Trazirat e '97, i ka përjetuar edhe deputetja socialiste e Vlorës Briseida Çakërri, e cila në një intervistë më 29 janar, ka pohuar se ka dalë në protestë asokohe.
“Kam qenë vetëm gjashtë vjeç kur mora pjesë për herë të parë në protesta në vitin 1997. Nga atëherë politika ka qenë pjesë e jetës sime. Kam qenë aktiviste në Fresh, pastaj kryetare e organizatës së lagjes dhe më pas për rajonin”,-shprehej ajo ë një intervistë për DritareTv.
Çakërri ka lindur në 1992 dhe në atë periudhë ka qenë 5 vjeç.

Çakërri mori mandatin e deputetes pas dorëheqjes së Brunilda Mersinit (Kryebashkiakja e Bashkisë Vlorë) dhe më 30 tetor u betua në Kuvend. Ndërkohë Sara Mile, kandidate e PS-së në Elbasan, u zgjodh deputete me mbi 18,000 vota.