Politikë

Sot konferenca e 6-të ndërqeveritare Shqipëri-BE! Hapen 4 kapituj, Rama: Po zgjedhim lirisht me kë duam të martohemi

Sot hapen katër kapituj të rinj të negociatave që janë Politika dhe Transporti, Energjia, Rrjetet Trans-Europiane dhe Mjedisi me Ndryshimet Klimatike. 

F.I
Sot konferenca e 6-të ndërqeveritare Shqipëri-BE! Hapen 4
Edi Rama

BRUKSEL-Shqipëria zhvillon sot Konferencën e Gjashtë Ndërqeveritare në Bruksel, ku kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Danimarkës për Çështjet Evropane, Marie Bjerre ishin në krye të takimit. Sot hapen katër kapituj të rinj të negociatave që janë Politika dhe Transporti, Energjia, Rrjetet Trans-Europiane dhe Mjedisi me Ndryshimet Klimatike. 

Komisionerja Marta Kos i tregoi kryeministrit Edi Rama “murin e zgjerimit” në BE ku Shqipëria duket qartë se ka hapur pjesën më të madhe të kapitujve bashkë me ato të sotmet. Në pamjet e publikuara Kos shihet teksa heq piketat e kuqe në vendin tonë për grup-kapitujt e gjashtë. Ndërkohë që më pas, Rama merr piketat e verdha, të cilat simbolizojnë se ky grup-kapitulli është tashmë i hapur. 

Gjatë fjalës së saj, pas përfundimit të takimit, Kos theksoi se Shqipërtia ka ecur me ritme të mira dhe të shpejta. 

“Ky është vërtetë një përjashtim i mënyrës së si e bënim këtë. Sepse Shqipëria ka ecur shumë shpejt. Kur erdha në dhjetor ishte thuasje e gjitha me të kuqe. E kuqja tregon që nuk është hapur ende, e verdha që është hapur, dhe e gjelbra që është mbyllur provizorisht. Mesa duket kemi çelur një tjetër grupkapitull. I dashur kryeministër, i dashur Edi, keni nderin që unë heq të kuqen, dhe ju do të vendosni ngjyrën e re”, tha Kos.

Ndërkohë që gjatë mbajtjes së konferencës së përbashkët për mediat, Rama tha se Shqipëria është duke realizuar çdo ditë detyrat e saj për integrimin në BE.

“Kam shumë mirënjohje për mbështetjen dhe që keni siguruar të mbahet premtimi se kur japim rezultate shpërblehemi. Sot çelëm një tjetër grup-kapitull që në fakt përbëjnë 5 grup-kapituj në 11 muaj. Mesa di unë, ky është një rekord”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se presim me padurim të çelim grup-kapitullin e fundit para mbylljes së këtij viti.

“E di që është shumë ambicioze, por është ajo që duhet të bëjmë dhe me shpresë do ta bëjmë së bashku”, theksoi ai.

Hapja sot e 4 kapitujve të negociatave, për Ramën “nuk ka të bëjë vetëm me marrjen e një shpërblimi njëherë e përgjithmonë, por me detyra që do të realizohen çdo ditë”.

“Ne e dimë që më së fundi kjo është hera e parë për ne në histori që zgjedhim lirisht me kë duam të martohemi. Jemi martuar me detyrim me perandori të tjera në të shkuarën kështu që kjo është një perandori pjesë e së cilës duam të jemi. Një perandori vlerash, të drejtash, sigurie. Më së fundi qytetarët tanë do të sigurohen që të drejtat dhe liritë e tyre nuk do të merren nga askush që vjen më pas”, shtoi ai.

Duke iu referuar rezultateve të barometrit për zgjerimin, Rama vlerësoi faktin se “populli danez është mes mbështetësve më të mëdhenj të anëtarësimit tonë në BE”.

“Danimarka ka shumë për të bërë dhe ministrja këtu ka një listë të gjatë para saj e gjëra të tjera për të bërë dhe për të votuar me detyrimet e Presidencës daneze. Na erdhi vërtetë shumë mirë kur pamë barometrin dhe kur kuptuam se populli danez është mes mbështetësve më të mëdhenj të anëtarësimit tonë. Të kesh nga ana jonë vikingët është diçka që të jep shumë siguri dhe ne na duhet ta përhapim këtë në mbarë Europën, në mënyrë që askush të mos guxojë të na bllokojë rrugën”, shtoi Rama.

Rama theksoi se tani Shqipëria ka një ministër për Mjedisin të krijuar ekskluzivisht.

Ky është rezultat edhe i njëfarë trysnie nga kanalet e BE-së për ta bërë një gjë të tillë, sigurisht trysni miqësore me argumente të mira. Ne mbështetemi te dija e Europës, një dije që është akumuluar duke ecur përpara me anë të shembullit”, tha Rama.

Në konferencën e përbashkët në Bruksel, me kryeministrin Edi Rama si dhe ministren e Çështjeve Europiane të Danimarkës Marie Bjerre, komisionerja Evropiane për Zgjerimin Marta Kos tha se shpejtësia e Shqipërisë për integrimin në BE është mbresëlënëse.

Kos theksoi se ka mbetur edhe një grup-kapitull i cili sipas saj do të hapet së shpejti.

“Ende nuk kam bërë një vit në detyrë dhe kjo është hera e katërt tashmë që ne çelim një grup-kapitull negociatash me Shqipërinë gjatë mandatit tim. Kjo na çon në 5 grup-kapituj të hapur dhe 28 kapituj të çelur, ka mbetur edhe 1 grup-kapitull dhe nuk kam aspak dyshim që do të bëjmë këtë gjë së shpejti. E di që presidenca daneze dhe shtete anëtare janë tërësisht të përkushtuara në momentin që përmbushni kriteret. Po të përdorja terminologjinë olimpike do të jetë më shpejt, më lart, më fort dhe një punë në ekip. Siç e shihni, ka një trekëndësh të fortë që e mbështet procesin e integrimit në tërësi, siç ju e theksuat, duke qenë një nevojë gjeostrategjike”, u shpreh Kos.

Sipas komisioneres për Zgjerimin, “ky rezultat vjen si rrjedhore e punës së madhe të autoriteteve shqiptare që kanë çuar përpara reformat për gjatë shumë viteve dhe sidomos gjatë këtij viti, pavarësisht zgjedhjeve që janë zhvilluar”.

Kos theksoi më tej se reformat kërkojnë ndryshime themelore, por Shqipëria ka treguar se ndryshimi pozitiv është i mundur.

“Ne e dimë shumë mirë që reformat që iu kërkojmë kandidatëve tanë ndonjëherë nuk janë të lehta, kërkojnë ndryshime themelore. Por vendi juaj, i dashur kryeministër, po tregon që mund të bëhet, Shqipëria po tregon se ndryshimi pozitiv është i mundur dhe që BE-ja e shpërblen këtë ndryshim pozitiv”, tha Kos.

Kos nënvizoi më tej Shqipëria duhet të vijojë me këtë ritëm, duke përfshirë edhe parlamentin, shoqërinë civile dhe sektorin privat, në mënyrë që të përmbyllë kapitujt në 2027-n.

“Vazhdoni më këtë ritëm, duke u siguruar që të përfshini edhe parlamentin, shoqërinë civile dhe sektorin privat, pasi një konsensus i gjerë kombëtar përmirëson pranimin shoqëror dhe më tej, sidomos për fusha kritike, si reforma në drejtësi, pavarësia e gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit, të drejtat e pronësisë, çështjet e pakicave dhe liria e medias, që të përmbushin piketat e ndërmjetme. Kjo është e rëndësishme që ne të nisim të përmbyllim kapitujt sa më shpejt të jetë e mundur që të realizojmë ambicien tuaj për t’i përmbyllur të gjitha brenda 2027-s”, tha Kos.

Kos u ndal edhe te grup-kapitulli i çelur sot.

“Grup-kapitulli që kemi çelur sot quhet “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme”, reforma që përmban ndihmojnë që rritja ekonomike e Shqipërisë të shkojë krah për krah me mbrojtjen pasurisë së jashtëzakonshme natyrore të Shqipërisë, të mbrojmë burimet natyrore, të përmirësojë menaxhimin e ujërave të ndotura dhe të ulë ndotjen e ajrit. Transporti në këtë grup-kapitull do të ndihmojë në zgjerimin e rrugëve, në përmirësimin e transportit dhe ndërlidhjen e Shqipërisë me sistemet evropiane, ndërkohë që energjia do të ndihmojë në konkurrueshmërinë e drejtë me forcimin e konkurrueshmërisë, por gjithashtu përdorimin e burimeve të përtëritshme. Kjo do të sjellë përmirësime për qytetarët shqiptarë”, tha Kos.

Kos e përmbylli deklaratën e saj duke theksuar se “e ardhmja e Shqipërisë është në BE, nuk ka aspak dyshim, dhe sot jemi një hap para për ta arritur këtë objektiv”.

KAPITUJT:

Transporti

Legjislacioni i BE-së për transportin synon të përmirësojë funksionimin e tregut të brendshëm duke promovuar shërbime transporti të sigurta, efikase, miqësore me mjedisin dhe të përshtatshme për përdoruesit. Kapitulli i transportit mbulon sektorët e transportit rrugor, hekurudhor, ujërave të brendshme, transportit të kombinuar, aviacionit dhe transportit detar. Ai lidhet me standardet teknike dhe të sigurisë, sigurinë, standardet sociale, kontrollin e ndihmës shtetërore dhe liberalizimin e tregut në kuadër të tregut të brendshëm të transportit.

Energjia

Objektivat e politikës energjetike të BE-së përfshijnë rritjen e konkurrueshmërisë, sigurinë e furnizimit me energji dhe mbrojtjen e mjedisit. Kapitulli i energjisë përbëhet nga rregulla dhe politika që lidhen kryesisht me konkurrencën dhe ndihmën shtetërore (përfshirë sektorin e qymyrit), tregun e brendshëm të energjisë (liberalizimin e tregjeve të energjisë elektrike dhe gazit, nxitjen e burimeve të rinovueshme të energjisë), efiçencën energjetike, energjinë bërthamore si dhe sigurinë bërthamore dhe mbrojtjen nga rrezatimi.

Rrjetet Trans-Europiane

Ky kapitull trajton politikën e Rrjeteve Transevropiane në fushat e transportit, telekomunikacionit dhe infrastrukturës së energjisë, duke përfshirë udhëzimet e Komunitetit për zhvillimin e këtyre rrjeteve si dhe masat mbështetëse për projektet me interes të përbashkët. Krijimi dhe zhvillimi i Rrjeteve Transevropiane, së bashku me nxitjen e ndërthurjes dhe ndërveprimit të duhur të rrjeteve kombëtare, synon të shfrytëzojë plotësisht avantazhet e tregut të brendshëm dhe të kontribuojë në rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës në Bashkimin Evropian.

Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike

Politika e BE-së për mjedisin dhe klimën promovon zhvillimin e qëndrueshëm dhe mbrojtjen e mjedisit për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm. Ajo bazohet në veprimin parandalues, parimin “ndotësi paguan”, luftën kundër dëmtimit mjedisor që në burim, përgjegjësinë e përbashkët dhe integrimin e mbrojtjes së mjedisit në politikat e tjera të BE-së. Në këtë fushë përfshihen mbi 200 akte të rëndësishme ligjore që mbulojnë legjislacionin horizontal, cilësinë e ujit dhe të ajrit, menaxhimin e mbetjeve, mbrojtjen e natyrës, kontrollin e ndotjes industriale dhe menaxhimin e rrezikut, kimikatet dhe organizmat e modifikuar gjenetikisht (OMGJ), ndotjen akustike, pylltarinë dhe ndryshimet klimatike.

Kujtojmë se 24 kapituj të tjerë janë hapur brenda më pak se një viti, ritëm që kryeministri Rama e ka cilësuar si “rekord absolut” në historinë e negociatave. Deri tani, Shqipëria ka çelur 4 nga 6 grupkapituj kryesorë: Themeloret, Marrëdhëniet me Jashtë, Tregun e Brendshëm dhe Konkurrueshmërinë me Rritjen Gjithëpërfshirëse./ZËRI

Poll

MOS HUMB