TIRANË- Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet nesër, më 16 shtator, për të zhvilluar dy seanca plenare, të vlefshme për organizimin dhe funksionimin e Kuvendit pas zgjedhjes së kryetarit të ri. Seanca e parë do të nisë në orën 10:00, ndërsa e dyta është planifikuar për në orën 17:00. Në seancën e parë do të diskutohet projektvendimi për zgjedhjen e zëvendëskryetarëve të Kuvendit, përbërja e sekretariateve të Byrosë së Kuvendit dhe përbërja e Byrosë së Kuvendit. Ndërkaq në seancën e dytë pritet të shqyrtohet projektvendimi për zgjedhjen e kryesive të komisioneve të përhershme të Kuvendit.
PËR MBLEDHJEN E KUVENDIT NË SEANCË PLENARE, DATË 16.9.2025, ORA 10:00
Në mbështetje të nenit 7, pika 6, dhe nenit 27/1 të Rregullores së Kuvendit,
Mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 16.9.2025, ora 10:00.
Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë:
Miratimi i procesverbalit të seancave plenare të datës 12.9.2025.
Njoftime.
Projektvendimi “Për zgjedhjen e zëvendëskryetarëve të Kuvendit”.
Projektvendimi “Për zgjedhjen e sekretariateve të Byros të Kuvendit”.
Projektvendimi “Për përbërjen e Byrosë së Kuvendit”.
III. Ngarkohen shërbimet e Kuvendit për publikimin e rendit të ditës të seancës plenare, njoftimin e anëtarëve të Kuvendit me anë të mjeteve të komunikimit elektronik, si dhe përgatitjen e dokumentacionit parlamentar që do të shqyrtohet.
IV. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.
PËR MBLEDHJEN E KUVENDIT NË SEANCË PLENARE, DATË 16.9.2025, ORA 17:00
Në mbështetje të nenit 7, pika 6, nenit 21, nenit 22 dhe nenit 27/1 të Rregullores së Kuvendit,
Mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 16.9.2025, ora 17:00.
Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë:
Projektvendimi “Për zgjedhjen e kryesive të komisioneve të përhershme të Kuvendit”.
III. Ngarkohen shërbimet e Kuvendit për publikimin e rendit të ditës të seancës plenare, njoftimin e anëtarëve të Kuvendit me anë të mjeteve të komunikimit elektronik, si dhe përgatitjen e dokumentacionit parlamentar që do të shqyrtohet.
IV.Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.
Ndërkohë, nga ana tjetër, po në të njëjtën ditë (16 shtator) Partia Demokratike do të zhvillojë një mbledhje të grupit parlamentar. Mbledhja do të zhvillohet në orën 12:00 në selinë blu. Ende nuk dihen pikat e diskutimit që do të jenë pjesë e takimit të demokratëve, ndërsa kjo mbledhje pason seancën e parë plenare në Kuvend që do të mbahet në orën 10:00 dhe i paraprin asaj të dytës në orën 17:00.
Partia Socialiste ka mbledhur paraditen e sotme grupin parlamentar, në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, ku i pranishëm ishte dhe vetë kryeministri Edi Rama. Mbledhja u drejtua nga Taulant Balla, i cili u emërua dhe kryetar i grupit, ndërsa në fokus të diskutimeve ishin dhe ndryshimet që socialistët kërkojnë të bëjnë në rregulloren e Kuvendit, si dhe në përbërjen e komisioneve parlamentare.
Socialistët kanë caktuar dhe 7 drejtuesit e komisioneve të përhershme parlamentare, dhe 2 komisioneve të posaçme ku shihet se Rama iu ka besuar emrave të rëndësishëm që më herët kanë mbajtur dhe poste ministrore.
Me nisjen e Kuvendit, brenda 10 ditësh, Edi Rama duhet të paraqesë në Kuvend programin qeverisës dhe kabinetin e ri, që kalojnë për miratim me 71 vota. Pas votimit në Kuvend, qeveria bën betimin përpara Presidentit të Republikës./ZËRI
