LIVE UPDATES

Humbi zgjedhjet! Berisha-drejtuesëve politikë në seli: Dokumentoni blerjen e votës! Demokratët përplasen me gazetarët: Ne jemi viktima

➤ Kjo është lëvizja e parë e Partisë Demokratike pas humbjes së zgjedhjeve! ➤ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka thirrur mbrëmjen e sotme në seli të gjithë drejtuesit politik të qarqeve të koalicioni “Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore”. ➤ Takimi ka nisur dhe Berisha po mban fjalën e tij. ➤Ndërsa të dërguarit politikë kanë ndaluar para se të futeshin dhe u janë përgjigjur mediave. ➤ Për ta, fajtor për rezultatin është kryeministri Edi Rama, i cili sipas tyre ka blerë votat. ➤ Vetë Berisha falenderoi gazetarët, ndërsa Flamur Noka dhe të tjerë patën përplasje. ➤ Për disa duhet reflektim, ndërsa Gazment Bardhi u shpreh se pret të përfundojë procesi.

6 artikuj për këtë temë.
1 MUAJ ME PARE

“Nuk kam koment”, Bardhi për zgjedhjet: Falenderoj qytetarët e Fierit

Humbi zgjedhjet! Berisha-drejtuesëve politikë në seli:
Gazment Bardhi

TIRANË- Drejtuesi politik i Partisë Demokratike në Qarkun e Fierit, ka folur për mediat për rezultatin e 11 majit. Teksa po hynte në selinë blu për të marrë pjesë në mbledhjen e thërritur nga kryedemokrati Sali Berisha, Bardhi tha se nuk ka komente. Ai u shpreh se nuk ka asnjë koment për rezultatin dhe përgjegjësitë për humbjen, por falënderoi votuesit e qarkut ku ai kryesonte listën.

“Mirëmbrëma jam shumë i lumtur që po ju shoh pas kaq shumë kohësh. Përveç mirënjohjes me zemër për 40 mijë qytetarë të qarkut të Fierit që pavarësisht terrorit në të gjitha drejtimet, qëndruan dhe zgjodhën alternativën më të mirë për Shqipërinë, sonte nuk kam asnjë koment. Mirënjohje, dhe vetëm mirënjohje”, tha Bardhi./ZËRI

1 MUAJ ME PARE

Mziu komenton humbjen para mbledhjes: Çfarë të bënim ne? Shkoi 300 euro vota...

Humbi zgjedhjet! Berisha-drejtuesëve politikë në seli:
Xhelal Mziu

TIRANË- Disa nga kandidatët për deputetë të Partisë Demokratike para se të hynin në selinë blu kanë folur për mediat rreth zgjedhjeve të 11 majit. Drejtuesi politik i PD-së për qarkun e Dibrës, Xhelal Mziu u shpreh se votat u vodhën, ku qytetarët u paguan 300 euro në këmbim të saj. Më tej, ai shtoi se për këtë nuk ka pasur asnjë reagim nga organet e drejtësisë.

“I vodhi Rama zgjedhjet. Përgjegjës duhet të shkojë hajduti i vjedhjes së votave. Pse çfarë jemi ne bodigardë? Ne kemi dalë për të bërë fushatë... Nga humbja në humbje kur përdor paratë e krimit dhe të korrupsionit dhe shkon e blen një votë 300 euro, çfarë duhet bëjmë ne, A jemi bodigardë ne? Kur policia vihet në shërbim të ndarjes së parave. Kur prokuroria nuk reagon kur ne i kapnim me para, kush e ka fajin? Në Kavajë drejtojnë demokratët nuk ka patronazhistë. Banda numër një është Edi Rama”, tha Mziu./ZËRI

1 MUAJ ME PARE

Tritan Shehu: Regjimi do përmbyset me lëvizje popullore

Humbi zgjedhjet! Berisha-drejtuesëve politikë në seli:
Tritan Shehu

TIRANË- Kandidati demokrat për qarkun e Gjirokastrës ka folur për zgjedhjet e 11 majit. Teksa po hynte në selinë blu, Shehu u shpreh se regjimi do të përmbyset me lëvizje popullore.

“Përshëndes të gjitha strukturat e Gjirokastrës dhe t’i falenderojë banorët e Gjirokastrës, drejtuesit, komisionerët, numëruesit që u përballën me një regjim. Regjimi nuk përmbyset me votë, por përmbyset në fillim dhe pastaj i hapet rrugë votës së lirë. Regjimi do të përmbyset me lëvizje popullore. Do përmbyset një ditë. Nuk ka rrugë tjetër”, tha Shehu./ZËRI

1 MUAJ ME PARE

Berisha porosit drejtuesit politik: Të dokumentojmë blerjen e votës nga grupet kriminale!

Humbi zgjedhjet! Berisha-drejtuesëve politikë në seli:
Sali Berisha

TIRANË- Për Sali Berishën nuk ka asnjë dyshim! Për të, procesi zgjedhor ishte një masakër elektorale dhe grabitja më e madhe në 33 vite pluralizëm politik. Në mbledhjen e sotme me drejtuesit politikë të qarqeve, kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha tha sot në gjatë mbledhjes me drejtuesit politikë të PD-së, se PS fitoi zgjedhjet e 11 Majit duke blerë votat, përmes bandave. Ndaj edhe bëri me dije se i ka mbledhur drejtuesit politik, për t’i kërkuar atyre të mblidhen fakte për krimin elektoral në qarqet e tyre. Në fjalën e tij përmendi edhe protestën e 16 majit, duke u shprehur se do të shërbejë si sensibilizim për ndërkombëtarët, të cilën sipas tij duhet ta kuptojnë që po vijnë në një narko shtet.

"Detyra, numër 1 në këtë fazë është mbrojtja e votës duke paraqitur dhe faktuar të gjithë universin kriminal të qarqeve tuaja. Të gjithë ndërhyrjet kriminale në qarqet tuaja. Çdo evidentim, pasi beteja jonë për mbrojtjen e votës së shqiptarëve është betejë për faktin vendimtar të Shqipërisë dhe të demokracisë shqiptare. Është betejë të cilën në do ta fitojmë sepse nuk ka shqiptar që e njeh veten të tillë dhe nuk pa me sytë e tij sesi me vendime qeverie u grabitjen zgjedhjet. Nuk ka shqiptar që të pranojë për standard shpërndarjen e 100 eurove për person për të blerë votën. Nuk ka detyrë mbi cdo detyrë tjetër është dokumentimi, me vertetësi dhe dokumente të plotë. Ne nisim një betejë që do ta fitojmë,"-tha ndër të tjera në fjalën e tij Berisha.

FJALA E PLOTË E BERISHËS:

Mirëmbrëma dhe përshëndetje ju drejtuesve politikë të qarqeve, një përshëndetje të veçantë kam dhe një mirënjohje të pakufishme për ata qindra mijëra qytetarë që në kushtet më të vështira, votuan si qytetarë të lirë për vlerat, idealet që besonin, votuan kundër një regjimi që në traditën më antidemokratike, më antikombëtare, ka shndërruar krimin në faktor kryesor elektoral, krimin në votë dhe votën në krim. Por unë kam një mirënjohje të veçantë gjithashtu për të gjithë komisionerët, vëzhguesit, numëruesit, të cilët përballen prej tre ditësh me presione nga më të ndryshme dhe mbrojnë me integritet votën e qytetarëve shqiptarë. Një falënderim për të gjithë strukturat e angazhuara në këtë proces, i cili pati si rezultat final plaçkitjen, grabitjen më të madhe të votës në historinë 33-vjeçare të pluralizmit politik shqiptar. Në këto zgjedhje u faktua në mënyrën më të pakundërshtueshme se sa më i madh vjedhja dhe korrupsioni, aq më shumë ato shndërrohen në votë dhe pas tyre vota në krim. Pra, rrethi vicioz i krijuar në këtë narkoshtet që krimi shndërrohet në votë dhe vota në krim pati në këto zgjedhje proporcione të papara ndonjëherë më parë. Njeriu që grabiti zgjedhjet, regjimi që grabiti zgjedhjet e vitit 2025, të 11 Majit, nuk e bëri këtë fshehtas. Ai e bëri këtë publikisht duke përdorur për këtë qëllim të gjithë potencialin e narkoshtetit me vendime qeverie. Pra, ai shpërndau dhuratë për votë 70 milionë euro, 760 mijë pensionistëve, të cilët në hartën aktuale elektorale përbëjnë 48 përqind të votuesve në Shqipëri. Kjo është shkelja publike më e rëndë, më e paprecedent. Cilido që përpiqet të na bindë apo të na kundërshtojë ne se ky nuk është një megakrim elektoral, një blerje e hapur publike e votës, ose është bashkëpunëtor në këto para krimi, paguhet me këto para krimi që paguhet vota, ose pastaj nuk ka ABC-në më elementare të parimeve të zgjedhjeve të barabarta dhe të drejta. Edi Rama nuk u përpoq të fshehë kësaj radhe asgjësimin e kodit zgjedhor dhe krimit elektoral. Ai shpërndau në mes të fushatës 138 licenca për miliona bimë kanabisi. Mos harroni se një bimë kanabisi e ka prodhimin 1 mijë euro. Se si i ndau mafia e drogës bimët për vota, është shumë e thjeshtë. Por një bimë kanabisi është 1 mijë euro produkti. Ai nuk e fshehu, por e bëri publike blerjen e votës kur dy ditë para zgjedhjeve fali më së paku 200 milionë euro gjoba dhe kamata të 10 viteve të fundit.Cilat do qofshin përmasat e veprimtarisë kriminale të nëndheshme, këto publiket janë më të mëdhatë, më gjigantet, më të pashembulltat. Për të mos thënë pastaj rreth 500 milionë euro prokurime, PPP-ra, koncesione, gjatë fushatës elektorale. Që të gjitha për vota. Për të mos thënë pastaj mbi 10 mijë punësime në qeverinë vendore, lokale dhe ndërmarrjet publike, që të gjitha punë për votë, punësim për votë. E vërteta është se në këto zgjedhje, bandat kriminale kanë vepruar më të strukturuara dhe më të kontrolluara se asnjëherë më parë. Këto banda kanë vepruar në dhjetë qarqe të vendit dhe në mbi 20 bashki me detyrën për të mbështetur dhe sjellë në parlament 30 kandidatë të PS. ‘Ylli’ i kësaj fushate është famozja Sara Mile, e cila arriti në 30 mijë, po tani po i ulin votat sepse bëhet barsoletë botërore se si e panjohura u bë më e votuara në zgjedhjet e narkoshtetit shqiptar. Bandat, aty ku panë se puna e nëndheshme mund të mos realizonte objektivin, dolën haptas në shesh, në terren, në një seri bashkish, ndër të cilat në Vorë, në Peshkopi, në Mat dhe në Durrës, në Elbasan, në shumë rrethe të tjera. Unë gjej rastin të shpreh një falenderim dhe mirënjohje ndaj të gjithë gazetarëve, të cilët me guxim, me trimëri kanë bërë publike të vërtetat, këtë aktivitet kriminal, i cili u ushtrua ditën e zgjedhjeve pa asnjë lloj kufizimi. Pra, e vërteta është se zgjedhjet u rrëmbyen nga një narkodiktator që me një fuqi korruptive dhe që mendon se do mund të qëndrojë mbi mandatin e tij të krimit. Tani, detyra numër një në këtë fazë, dhe prandaj unë u kam thirrur sonte këtu, u kam shkëputur nga puna, është mbrojtja e votës duke paraqitur dhe faktuar të gjithë universin kriminal të qarqeve tuaja. Të gjithë ndërhyrjet kriminale në qarqet tuaja, çdo evidentim pasi beteja jonë për mbrojtjen e votës së shqiptarëve është betejë për fatin vendimtar të Shqipërisë dhe demokracisë shqiptare. Është betejë, të cilën ne do ta fitojmë sepse sot nuk ka shqiptar që e njeh veten të tillë dhe nuk pa me sytë e tij se si me vendime qeverie u grabitën zgjedhjet. Nuk ka shqiptar që mund të pranojë për standard shpërndarjen e 100 eurove për person për të blerë votën. Shpërndarjen e miliona bimë kanabis për të blerë votën. Në këtë mënyrë, Edi Rama ka poshtëruar një komb të tërë. Është dokumentuar një Asad i vërtetë. Por nuk them Asad, por them Toto Rina, po mu kujtua Lajlaja se sot ai shpalli opozitë të vetme Linda Ramën dhe emëroi disa të tjerë opozitë të emëruar, Tom Doshin e të tjerë. Diktatorët ngjasojnë njëri me tjetrin. Pra, nuk ka detyrë mbi çdo detyrë tjetër është dokumentimi me vërtetësi dhe dokumenta të plota. Ne nisim një betejë të cilën ne do ta fitojmë. Ne do ta fitojmë sepse së pari këto krime madhore elektorale janë krime të paralajmëruara dhe të denoncuara në rezolutat e fuqishme ndërkombëtare, si asnjëherë më parë. Së dyti, dua të përshëndes vëzhguesit, të OSBE/ODIHR, Parlamentit Europian dhe të Këshillit të Europës, për konstatimet e tyre madhore, me të cilat këto zgjedhje de facto rrëzohen. Por tani është radha jonë të dorëzojmë të faktuar të gjithë batërdinë elektorale të narkoregjimit në zgjedhjet e 11 Majit. Me datën 16 fillon protesta për një sensibilizim të udhëheqësve europiane se ndodhen në një narkoshtet që nuk respekton asnjë rregull, asnjë parim të votës së lirë. Dhe kjo jo se e themi ne, por që e thonë katër rezoluta ndërkombëtare të partive që qeverisin botën. Deklaratat paraprake nuk mund të dekurajojnë ne në betejën tonë që shqiptarët të votojnë si qytetarë të lirë, me zotimin solemn se me Edi Ramën nuk ka votë të lirë. Por këto kohëra që vijnë, janë kohëra përcaktuese në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar për mbrojtjen e votës së shqiptarëve, për luftën për mbrojtjen e votës së shqiptarëve. Kjo është një kauzë e drejtë, e dobishme, e vlefshme për çdo sakrificë. Kjo është një kauzë e drejtë, e cila do triumfojë. Mandat mbi krimin, legjitimitet mbi krimin nuk ka dhe nuk do ketë. I them Edi Ramës se gjysmë milioni shqiptarë të lirë nuk mund të shtypen kurrë. Harroje! Gjysmë milioni njerëz të lirë janë më të guximshëm se shumë milionë të tjerë skllevër, njerëz të blerë apo të shitur. Ndaj dhe ne duhet t’u dalim zot me vendosmëri të madh aspiratave të votës së lirë të gjysmë milioni shqiptarë./ZËRI

1 MUAJ ME PARE

As Bujar Leskaj nuk e pranon humbjen: Fajin e ka diaspora, Rama si Putin i vogël

Humbi zgjedhjet! Berisha-drejtuesëve politikë në seli:
Bujar Lesku

TIRANË- Kreu politik i Partisë Demokratike të qarkut të Vlorës, Bujar Leskaj nuk e ka pranuar humbjen. Teksa u drejtua në selinë blu, pasi kryedemokrati Sali Berisha ka organizuar një takim pas rezultatit të zgjedhjeve. Leskaj e quajti kryeministrin Edi Rama një “Putin të vogël”, referuar presidentit rus Vladimir Putin, dhe se shqiptarët duhet të bashkohen. Po ashtu, edhe ai njëjtë si sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Flamur Noka, akuzoi pronarët e mediave se janë të “kapur” dhe të politizuara.

"Kjo është një humbje e një makinerie të pisët elektorale që përdori të gjithë resurset. Por, nuk është kjo çështja. Natyrisht ne do ta analizojmë, mandatin e 4 e humbëm nga votat e diasporës. Do ta analizojmë me përgjegjësi, me përgjegjshmëri, me ndershmëri dhe korrektes. Por, ju nuk duhet të harroni se Rama ka prishur çdo raport instuticional në Shqipëri. Ka shkatërruar instuticionet e shtetit, i ka vendosur në dispozicion të zgjedhjeve. I ka vënë në shërbim të një fushate elektorale jo të ndershme. Kjo është pasoja më e rrezikshme për shqiptarët. Unë jam krenar për të gjithë demokratët e Vlorës, për qindra mijëra të rinj, për ata të rinj, për ata demokratë qëndrestar që mbrojtën votën, që luftuan, që lexuan numëruan votën.

I dinim dhe i kemi deklaruar, i kemi shkruar, u përpoqëm që t'i paralajmëronim. Duhet të bashkohemi të gjithë kundër sektit Rama, që mos të shndërrohet si regjim, ai është shndërruar tashmë. Por, që të mos na nënshtrojë të gjithëve, duhet të bashkohemi të gjithë. Edhe ju si gazetarë. Ngacmoni pak edhe ata pronarët tuaj, shërbëtorë të Ramës. Unë kam respekt për ju, në veçanti për ju si gazetarë. Por ndaj kësaj të keqe që ky është një Putin i vogël ne duhet të bëhemi të gjithë bashkë. Ata të rinjtë që u larguanb nga FRPD i bleu Rama, ishin 4-5 veta. Ska asgjë, lëvizje ka njeriu”, tha Leskaj./ZËRI

1 MUAJ ME PARE

Noka përplaset me gazetarët: Juve ju dua shumë, por pronarët i keni...bajga!

Humbi zgjedhjet! Berisha-drejtuesëve politikë në seli:
Flamur Noka

TIRANË- Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka ka shpjeguar humbjen e partisë së tij në zgjedhjet e së dielës. Përpara se të hynte në takimin e kryedemokratit Sali Berisha me drejtuesit Politikë të Qarqeve, Noka tha se janë paguar shuma të mëdha parash për blerjen e votave. Sipas tij, një personi i kanë ofruar 10 mijë euro që në ditën e zgjedhjeve të mos dilte për të votuar PD-në. Po sipas tij, tregues për blerjen e votës ishin edhe fletët e votimit të diasporës dhe falja e gjobave.

“Administrata nuk funksionon në shërbim të qytetarëve, por qeverisë. Si shpjegohet që një keqqeverisje shkon lart e më lart, rriten vjedhjet dhe krimi dhe këta shtojnë votat. Kanë blerë dhjetëra mijëra karta për të ndenjur qytetarët në shtëpi. Më thoshte një miku im, kryetar i një dege, në Selenicë, po e pyesja për një fshat që unë e di që janë të djathtë. I thashë si shpjegohet. I thirra gjithë ditën në telefon, nuk me erdhën. Kur të nesërmen takova njërin nga anëtarët e fisit. Më tha më erdhën dhe me dhanë 10 mijë euro. Më thanë mos dil në votim. 10 mijë euro për fisin. O ka prova për këto vjedhje o nuk ka për të pasur më kurrë. E patë raportin e OSBE/ODIHR. 100 euro për pensionist dhe falja e gjobave nuk ishte blerje vote? A e patë te komisioni i numërimit të votave se fletët ishin të palosura njësoj dhe me të njëjtin stilolaps të shënuar nga e njëjta dorë,"-tha Noka.

Në një moment pati edhe përplasje me gazetarët, të cilët po i drejtonin pyetje duke akuzuar se pronarët e mediave ku ata punojnë janë të "kapur" nga kreu i qeverisë.

Flamur Noka: Mediat jo të lira thanë...ju jeni profesionistë, por pronarët i keni të tredhur. E di si është puna juaj...? Ju të medias keni një gjë. Shikoni tenderat dhe koncensionet që Edi Rama iu jep pronarëve tuaj. Unë ju dua shumë. Daniela të dua shumë...por media jote është bajgë! Hajduti kishte apo nuk kishte ndonjë faj. E dini thënien e Heminguej; ju viktimës i fusni plumbin e fundit.

Sot, drejtuesit politikë të qarqeve janë kërkuar për një takim në selinë blu me kryedemokratin Sali Berisha. Takimi vjen 2 ditë para protestës që ka thirrur opozita më 16 maj./ZËRI

Poll

MOS HUMB