Politikë

"Paketa e Maleve, prioritet"! Sulmi kibernetik ndaj Postës Shqiptare, Demo dhe institucioni: Shërbimet vijojnë normalisht!

Ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo, bëri me dije se gjatë mbledhjes u diskutua edhe për Paketën e Maleve, duke u ndalur specifikisht te tre bashki: Pukë, Bulqizë dhe Lezhë.

zh.ll
"Paketa e Maleve, prioritet"! Sulmi kibernetik ndaj Postës
ervin demo

TIRANË- Sot është zhvilluar mbledhja e qeverisë, ku ministrat do të raportojnë për vendimet e marra. Ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo, bëri me dije se gjatë mbledhjes u diskutua edhe për Paketën e Maleve, duke u ndalur specifikisht te tre bashki: Pukë, Bulqizë dhe Lezhë.

Ministri sqaroi se paketa e maleve, nuk është nisëm për zgjidhjen e pronësisë, ndërsa theksoi kushtet për çdo aplikant. Demo e cilësoi nismën, prioritet të qeverisë për zhvillimin e territorit.

“Paketa e maleve është më e gjerë se lokacioni lokal. Janë vetë bashkitë që vazhdojnë procesin në zonat ku e sheh të arsyeshme, janë ata që ndjekin procedurat. Paketa e maleve nuk është nisëm për zgjidhjen e pronësisë. Është instrument për zhvillimin lokal. Bëhet fjalë që një aplikant duhet të plotësojë dy kushte, duhet ta ketë zotëruar të paktën 10 vite, ose të jetë e tij, i kanë ndarë tokat, por që nuk ka letrat e nevojshme. Bashkia pasi bën verifikimet jep afat 45 ditë. Garancia më e madhe është bashkia, që të garantojë”, tha Demo.

Ministri u pyet edhe në lidhje me sulmet kibernetike ndaj infrastrukturës teknologjike të institucioneve, më i fundit ndaj Postës Shqiptare.

“Po zhvillohet një analizë e detajuar nga AKSHI, si dhe nga ekspertët e postës shqiptare. Të gjitha shërbimet e postës vijojnë normalisht. Do të presim raportin përfundimtar për atë që ka ndodhur në Postën Shqiptare. Bazuar edhe në të dhënat e institucioneve të rendit, Shqipëria ka bërë progres të madh në vitet e fundit”, theksoi ai.

Lidhur me incidentin kibernetik, ka reaguar edhe Posta Shqiptare, e cila bën të ditur se situata është vënë nën kontroll dhe janë marrë masat e menjëhershme. Në reagim, bëhet me dije se sipas vlerësimeve paraprake, nuk janë konstatuar dëmtime të të dhënave apo ndërprerje ndaj shërbimeve, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë. 

Reagim mbi incidentin kibernetik ndaj Postës Shqiptare:

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike informon opinionin publik se, më datë 25 mars 2026, është konstatuar një incident kibernetik që ka prekur infrastrukturën e teknologjisë së informacionit të Postës Shqiptare.
Bazuar në vlerësimin paraprak, nuk janë identifikuar të dhëna të enkriptuara apo të fshira, si dhe nuk janë konstatuar ndërprerje të shërbimeve si pasojë direkte e këtij incidenti.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, AKSK ka ndërrmarë të gjitha hapat e parashikuara nga procedurat operative të reagimit ndaj incidenteve, duke ngritur një grup të dedikuar pune, i përbërë nga ekspertë të sigurisë kibernetike. Ky grup ka nisur menjëherë punën në bashkëpunim të ngushtë me stafin teknik të Postës Shqiptare për:

* analizimin e thelluar të incidentit dhe verifikimin e çdo komprometimi të mundshëm;
* identifikimin e indikatorëve të komprometimit (IOC);
* analizën e log-eve dhe event-eve në sistemet kritike;
* izolimin dhe sigurimin e sistemeve, me qëllim parandalimin e çdo ndikimi të mëtejshëm.

Në kuadër të masave parandaluese dhe për të mundësuar një analizë të plotë teknike, disa shërbime janë vendosur përkohësisht jashtë funksioni nga vetë Posta Shqiptare, me rekomandim të Autoritetit. Aktualisht, të gjitha shërbimet publike janë rikthyer dhe janë funksionale për publikun.

Ndërkohë, në burime të hapura janë publikuar disa të dhëna të dyshuara si të eksfiltruara, të cilat po verifikohen për autenticitetin dhe burimin e tyre. Deri në këtë moment, sasia e të dhënave të mundshme të ekspozuara vlerësohet e kufizuar.

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike dënon çdo akt që cënon infrastrukturat kritike të informacionit dhe mbetet i përkushtuar në garantimin e integritetit, konfidencialitetit dhe disponueshmërisë së sistemeve të teknologjisë së informacionit në Republikën e Shqipërisë.

AKSK do të vijojë të informojë publikun në mënyrë transparente mbi zhvillimet e mëtejshme dhe do të publikojë një raport përfundimtar pas përmbylljes së analizës.

Për çdo informacion zyrtar, qytetarët dhe mediat ftohen t’u referohen vetëm kanaleve zyrtare të AKSK.

Disa ditë pas hakerimit të faqes së Kuvendit të Shqipërisë, grupi i “Homeland Justice” pretendon se ka sulmuar edhe sistemet e Postës Shqiptare. Përmes një mesazhi të ndarë në “Telegram”, “Homeland Justice” shkruan se disponon të gjitha të dhënat e Postës Shqiptare./ZËRI

Poll

MOS HUMB