
TIRANË- Kandidati i Partisë Demokratike në Kamëz, Arjan Hoxha ka nxjerrë një video të sekretares së kryebashkiakut të Kamëz, Rakip Sulit, Rajmonda Leçka. Në videon e publikuar nga Hoxha, sekretarja e kryebashkiakut shfaqet me letra në duar, që për kandidatin demokrat për deputet janë lista votuesish. Madje në një moment kapet duke bërë një shenjë me duar, numrin 5, që përkon me numrin rendor që mban Partia Socialiste në fletën e votimit.
Në momentin që demokratët i janë afruar, ajo kërcënon duke u shprehur: Ik andej se të zhduka fare. O pler!
MOMENTI ME VIDEO:
Lidhur me videon, Hoxha shprehet se gjatë gjithë ditës së sotme, e gjithë administrata e bashkisë ndodhet në çdo QV, ndërsa shton se edhe pse ka kontaktuar në telefon kreun e KZAZ Eni Bistri, sërish nuk është marrë asnjë masë.
“Videoja u regjistrua nga një pjesëtar i ekipit tim. Bëhet fjalë për QV e ngritur tek ish kopshti në qendër Kamëz. Njëra ishte sekretarja e Rakip Sulit, Rajmonda Lecka e tjetra punonjëse e policisë bashkiake. Ata janë pjesë e administratës së procesit zgjedhor. Në shkelje të hapur me ligjin bëjnë fushatë për PS-në. Ky nuk është rast sporadik. Gjatë gjithë ditës së sotme e gjithë administrata e bashkisë ndodhet në çdo QV, brenda ambienteve të tyre në shkelje të hapur të Kodit Zgjedhor duke u përpjekur të intimidojnë e ushtrojnë presion mbi votuesit. Kam njoftuar me telefon kreun e KZAZ Eni Bistri por ai nuk mori asnjë masë. Dhe duke parë që ai nuk mori asnjë masë, pamjet filmike i denoncova.Eni Bistri është dhe punonjës i bashkisë së Rakip Sulit. Gjatë gjithë ditës qytetarët ankohen se janë nënprension të administratës së Kamzës dhe patronazhistëve,”- tha Hoxha.
Po ashtu, lidhur me rastin, nuk ka ende asnjë reagim nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve./ZËRI