Politikë

'Inteligjenca artificiale dhe bitcoin', Berisha zbulon projektet e koalicionit “Shqipëria Madhështore”

bu shpreh se fokusi i tyre qëndron në shndërrimin e vendit në një epiqendër të teknologjive më të larta.

F.I
'Inteligjenca artificiale dhe bitcoin', Berisha zbulon projektet e
Sali Berisha

TIRANË- Teksa Partia Demokratike ka formuar koalicionin me 25 parti të tjera politike për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shpalosur disa nga projektet e “Shqipëria Madhështore”. Berisha në një deklaratë për mediat nga selia e PD-së, u shpreh se fokusi i tyre qëndron në shndërrimin e vendit në një epiqendër të teknologjive më të larta.

"Shqipëria madhështore nënkupton projekte të mëdha, si shndërrimin e vendit në një epiqendër të teknologjive më të larta. Data center-at, interneti 3, blockchain, Bitcoin, kriptomonedha dhe inteligjenca artificiale do të jenë pjesë e së ardhmes sonë,” u shpreh Berisha.

Më tej në fjalën e tij kryedemokrati ka numëruar punët e qeverisë së tij dukë thënë se Shqipëria e viteve 2005-2008 u bë Shqipëria e projekteve më të mëdha në fushën e teknologjisë në Europë, duke nisur nga interneti në vend. Berisha tha se në vitin 2013, Shqipëria arriti një penetrim interneti prej 63 përqind.

Sali Berisha: Shqipëria Madhështore mund të mos jetë Shqipëria e projekteve të mëdha. Unë e di se edhe ndaj këtij premtimi ka skeptikë. Por skeptikëve u rikujtoj se Shqipëria e viteve 2005-2008 u bë Shqipëria e projekteve më të mëdha në fushën e energjisë në Europë. A nuk ishte TAP projekti më i rëndësishëm dhe strategjik për energjinë në Europë? A nuk ishte Kaskada e Devollit projekti i hidrocentralit më të madh që po ndërtohej në kohën e vet? A nuk u firmosën 434 kontrata për hidrocentrale? A nuk kishte pra në këtë projekt madhështi, aq sa ftoj mediat të rrëmojnë në arkivat e tyre dhe të gjejnë se si opozita e asaj kohë dhe të tjerët talleshin, kur ne shpallnim Shqipëria superfuqi energjetike rajonale. Ku jemi sot? Ato projekte, ajo moto bëri që sot ato hidrocentrale të ndërtuara, të firmosura në atë periudhë, të përbëjnë bazën e rritjes së prodhimit të energjisë me 70 përqind. Shqipëria Madhështore nënkupton pra projekte të mëdha si shndërrimin e vendit në epiqendër të teknologjive më të larta, më të avancuara. Dataqendrave, internetit 3, blockchain, bitcoin, kriptomonedha, inteligjencë artificiale. Prapë, kërkoj nga mediat të rrëmojnë në të shkuarën e afërt të kësaj force politike që premton këto. Në vitin 2005, penetrimi i internetit në Shqipëri ishte 4.8 përqind. Në fund të vitit 2005 deklarova se do sjellim Shqipërinë në moshën dixhitale. Reagimi ishte përqeshje dhe nënqeshje, jo vetëm nga kundërshtarët, por edhe nga mediat. E vërteta është se në vitin 2013, Shqipëria arriti një penetrim interneti prej 63 përqind. Shqipëria u bë një nga vendet me aksesin më të lehtë në internet në botë. 1250 qendra u hapën në të gjithë vendin ku qytetarët mund të përdornin internetin falas. Pra, nuk u ndala në asgjë tjetër në këtë të shkuar, për të treguar se disa herë më madhështore do jetë Shqipëria e viteve që vijnë se ajo që unë citova. Se Shqipëria dhe shqiptarët janë të aftë të realizojnë projektet më madhështore dhe këtë e kanë faktuar.

Koalicioni “Shqipëria Madhështore” përmban 26 parti dhe drejtuesi do të jetë kryedemokrati Sali Berisha./ZËRI

Poll

MOS HUMB