Politikë

Ish-deputet i Partisë Socialiste, Arben Çuko zgjidhet prefekti i ri i qarkut të Fierit

Më herët, në detyrën e prefektit ishte komanduar Mbarime Isufaj.

k.m.
Ish-deputet i Partisë Socialiste, Arben Çuko zgjidhet prefekti i ri
Arben Çuko

FIER- Arben Çuko do të jetë prefekti i ri i Fierit. Vendimi është marrë ditën e djeshme, ku në krye të institucionit është vendosur Arben Çuko, ish-deputet i Partisë Socialiste në Lushnje dhe ish-drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve. Më herët, në detyrën e prefektit ishte komanduar Mbarime Isufaj.

Arben Çuko ka qenë deputet i PS-së për zonën e Lushnjës nga viti 2009 deri në vitin 2017, teksa më pas u emërua në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Por u vendos në pranga në kuadër të operacionit të Policisë së Shtetit, i koduar “VOL-VO 4”, ku u godit grupi i "Avdylajve" me bazë në Durrës. Nga përgjimet u zbulua se Çuko rezultoi se favorizoi në këmbim të ryshfetit një të dënuar për të lëvizur nga një burg në një tjetër.

Personi që u favorizua nga Çuko ishte Olsi Karagjozi, një vrasës me pagesë, të cilit iu bë e mundur që të mbante një telefon në burg në këmbim të 3000 euro që pagoi. Çuko u arrestua më 21 tetor të vitit 2018, ndërkohë që ishte shkarkuar nga detyra si drejtor i burgjeve vetëm pak ditë më parë (më 3 shtator) me urdhër të Ministrisë së Drejtësisë. Gjatë procesit gjyqësor tek "Krimet e Rënda", akuza ndaj tij ndryshoi nga “korrupsion i zyrtarëve të lartë” në “moskallëzim krimi”.

Gjatë karrierës së tij, Arben Çuko ka mbajtur dhe poste si komandant i Gardës së Republikës, këshilltar i presidentit të Kosovës për sigurinë dhe prej Qershorit të vitit 2023 ishte këshilltar i ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja. Së fundmi, pas shumë kohësh u rishfaq në publik për shkak se u kërkua që të dëshmonte në Prokurorinë e Posaçme SPAK për ngjarjet e ndodhura në 21 janar, pasi ishte një nga organizatorët e protestës së opozitës asokohe. 

Por tashmë, ka një detyrë të re, të jetë prefekti i qarkut që i dha 2 mandate në Kuvendin e Shqipërisë./ZËRI

Poll

MOS HUMB