
TIRANË- Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Arben Çuko është thirrur për të dëshmuar në SPAK lidhur me dosjen e "21 janarit". Pasi doli nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Çuko ndau për mediat e pranishme lajmin se ishte thirrur për të dhënë dëshminë e tij si protestues në ditën që u vranë 4 persona.
"Isha për 21 janarin, unë u pyeta si protestues. Isha në cilësinë e atij që kishte dijeni. Ka 4 veta të vrarë që nuk mund të lihen kaq kollaj në harresë,"-tha ai sapo doli nga ambientet e SPAK.
Javën e shkuar për të njëjtën çështje u paraqitën në SPAK deputeti i PS-së, Xhemal Qefalia dhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.
-
-
Ish-ministri Saimir Tahiri në SPAK: U pyeta për 21 janarin
1 Nëntor, 09:28
SPAK ka nisur hetimet për vrasjen e Aleks Nikës, si dhe plagosjen e shtetasve Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa në protestën e 11 Janarit të vitit 2011, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Procedimi penal është regjistruar për veprat penale: “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në bashkëpunim, kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave; “Shpërdorim i detyrës”, e kryer në bashkëpunim dhe “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, e kryer në bashkëpunim.
Hetimet për 21 janarin 2011 nisën pas kërkesës së familjarëve të Aleks Nikës, të cilët kërkonin që këtë çështje ta hetonte SPAK. Alfred Shehu është prokurori i SPAK, i cili do të hetojë çështjen e 21 janarit. Në mesin e personave që akuzohen nga familja si përgjegjës për vrasjen e Aleks Nikës, janë edhe drejtuesit më të lartë të shtetit, ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-ministri i brendshëm Lulzim Basha./ZËRI