Politikë

Edhe pse po divorcohet, sërish Monika Kryemadhi i del në krah Ilir Metës: E ndaluan në mënyrë çnjerëzore

Edhe pse është në proces divorci me të, Kryemadhi komenton edhe pamjet e arrestimit të presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

k.m.
Edhe pse po divorcohet, sërish Monika Kryemadhi i del në krah Ilir
Monika Kryemadhi

TIRANË- Ish-kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka reaguar sërish për akuzat që ka ngritur ndaj saj Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Kryemadhi është nën akuzë për veprat penale: pastrim parash; korrupsion dhe mosdeklarim të ardhurash. Pasi është njohur me akuzat e ngritura ndaj saj, bashkëshortja (tashmë në proces divorci) e Ilir Metës, ka reaguar sërish duke u shprehur se akuzat ndaj saj janë ngritur nga disa persona që ajo i cilëson si " kallëzues shpifarakë", me qëllim për të 'vrarë' aksionin e opozitës. Edhe pse është në proces divorci me të, Kryemadhi komenton edhe pamjet e arrestimit të presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

"Krimet mostruoze transnacionale të Edi Ramës dhe miqve të tij, përdorues të rregullt të SKY dhe ECC, nuk mund të amnistohen me pamjet e shëmtuara të ndalimit çnjerëzor të ish-Presidentit të Shqipërisë në mes të rrugës,"-shkruan ajo. Ndërsa paralajmëron se ka nisur nga puna për të mbrojtur veten në gjykatë, duke paralajmëruar edhe gjykim jashtë vendit.

"Kam udhëzuar ekipin e mbrojtësve të mi ligjor për të demontuar këtë farsë në çdo gjykatë brenda dhe jashtë vendit. Si kam deklaruar dhe më parë do të përballem me drejtësinë pa asnjë hezitim me të vërtetën time dhe procedurat ligjore brenda e jashtë vendit,"-tha Monika Kryemadhi në fjalën e saj.

POSTIMI I PLOTË:

Të dashur qytetarë shqiptarë, miq dhe dashamirës të opozitës shqiptare dhe të familjes tonë. Ju falenderoj përzemërsisht për të gjitha mesazhet e solidaritetit gjatë kësaj paradite. Vetëm para pak minutash më është vënë në dispozicion fermani i gjykatës politike të Edi Ramës. Dhjetra faqe me fjali boshe për të justifikuar akuzat e rreme të disa kallëzuesve shpifarakë, atentatorë në tentativë për të vrarë aksionin e opozitës shqiptare në tërësi. Krimet mostruoze transnacionale të Edi Ramës dhe miqve të tij, përdorues të rregullt të SKY dhe ECC, nuk mund të amnistohen me pamjet e shëmtuara të ndalimit çnjerëzor të ish-Presidentit të Shqipërisë në mes të rrugës. Vjedhjet shtetërore mafioze si ajo e inceneratorëve që vazhdojnë përditë dhe në çdo sektor, nuk lahen dot me gjyqet publike që mund ti bëjnë drejtuesve të opozitës shqiptare, përmes procesve gjyqësore pa prova dhe pa fakte. Krimet e disa prokurorëve të prokurorisë speciale, që nuk guxojnë të përmendin emrat Edi Rama dhe Erion Veliaj, duke i amnistuar dhe duke ju nënshtruar pushtetit në kundërshtim me rolin e tyre ligjor si prokurorë të Republikës, kur Rama e Veliaj krimet i kanë kryer dhe i kryejnë duke lënë gjurmë në shkresa shtetërore, nuk mund të amnistohen edhe nëse zyrtarët-ushtarë të drejtësisë ngrejnë akuza politike ndaj çdo deputeti të opozitës në Kuvend, apo drejtuesi partie opozitare. Ju siguroj se, pavarësisht të gjithë gjyqit politik dhe publik, unë kurrë nuk do të ndalem.Ju konfirmoj se po, gjykata politike e Edi Ramës ka marrë për mua vendimin për detyrim paraqitje. Kam udhëzuar ekipin e mbrojtësve të mi ligjor për të demontuar këtë farsë në çdo gjykatë brenda dhe jashtë vendit. Si kam deklaruar dhe më parë do të përballem me drejtësinë pa asnjë hezitim me të vërtetën time dhe procedurat ligjore brenda e jashtë vendit

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta akuzohet për 3 vepra penale: korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurish. Por Meta nuk është i vetmi që ka rënë në rrjetën e SPAK. Në “arrest shtëpie” është caktuar Pirro Xhixho (babai i Erisa Xhixhos), ndërsa Monika Kryemadhi dhe Ema Çoku janë lënë në “detyrim paraqitje”./ZËRI

Poll

MOS HUMB