
DURRËS- Kryeministri Edi Rama ka mbledhur sot në Durrës kryetarët e bashkive të gjithë vendit. Qëllimi ishte vetëm një; vendosja në dukje e problematikave që kishte vënë re gjatë 'kontrolleve' që ka bërë në secilin qytet të vendit. Për të gjithë problematikat e pikasura, Rama ka një zgjidhje: Të gjithë kryetarët e njësive administrative të Shqipërisë duhet të shkarkohen.
“Të gjithë kryetarët e njësive duhet të shkarkohen, të gjithë. Kryetarët e njësive administrative të Republikës së Shqipërisë duhet të shkarkohen, për t’iu dhënë mundësia të tjerëve që të tregojnë se mund të jenë më mirë se ata,”-tha Rama duke shpjeguar se asnjë prej tyre nuk e ka bërë detyrën siç duhet për të evidentuar dhe t'i dhënë zgjidhje të gjitha problematikave.
Ndër të tjera në fjalën e tij në nisje të këtij takimi, Rama shprehet se qeveria vjen pas një fitoreje historike me 83 mandate, gjë e cila ngarkon me një barë më të madhe. Por shtoi se rritja e turizmit, nxori në pah dobësinë e pushtetit vendor. Si shembull për këtë rast mori Bashkinë e Vlorës.
"Pak kohë më parë kemi marrë 83 mandate, një rekord historik për një forcë politike që na ngarkoi me një barrë shumë të madhe se ajo që kemi pasur pasi tregojnë një besim të madh, nga ana tjetër janë edhe një test i karakterit tonë. Sot qytetet e mëdha dhe qytetet me një ngarkesë të posaçme të fluksit turistik të Shqipërisë, ku dobësia e pushtetit vendos ka dalë në pah edhe si rezultat i një ndryshimi shumë të madh të gjithë mënyrës së funksionimit të vendit për shkak të faktit se vendi tanimë nuk mban vetëm banorët e vetë, por edhe një ngarkesë ekstra turistësh dhe vizitorësh që vjen në rritje, sjell me vete sfida të reja të komplikuara dhe ngarkesa të mëdha ekstra për pushtetin vendor, një nga gjërat që vihet re është biznesi që ka kapërcyer kufijtë e veprimtarisë në formën e daljes përtej tyre edhe të zaptimeve të territorit, ashtu edhe ndërtimeve pa leje në territore ku vëmendja është më e vogël apo si në Vlorë ku kryetari i bashkisë apo struktura i kanë sytë gjysmë të hapur dhe gjysmë të mbyllur,"-tha ndër të tjera në fjalën e tij Rama.
Për të përforcuar fjalën e tij përmendi edhe ndërtimet pa leje në Theth.
"Është bërë një pikë qendrore e diskutimeve ajo që ka ndodhur në Theth ku gjatë periudhës së zgjedhjeve ose në muajt para dhe gjatë zgjedhjeve ka pasur një bum ndërtimesh pa leje si rezultat edhe i përgatitjes së sezonit turistik. Jo një, por rreth 40 denoncime. Në një aspekt Policia e Shtetit ka funksionuar. Në mes të Thethit, prokurorja me mbiemrin Gjeli ka vendosur mosfillimin e hetimeve. Ka refuzuar të shohë se për çfarë bëhet fjalë dhe ka bërë një ese filozofike për ndërtimet pa leje. Ndërtimi pa leje në një zonë të mbrojtur si Thethi është një vepër më e rëndë. IKMT-ja ka filluar të veprojë, qoftë edhe në territore të tjera,"-shtoi Rama. Por shtoi se edhe për ndërtimet pa leje kanë menduar një sistem kontrollimi që do të quhet Qendra e Monitorimit të Ndërtimeve, e cila do të jetë e pajisur 24 orë dhe e GPS.
Rama: Duhet një qasje me legalizimet. Jemi në kushte ku nuk mund të mbetemi vetëm tek sytë e njerëzve në territor kur tanimë po i bëjmë gjërat bashkë për të pasur një kontroll teknologjik për territorin, të na garantojë punën si qendra e monitorimit të trafikut, tërësisht, e njëjta gjë duhet të ndodhë me territorin, inspektimi për ndërtimet duhet të mbështet nga satelitë që i kemi, dronët, dhe një strukturë të dedikuar, të ndërtojmë qendrën e moinitorimit të ndërtimeve.
Por jo vetëm ndërtimet pa leje kanë nevojë për zgjidhje. Në fokus është edhe shpërndarja e ujit, që gjithashtu do të rregullohet me reformë.
"Është koha për operator kombëtar të sistemit të shpërndarjes së ujit, që në adresë një çështje jetike, sikurse është çështja e furnizimit me ujë. Mund ta përfytyroni një zyrë drejtori ujësjellësi me 30 këshilltarë, me 30 vetë staf? Nuk ka zyra ime as çerekun. Mund ta përfytyroni një drejtor UKT me 30 veta në zyrë. Kështu ishte në Tiranë. Çudira ka pasur shumë, ka më pak tani, por prapë ka tepër se Shqipëria nuk ka luksin të presë që të gjithë të bëjnë punën siç duhet,"-sqaroi numri një i qeverisë.
Edhe pse në pranishëm në takim ishin edhe krerët e Bashkive të partive të opozitës, numri një i qeverisë nuk kishte asnjë koment për ta. Por nuk ishte i njëjti qëndrim që mbajti me të parët e Bashkive të Elbasanit dhe Vlorës, Gledian Llatja dhe Ermal Dredha. Për të dy, nuk i kurseu kritikat lidhur me detajet që u kanë shpëtuar teksa ishin në krye të detyrës.
"Bari i varrezave në Elbasan mund të bëhet kallam, mund të marrë flakë kollaj. Nëse bari është i qethur si duhet, edhe zjarri nuk merr qiellin, se është e pakonceptueshme të ndodhin gjëra që do t’i faleshin kryetarit të bashkisë së Elbasanit. Nëse Elbasani do të ishte sa Shangai, do ishte ndryshe, por është një qytet që mund ta përshkosh me këmbë çdo ditë. Dhe të mos dijë kryetari i bashkisë së çfarë ndodh… Edhe në Bashkinë Elbasan, edhe Lushnjë duhet bërë e njëjta gjë siç u bë me shkarkimin e plotë të drejtorëve me dorëheqje në Vlorë, duhet shkundur e gjithë kjo pemë, sepse 10 mandate në Elbasan kryetar janë një barrë që mua më ka marrë edhe ato orë që flija. Duhet të të lënë pa gjumë ty, jo të flesh më shumë. Edi Rama: Në majën e Pilurit, që duhet zemër të ngjitesh, atje e gjetën njërin duke ndërtuar. Poshtë në breg ku ndërtohen resortet, merret dheu nga kantieri dhe bëhet deti sikur është lumi i Lanës. Nuk kemi 4000 metra bregdet që të kemi luksin që të ndërtohet dhe të abuzohet më shumë se në të shkuarën. Nëse angazhojmë arkitektët më të mirë dhe angazhojmë strukturat më të mira në çdo bashki, mund të bëhet një punë shumë e mirë. Ishte atje ndërtesa 500 metra në shkëmb, mbi kokën e Ermal Dredhës, kjo nuk është e mundur të mos ketë informacion. Kontrolli mbi territorin, pastërtia, respekti mbi lejen e ndërtimit, pamundësia për të ndërtuar pa leje duhet të jenë pjesë e punës së përditshme të policisë, të bashkisë. Nëse një kryetar bashkie do të dijë se çfarë ndërtohet, e mëson menjëherë,"-kritikoi Rama.
Por jo për të gjithë kishte kritika, kishte dhe shembuj që i mori për mirë.
Rama: Mund ta di pse bashkia e Cërrikut i përpunon të gjitha mbetjet e fshatit i kthen në produkt prashitje? Pse nuk e kanë të tjerët? Më duket e ka bërë edhe Roskoveci, s’është inovacion që ka ndodhur në Japoni, dhe akoma nuk e ka marrë Italia dhe ne po presim. Pse nuk vrapon ti në Cërrik si ta bësh edhe ti në Elbasan? Pse duhet të rrimë të presim, kërkojmë fonde nga qeveria.
Gjatë diskutimit me kryebashkiakët në Durrës, kryeministri i vendit, Edi Rama, paralajmëroi se punë ditësh ose javësh do të dalin çmimet e reja të referencës për pronat. Ai theksoi se nga ky proces prona e dytë do taksohet më shumë. Sipas Ramës, kjo do t’ju vijë në ndihmë bashkive, që të kenë më shumë të ardhura.
“Ndërkohë kam një gjë për të shtuar dhe ministri mbase mund të më plotësojë. Punë ditësh ose javësh, do dalin çmimet e reja të referencës, Ato do kenë dhe një element tjetër të ri, që taksa për shtëpinë e dytë do jetë më e madhe sesa për shtëpinë e parë. Kështu që, bashkitë, sidomos ato të bregdetit, do ketë një të ardhur të shtuar nga ky proces pasi shumë njerëz në bregdet kanë shtëpitë e dyta. Por, nga ana tjetër, duke marrë parasysh që çmimet e referencës rritën në mënyrë të konsiderueshme dhe e bëjnë jo të vogël taksën e pasurisë, që do të thotë se kush do ta menaxhojë taksën e pasurisë mirë do ketë të ardhura shumë më tepër, sepse ajo është baza kryesore në të gjithë bashkitë e botës. Në disa bashki kemi taksa lokale eksesive në disa, gjë që nuk na bën sens. Ne e kemi bërë zero taksën e biznesit të vogël, ndërsa në disa bashki taksa e tavolinë, taksa e tabelës. Kush ka shtëpi në bregdet, do duhet të paguajnë më shumë,”- tha Rama.
Kjo u konfirmua edhe nga ministri i Financave, Petrit Malaj./ZËRI