
TIRANË- Kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili kaloi natën në bllokun e sigurisë te 'Mine Peza', është vizituar mëngjesin e sotëm nga Drejtori Juridik i Bashkisë Tiranë, Alban Dokushi. Zyrtari i Bashkisë shihet duke mbajtur në duar disa dokumente dhe librin “The Black Swan”, të cilin mesa duket ia ka dërguar Veliajt për ta lexuar në paraburgim. Por për çfarë flet libri?
Libri "Mjellma e zezë" përfaqëson të gjitha ngjarjet e papritura në jetën tonë, gjëra që nuk do ta kishim menduar se mund të ndodhnin. Autori na tregon se si duhet të përshtatemi dhe të qasemi ndaj këtyre situatave. Libri flet për një qasje ndaj jetës që përfshin pasigurinë.
Gjithashtu në bllokun e sigurisë “Mine Peza” është paraqitur edhe avokati i tij, Henrik Ligori. Erion Veliaj do të paraqitet nesër (12 Shkurt) në GJKKO për t’u njohur me masën e sigurisë.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025, me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa është lënë në “arrest shtëpie”. Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa akuzohen për korrupsion pasiv në 9 raste. Sipas SPAK, përmes 8 bizneseve dhe OJF të Xoxës dhe të Elman Abules, i cili po ashtu u arrestua me urdhër të SPAK, u gjeneruan 1.1 mln euro. Në "detyrim paraqitje" janë lënë edhe 5 biznesmenë: Gentian Sula; Fatmir Bekteshi; Shkëlqim Fusha; Sokol Kryeziu dhe Meriman Palushi. Paratë siguroheshin nga ryshfeti që dhanë 5 biznesmenët për leje ndërtimi dhe fonde publike. Nën hetim edhe Klotilda Bushka, e cila akuzohet për pengim të zbulimit të së vërtetës./ZËRI