TIRANË- Debate të ashpra shpërthyen sot në Kuvend, ku fokusi i diskutimeve ishte çështja e Zvërnecit. Deputeti i partisë Mundësia, Erald Kapri, i kërkoi dorëheqjen kryeministrit Edi Rama dhe ministrit Lamallari për zhvillimet e djeshme gjatë protestës në Tiranë.
Kapri akuzoi qeverinë, duke kërkuar që kryeministri Rama të dalë dhe të japë përgjigje në Kuvend për çështjet e ngritura nga opozita. Ai kërkoi gjithashtu përgjegjësi edhe për ministrin Lamallari lidhur me pretendimet për përdorimin e dhunës ndaj protestuesve në Rrjoll.
"Guximi juaj për të shkelur rregulloren është përtej imagjinatës. Mohoni nene e Rregullores, neni 95, ku thuhet se të mërkurave është seancë pyetje-përgjigje. Kemi bërë pyetje për Ramën dhe ai duhet të vijë këtu të japë përgjigje, kjo nuk delegohet dot.
Nuk e mbani seancën e të mërkurës që Rama të japë llogari këtu. Kemi sjellë kërkesën në Kuvend. Ju lutem silleni në momentin më të parë të mundshëm në Kuvend.
E dyta kemi bërë kërkesë edhe për ministrin, për dhunën e ndodhur në Rrjoll. Rama tha dje jemi në luftë hibride, dil jep llogari nga kush po sulmohemi meqë drejton anti-terrorin.
Në ’90 Rama e mbushi Tiranën me “Enver Hitler” dhe Ramiz Alia nuk bëri gjë. Dje sulmuat qytetarët me ujë me piper, nuk e mbajti dot gardhi protestën. Lejini dopio-standardet jep dorëheqjet nëse ke guxim!", tha Kapri.