Politikë

“Komision hetimor për Portin e Durrësit”/ Bardhi-PS: S’ju konkurrojmë dot në vjedhje! Peleshi: E gjykon 'Kushtetuesja'

Gazment Bardhi u shpreh se maxhoranca është kundër ngritjes së Komisionit për shkak se jep tendera pa garë.

k.m.
“Komision hetimor për Portin e Durrësit”/ Bardhi-PS:
Gazment Bardhi dhe Niko Peleshi

TIRANË- Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve në Kuvendin e Shqipërisë është zhvilluar mes debateve nga maxhoranca dhe opozita. Në takimin e sotëm është diskutuar për propozimin e Partisë Demokratike për ngritjen e një Komisioni Hetimor për projektin e Portit të Durrësit. Gjatë mbledhjes, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi u shpreh se maxhoranca është kundër ngritjes së Komisionit për shkak se jep tendera pa garë. Sipas tij, PD ka dalë në krah të qytetarëve, ndryshe nga maxhoranca që e ka përqënduar ekonominë në "5 duar".

“Ne nuk jemi kundër biznesit siç ju thoni. E kundërta, ajo që bëni ju është kundër biznesit. Jepni koncensione, tendera e leje pa garë. I jepni duke ngrëne qofte e mish në Tiranë e Dubai. Ne jemi që ekonomia të jetë garë e konkurrueshmëri e jo shije e një personi apo peshqesh në duart e 5 personave. Në populizëm dhe në vjedhje të grupit të struturuar kriminal nuk ju konkurrojmë. Kjo është fusha juaj. Ne kujdesimi për qytetarët dhe jemi krah shqetësimit dhe interesit të tyre,”-është shprehur Bardhi.

Nga ana tjetër, përgjigjen e mori nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshi. Ky i fundit pretendon se kërkesa e depozituar nga deputetët e opozitës është formuluar dhe interpretuar ndryshe nga Bardhi. Për socialistin, Kuvendi i Shqipërisë nuk mund të ngrejë një Komision për të hetuar veten, pasi kjo është detyrë dhe kompetencë e Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë për të, procedurat e projektit “Marina & Jahtet e Durrësit” kanë kaluar të gjitha hapat e kontrollit parlamentar gjatë miratimit në Kuvend.

"Në përgjigje të kërkesës së 35 deputetëve të opozitës për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për kontrollin e ligjshmërisë në procedurat e: Miratimit të projektit “Marina & Jahtet e Durrësit”; Shitjes së koncesionit të menaxhimit të portit kompanisë Schapha d.o.o.; Ndërtimit të portit të ri në Porto Romano. Së pari, kërkesa e depozituar nga deputetët e opozitës është formuluar dhe interpretuar ndryshe nga Z. Bardhi. Në thelb, kërkesa është për kontrollin e ligjshmërisë së procedurave, ndërsa Z. Bardhi e interpretoi atë si të lidhur me efektet e zbatimit të kontratës, duke e trajtuar kërkesën si të gabuar në mënyrë të tërthortë. Parlamenti nuk mund të ngrejë një komision hetimor për të kontrolluar vetveten, pasi këtë kompetencë, sipas Kushtetutës, e ka Gjykata Kushtetuese. Është e njohur që Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë ligjshmërinë e këtyre procedurave në janar. Ngritja e komisionit hetimor në këtë rast shkel hapësirën kontrolluese të Gjykatës Kushtetuese dhe tejkalon kompetencat e Kuvendit. Ky duket si një veprim politik në prag të zgjedhjeve, për të krijuar një situatë të pavërtetë dhe të paqëndrueshme. Gjithashtu, është fakt që procedurat e këtij projekti kanë kaluar të gjitha hapat e kontrollit parlamentar gjatë miratimit në Kuvend. Së fundmi, periudha zgjedhore kufizon funksionimin e komisioneve hetimore, pasi Parlamenti “ngrin” gjatë kësaj kohe, duke e bërë të pamundur ngritjen dhe funksionimin e komisionit në kushtet e propozuara,"-tha ndër të tjera Peleshi.

Ministri i shtetit për marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, ka argumentuar se çështja ndodhet në Gjykatën Kushtetuese dhe ngritja e një komisioni hetimor do të përbënte interferencë.

“Ju keni kërkuar 6 muaj hetim, por nuk ka kohë. Ne kthehemi më 20 janar, pastaj ikim në mars dhe kthehemi në maj,”-tha Balla, duke nënvizuar se periudha e kërkuar për hetim nuk përputhet me kalendarin parlamentar.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar në Kuvend kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor për të kontrolluar ligjshmërinë e procedurave të miratimit të Projektit të “Marina dhe Jahtet e Durrësit’. Në kërkesën e demokratëve, theksohet se pjesë e objektit të hetimit të Komisionit parlamentar duhet të jetë shitja e koncensionit të menaxhimit të portit kompanisë "Schapha d.o.o", po ashtu kërkohet dhe verifikimi i procedurave për ndërtimin e Portit të ri në Porto Romano./ZËRI

Poll

MOS HUMB