
TIRANË-Partia Socialiste kaloi në Komisionin e Ekonomisë projektligjin për faljen e gjobave për ndërtimet pa leje. Pas diskutimeve të ditës së sotme, ku u shpjeguan edhe modalitetet e këtij projektligji që përfshin dhe prek rastet duke nisur nga 1 Janari 2015, në fund u votua nga deputetët e Komisionit. Ligji u diskutua edhe në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve ditën e sotme, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla.
Në fjalën e tij ministri Balla vlerësoi praktikën e mirë që Kuvendi ka ndjekur, duke ngritur një grup pune, i cili punoi gjatë për të hartuar një politikë të tillë.
“Si përfaqësues i Këshillit të Ministrave dhe në emër të ministrive dua të shpreh dakordësinë tonë në parim sa i përket miratimit të këtij projektligji, për anulimin e masave administrative”, tha ministri gjatë fjalës së tij në Komision.
Deputeti Erion Braçe shtoi se përfitues do të jenë edhe individët që jetojnë në qytet, në njësi individuale banimi dhe jo në pallat.
“Të anulohen masat administrative të vendosura edhe në zona urbane për qëllime strehimi individuale, jo pallat. Për shtëpi banimi që përdoren për qëllim strehimi individual. Nuk kemi të bëjmë me amnisti. Kur anulohet gjoba, anulohet gjithçka, edhe me interesat e përmbaruesit. Fshati është në vështirësi dhe kërkojmë një lehtësi në fshat. Nuk është anulimi i masave administrative akti i parë. Sepse nga qershori i 2022 janë ndryshuar të gjitha rregullat e vendosura dhe që kanë shtrënguar marrjen e një leje ndërtimi në fshat. Objektet me natyrë blegtorale në zonën urbanen nuk përfshihen te falja sepse ato zona duhen urbanizuar. Nuk mund të kemi stalla brenda një zone komunitare”, tha Braçe.
Opozita nga ana tjetër përsëriti se kjo është një nismë elektorale, ndërsa propozoi edhe disa kategori të tjera që mund të falen.
"Ka nevojë të ndërhyhet për disa kategori: ka detyrime të prapambetura për energjinë dhe ujin për grupet vulnerabël. Mendoj që penalitetet dhe gjobat në këtë rast, duhet t’i falim, ka shkelje të lehta administrative, si mosparaqitja në kohë e dokumenteve, ka gjoba që janë vendosur në mënyrë abuzive, siç bëhet fjalë për gjobat e Bashkisë së Tiranës tani. Kur propozojmë një projektligj, nuk duhet të jetë diskriminues për kategoritë në nevojë dhe për ata që kanë paguar gjobën. Ka hapësirë dhe vend për të shtuar edhe disa kategori që unë propozova”, tha deputetja demokrate Jorida Tabaku.
Të enjten ai pritet të kalojë edhe në Parlament për diskutim dhe më pas miratim. Ministri Taulant Balla kërkoi që Kuvendi të marrë dakordësinë e Presidentit, që të hyjë në fuqi menjëherë ligji.
Projektligji për faljen e gjobave u propozua në Parlament nga Partia Socialiste seancën e mbajtur në 5 dhjetor dhe u kundërshtua ashpër nga opozita. Drafti u firmos nga 40 deputetë, ndërsa opozita akuzoi mazhorancën se ligji po hartohej në moment dhe nuk kishte asnjë shkresë.
Çfarë përfshin projektligji
Ligji prek ata që janë gjobitur për ndërtime dhe ndërhyrje në shtëpi banimi deri te personat e gjobitur gjata pandemisë për shkelje të rregullave anti-covid. Në projektligj parashikohet që të anulohen të gjitha masat administrative të paekzekutuara, të vendosura nga data 1 janar 2015 deri në 30 nëntor 2024 në zonat rurale për sa i takon masave administrative vendosur nga Inspektoriatet Vendore të Mbrojtjes së Territorit, Inspektoriatit Qëndror i Mbrojtjes së Territorit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
Në zbatim të nenit përfitojnë “të gjitha subjektet të cilët kanë bërë ndërtime dhe ndërhyrje në shtëpi banimi në zonat rurale, ndërtime dhe ndërhyrje në objekte ku kryhen veprimtari të prodhimit, magazinimit, përpunimit, ruajtjes dhe tregtimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale, mbajtjes të mjeteve të punës e inputeve bujqësore dhe blegtorale./ZËRI