Politikë

Komisioni Rregullator 'vulosi' 11 majin! PD nuk do Zegjine Çaushin në Kuvend: Jemi kërcënuar

Vukaj hodhi akuza të fortë për përfaqësuesit e PS-së, në Komisionin Rregullator, të cilët sipas saj i kanë kërcënuar për të votuar siç ata kanë dashur.

F.I
Komisioni Rregullator 'vulosi' 11 majin! PD nuk do Zegjine
Zegjine Çaushi dhe Helga Vukaj

TIRANË-Komisioni Rregullator i mbledhur sot certifikoi rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit, duke i hapur kështu rrugën Presidentit Bajram Begaj të thërrasë seancën e parë të Kuvendit. Dy anëtarët e Komisionit Rregullator të mandatuar nga opozita, votuan kundër rezultatit duke akuzuar partinë në pushtet për abuzime, përfshi edhe votën e diasporës. 

Çakaj tha se Komisioneri Shtetëror ka ndjekur dy standarde të ndryshme kur ishte rasti i Zegjine Çaushit që u fut në Kuvend dhe kandidatëve të koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet. Ndërkohë anëtarja tjetër e propozuar nga opozita, Helga Vukaj hodhi akuza të fortë për përfaqësuesit e PS-së, në Komisionin Rregullator, të cilët sipas saj i kanë kërcënuar për të votuar siç ata kanë dashur.

DISKUTIMI:

Muharrem Cakaj: Në listën e Fierit, Komisioneri ka miratuar dorëheqjen e kandidates për deputete, Maldrita Bardha dhe ka hyrë kandidatja Zegjine Caushi. Referuar Kodit Zgjedhor, emrat në listën e kandidatëve nuk ndryshohen pas miratimit nga KQZ. Marrëveshjet kolektive apo deklaratat paraprake nuk përbëjnë shkak për ndërprerjen e mandatit. Mandati sipas kushtetutës ndërpritet pasi është fituar. Komisioni i cili i vë vulën rezultatit është Komisioni Rregullator. Si mund të heqësh dorë nga mandati që nuk e ke fituar? Ndërkohë që në rastin e koalicionit Shqipëria Bëhet është mbajtur tjetër standard.

Drejtoresha e KQZ: KQZ ka mbajtur të njëjtin standard për shpërndarjen e mandateve të deputetëve. Mandati fillon ditën kur e shpall komisioni i Zgjedhjeve, pra jemi ne.

Cakaj: Po pra po, atë u lexova dhe unë por komisioni përkatës i zgjedhjeve nuk është Komisioneri Shtetëror, është Komisioni Rregullator. Si mund të japësh dorëheqjen nga një gjë që nuk e ke fituar.

KQZ: Komisioneri ka pranuar dorëheqjen, ku Zegjineja është futur në vend të Maldritës kur do ti kalonte mandati. Është aplikuar neni 71, pika 1 e Kushtetutës.

Helga Vukaj: Paraardhësi juaj (i drejtohet përfaqësueses së PS në Komisionin Rregullator Elena Xhina) solli precedentin më të keq në historinë e KQZ-së, arriti dhe guxoi të na kërcënonte haptas ne dy anëtarëve, në imponim të dëshirës së tij apo vullnetit të tij partiak për të votuar sicc donte ai për zgjedhjet e Himarës. Kjo ishte e rëndë.

Muharrem Cakaj: Mandati i deputetit fillon ditën që rezultati shpallet nga KQZ. A mund të ushtrojë detyrën e deputetit një deputet vetëm me vendimin e Komisionerit pa kaluar nga Komsioni Rregullator? E merr dot Presidenti vendimin për thirrjen e Kuvendit? Jo. Vota ime është kundër këtij propozimi. Do të doja shumë pas 5 vitesh që së paku njëherë KQZ, partitë politike dhe e gjithë politika të kishte plotësuar standardet zgjedhore. KQZ është kthyer në një KQZ tenderash. Përballë potencës së maxhorancës, kemi një KQZ impotente. Por kur vjet puna te tenderat, KQZ bëhet aq potente saqë i bën tenderat edhe me negociim të drejtpërdrejtë.

Helga Vukaj: A janë të vërteta këto shifra? A vijnë ato sipas një procesi real, të një vote të pacenuar, a u kryen të gjitha procedurat ligjore siç parashikon Kodi Zgjedhor? Aspak! Administrata e KQZ është e njëanshme, e partizuar dhe e sugjestionuar nga jashtë për të ndjekur interesat e partisë-shtet. Shikoni mbledhjet tona kur kemi ekspozuar shkelje të natyrave të ndryshme apo kapje të momenteve kur administrata merrte përsipër të dilte mbi komisionin rregullator me qëllim që procesi i votës nga jashtë të ishte ashtu sicc donin të ishte.

Nga zgjedhjet e 11 majit, Partia Socialiste mori 83 mandate, Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore 50 mandate. Partia Socialdemokrate tre deputetë, Mundësia dy, ndërsa Lëvizja Bashkë dhe Nisma Shqipëria Bëhet nga një mandat. 

Poll

MOS HUMB