
TIRANË-Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta foli sot nga burgu përmes një audio të regjistruar në Konventën e PL-së në Tiranë. Nga burgu, kreu i PL tha se partia e tij ka 5 prioritete kyçe, duke nisur nga ai për 4 milionë shqiptarë plus. Gjatë fjalës në Konventën e Tiranës të PL-së, Meta deklaroi se nuk e përjashtojnë dot nga politika. Kreu i PL-së ka kërkuar nga strukturat e Partisë së Lirisë që të mobilizohen anembanë vendit për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit. Ai theksoi se do të zgjedhet deputet ndër më të votuarit edhe me pranga në duar.
"Është kënaqësi të adresohem për herë të parë pas rrëmbimit tim kriminal nga banditët. Jam i bindur se shqiptarët e ndershëm patriotë do t’i japin përgjigjen e merituar kësaj bande. PL e ka programin e saj, që i ka përcaktuar qartë pesë prioritetet ku ne mbështetetemi. Partia e Lirisë ka 5 prioritete kyçe, që nga ai për 4 milionë shqiptarë plus. Ne do ta ndalojmë shpopullimin, duke ulur taksat dhe nënat me dy ose më shumë fëmijë, duke garantuar kredi për çifteve të reja. Do garantojmë transport falas për pensionistët. Do të mbështesim fermerët. Ne duam që Shqipëria të kthehet në fuqi prodhuese. Do të dhurojmë 20 mijë euro për çdo person që nis biznes të ri. Programi ynë social dhe ekonomik është tërësisht i aplikueshëm. Air Albania është një dështim. Ka qytetarë që thonë se kjo kompani i ka lënë në mes të rrugës. Do të përmbysim modelin ekonomik që mbështet vetëm ndërtimin. Do ta ulim ndjeshëm edhe çmimin e naftës. Duhet ta përmbysim këtë regjim, që fëmijët tanë mos të kthehen në sllevër modernë në vendin e tyre. Rama po largon çdo gjyqtar me integritet në GJK, që mos ketë asnjë mendim pakice, duke u kthyer në Duman-republikë. Rama po bën maskaradë antikushtetuese. Rama ka kapur për fyti SPAK-un dhe drejtësinë. Ilir Metën nuk e përjashton dot nga politika as Rama, as Dumani. Unë e kam nisur fushatën time edhe nga qelia numër 5 dhe do të zgjidhem deputet ndër më të votuarit edhe me pranga në duar nga qytetarët e qarkut të Tiranës që do të votojnë këtu, por edhe gjitha ata që do votojnë nga emigracioni”,-tha Meta në fillim të fjalës së tij në Konventën e PL-së në Tiranë.
MESAZHI I PLOTË:
Të dashur anëtarë të Konventës së Tiranës!
Të dashur anëtarë dhe simpantizantë të Partisë së Lirisë kudo që jeni dhe qytetarë që na dëgjoni!
Është kënaqësi e imja që adresohem për herë të parë pas 100 ditësh të rrëmbimit tim kriminal nga banda McGonigal – Rama – Dumani, i marrë peng për shkak të nevojave elektorale të kësaj organizate kriminale për të grabitur një mandat të 4-ët, si Lukashenko grabiti një mandat të 7-të me “kukull” opozitën e tij, në 11 Maj, gjë që kurrë nuk kanë për ta arritur për arsye se jam i bindur që Partia e Lirisë, opozita e vërtetë, shqipatët e ndershëm dhe patriotë kudo ku janë, do të mobilizohen dhe do t’i japin përgjigjen kësaj bande që kërkon t’i lerë fëmijët e tyre pa Atdhe. Partia jonë, Partia e Lirisë e ka programin e saj të mrekullueshëm, të miratuar në Konventën tonë të 27 Prillit. Një program konkret, konciz, që ka përcaktuar qartë 5 Prioritetet ku ne mbështetemi, nga ai më emergjenti i ndalimit të shpopullimit të vendit, e deri te prioriteti final për ta shndërruar Shqipërinë në një fuqi prodhuese dhe eksportuese në rajonin tonë. Ne do ta ndalojmë shpopullimin përmes politikave që nxisin lindshmërinë dhe mbështesin nënat dhe familjet:
- Duke garantuar pagat e nënave deri në 100% për dy vitet pas lindjes.
- Duke shumëfishuar bonusin e bebes në mënyrë të përshkallëzuar për çdo bebe.
- Duke ulur taksat në pagë dhe të ardhura për nënat me dy e më shumë fëmijë.
- Duke garantuar kredi për çiftet e reja, ku interesat i paguan shteti.
- Duke u ofruar shtëpi çifteve të reja sipas modelit hungarez përmes krijimit të fondeve të banesave për çiftet e reja.
- Duke ofruar kredi për blerje shtëpie me interes të subvencionuar dhe zbritje të kredisë me 3 mijë euro për fëmijën e parë, 6 mijë euro për fëmijën e dytë, 10 mijë euro për fëmijën e tretë, e kështu në mënyrë të përshkallëzuar. Po kështu, duke ofruar 20 mijë euro grant për çdo të ri deri në 25 vjeç që fillon biznes social ose start-up.
Për të ndaluar shpopullimin, ne do të rikthejmë edhe shumicën e shërbimeve te qytetarët nga Saranda e deri në Tropojë.
Rritja e pagave dhe pensioneve në mesataren e vendeve të rajonit, është prioriteti ynë i dytë më emergjent, sepse 1.1 milionë shqiptarë ose mbi 40% e atyre që jetojnë në vend, jetojnë në kushtet e varfërisë absolute dhe përjashtimit social. Dyfishimi i pagave të mësuesve, mjekëve, infermierëve është prioritet absolut i Partisë së Lirisë. Po kështu miratimi me ligj i pagës së 13-të. Dyfishimi i pensioneve është emergjent dhe bashkë me të edhe pensioni i 13-të me ligj në fund të vitit, për t’i dhënë fund njëherë e përgjithmonë bonuseve të mjerimit në prag të zgjedhjeve. Ne do të garantojmë transport falas për pensionistët për të gjitha llojet e transportit urban dhe interurban. Do të mbulojmë nga ana financiare të gjitha barnat për pensionistët. Ne do t’i japim një mbështetje të jashtëzakonshme arsimit si prioriteti ynë i tretë, për rritjen dhe fuqizimin e kapitalit njerëzor dhe gjithë zinxhirin e sistemit arsimor. Ne do të garantojmë rritjen e financimit të arsimit në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Për këtë çështje edhe më konkretisht, mund t’ju flasi edhe Erisa edhe kolegë të tjerë.
Por pa këtë investim të jashtëzakonshëm në arsim dhe kapitalin njerëzor, e kemi të pamundur për ta shndërruar Shqipërinë në Fuqi Eksportuese dhe njëkohësisht për t’i mbajtur të rinjtë dhe të rejat në vendin tonë dhe garantuar vende pune e paga dinjitoze. Mbështetja e fuqishme për Bujqësinë dhe Ushqimin, është një prioritet madhor i yni, sepse është sektori më i diskriminuar, ku punojnë mbi 35% e të punësuarve, i cili kontribuon me mbi 16% të PBB dhe ndërkohë të cilit i është dhënë vetëm 44 milionë euro nga Buxheti i Shtetit, më pak se ryshfeti i marrë për tunelin e Llogarasëga Kryetari i Organizatës, sipas dëshmisë publike të ish-Zv/ Kryeministrit Ahmetaj.
Që nga viti 2017, kur “Rilindja” mori gjithë tepsinë dhe bashkë me të edhe bujqësinë, numri i gjedhëve është përgjysmuar në vend, e po kështu edhe numri i bagëtive të imta. Edhe fondet e IPARD-it që jepte BE- ja u vodhën dhe u çuan te inceneratorët. Ndaj mbështetja e blegtorisë me pagesa direkte për krerë e njësi prodhimi për bujqësinë, duke hequr pragjet artificiale, do të sjellë katërfishimin e numrit të krerëve në blegtori dhe të vetë prodhimit bujqësor në vend. Partia e Lirisë do të mbështesë bujqësinë me të paktën 30 miliardë lekë të reja çdo vit. Po kështu ne do të heqim, do ta bëjmë 0 TVSH-në për ushqimin e bagëtive dhe të shpendëve të mishit dhe do subvencionojmë për çdo njësi prodhimi dhe për çdo krerë. Për këtë çështje, padyshim edhe Silvana edhe Prof. Panariti do t’ju japin edhe më shumë hollësi. Qëllimi ynë final është që Shqipëria të shndërrohet në një fuqi prodhuese dhe eksportuese duke përmbysur këtë model ekonomik që favorizon importet, që favorizon vetëm ndërtimin për qëllime të pastrimit të parave dhe madje edhe turizmin kryesisht në funksion të pastrimit të parave dhe jo të zhvillimit të një turizmi të qëndrueshëm në interes të të gjithë qytetarëve. Sot Shqipëria eksporton vetëm 8% të PBB, që është niveli më i ulët dhe që është nivel skandaloz kur mesatarja e vendeve të rajonit është 5 herë më e lartë, ndërsa Maqedonia e Veriut fqinje e ka të paktën 7 herë më të lartë, me 57% të PBB. Vetëm rritja e qëndrueshme e aktiviteteve prodhuese dhe eksportuese në vend, garantojnë ritme të larta të rritjes së të ardhurave kombëtare. Për këtë qëllim do të mbështesim dhe financojmë përdorimin e teknologjive më të avancuara për uljen e kostove të prodhimit, për rritjen e produktivitetit dhe rritjen e konkurrueshmërisë të produkteve “Made in Albania”. Ne do nxisim rritjen e industrisë në vend, duke siguruar mbështetje infrastrukturore, duke subvencionuar një pjesë të investimeve në teknologjinë më të avancuar, si edhe njëkohësisht duke ofruar grante për kompanitë eksportuese. Po kështu do të garantojmë ndërtimin e kapaciteteve të përpunimit të naftës në vend dhe produkteve të tjera të hidrokarbureve, duke ulur ndjeshëm edhe çmimin e naftës. Njëkohësisht do të mbështesim industrinë e pasurimit dhe përpunimit të mineraleve në vend, me qëllim rritjen e ndjeshme të vlerës të eksporteve të tyre. Do mbështesim fuqishëm rritjen e industrisë agropërpunuese me qëllim rritjen e eksporteve ushqimore. Njohja dhe kthimi i vlerës së TVSH-së në momentin e eksportimit do të jetë i menjëhershëm dhe automatik për kompanitë eksportuese dhe do thjeshtohet çdo procedurë administrative dhe doganore dhe do të krijohen kështu lehtësime fiskale. Tre janë fjalët finale dhe kyçe të programit tonë: Eksporte, eksporte dhe përsëri eksporte. Do ndërtojmë zona të lira ekonomike sipas modelit maqedonas, për të tërhequr kompani serioze, të cilat rrisin prodhimin në vend dhe me qëllim eksportimin e tyre duke garantuar tregje të reja, të sigurta dhe me leverdi.
Do të bashkëfinancojmë me këto kompani për kualifikimin e të rinjve tanë që do punojnë për to, në mënyrë që ata të kenë paga dinjitoze dhe një të ardhme të sigurt. Edhe rritja e investimeve në arsim, do të jetë në funksion të shndërrimit të Shqipërisë në fuqi prodhuese dhe eksportuese, duke fuqizuar kapitalin njerëzor, duke rritur konkurrencën dhe produktivitetin në industritë me rritjen më të shpejtë dhe me vlerën më të lartë. Edhe investimet publike në infrastrukturë moderne kritike, do të përqëndrohen në funksion të mbështetjes së bizneseve prodhuese të industrive të përfshira në tregjet ndërkombëtare. Po kështu do garantojmë rritjen e produkteve dhe markave të prodhimit vendas. Politika jonë do të synojë zëvëndësimin e shpejtë të produkteve që importohen sot, me produkte që ekonomia jonë mund t’i prodhojë dhe kjo sa më shpejtë të jetë e mundur. Programi ynë ekonomik dhe social është tërësisht realist dhe i financueshëm. Nga më pak se 28% që është sot niveli i të ardhurave që mblidhen në raport me PBB, ne do e çojmë të paktën në 41 – 42%, siç e ka Serbia, Bosnja dhe Mali i Zi. Kjo diferencë, 13% deri 14%, që sot vidhet pa hyrë fare në Buxhetin e Shtetit nga organizata kriminale, do të thotë 3.2 miliardë Euro në një vit ose 13 miliardë Euro në një mandat katër vjeçar, përveç kursimit të miliarda eurove që sot vidhen nga Buxheti i Shtetit, siç u denoncua publikisht edhe nga vet ish–Zv/Kryeministri për 10 vite i Edi Ramës. Ne do të ndjekim modelin e-Estonia, si më efiçenti dhe transparenti, i cili garanton dhe monitoron gjurmimin në kohë reale nga qytetarët dhe organizatat antikorrupsion të çdo vendimi dhe transaksioni publik. AKSHI dhe E-Albania do arkivohen si kopshti korruptiv i baxhanakut. E-Albania është fiks si Air Albania, kompania e falimentuar, siç e faktoi edhe zoti Ahmetaj, e cila pritet të pranojë falimentimin pas 11 Majit, për shkak të mbi 20 milionë eurove të shpërdoruara si sheik nga Edi Rama, i cili erdhi në pushtet me premtimin se do të fluturonte në Economy Class. Çfarë mashtruesi dhe shpërdoruesi! Aty keni edhe Prof. Panaritin, që mund t’ju tregojë se si na la Air Albania në aeroportin e Stambollit kur vinim nga Axerbajxhani. Se si flinin dhjetra shqiptarë në stolat e aeroportit dhe as hotelin nuk ja u paguante Air Albania. Se si takuam një zonjë, e cila edhe pse ishte në moshë edhe jetonte në Çikago, për arsye shëndetësore të një familjari e kishte herën e pestë që e linte Air Albania e këtij mashtruesi në Stamboll. Lidhur me programin ekonomik, unë ju garantoj se ai është lehtësisht i financueshëm, për këtë do flasi edhe Prof. Petraq Milo, një ekspert me përvojë të shkëlqyer edhe ndërkombëtare në këtë fushë. Por dua t’ju flas edhe si ish-Kryeministër, që ka drejtuar në një moshë shumë të re dhe me rezultate ekonomike shumë të suksesshme. Në dy vite të plota, në vitin 2000 e 2001, kur rritja ekonomike ka qenë në vitin 2000, 6.95%, ndërsa në vitin 2001 ka qenë 8.29%. Kjo është ndoshta rritja më e madhe në dy vite pasuese në historinë e tranzicionit dhe realizuar në kushte të vështira përballë një opozite shumë të fortë dhe të ashpër dhe njëkohësisht duke patur një Kryetar Partie pengues dhe jo vetëm atë. Jam tërësisht i bindur në kapacitetet edhe njerëzore edhe intelektuale që ka jo vetëm Partia e Lirisë, por që ka shoqëria jonë edhe brenda vendit por edhe do ftojmë shumë ekspertë të cilët janë duke punuar në institucione ndërkombëtare apo në kompani shumë prestigjoze. Të dashur anëtarë të Konventës të Tiranës! Sot 100 ditë pas rrëmbimit tim kriminal dhe 100 ditë para zgjedhjeve vendimtare të 11 Majit, dua t’ju falenderoj për mbështetjen tuaj dhe t’ju kërkoj të shumëfishoni përpjekjet dhe luftën tuaj në publik dhe në terren për përmbysjen e këtij Narkoregjimi, në mënyrë që fëmijët tuaj dhe të gjithë shqiptarëve të mos mbeten pa Atdhe apo të mos shndërrohen në skllevër modernë në tokën e të parëve të tyre. Dy janë lajmet më të rëndësishme dhe kyçe që kanë të bëjnë me të ardhmen e vendit, me sovranitetin e tij dhe të popullit shqiptar dhe me sigurinë juridike, sociale dhe ekonomike të çdo shqiptari. Lajmi i parë është nxitimi i Edi Ramës për të zhdukur në mënyrë anti-Kushtetuese çdo gjyqtar me integritet që ka mbetur në Gjykatën Kushtetuese përpara zgjedhjeve të 11 Majit, ashtu siç kam paralajmëruar publikisht edhe para 2 muajve, në mënyrë që të mos ketë asnjë mendim pakice në institucionin më të rëndësishëm që ka Republika e Shqipërisë. Ndaj këtu duhet të përqëndrohemi shumë fort, në mënyrë që të mos ktheheni nga një Republikë Parlamentare në Dumano-Republikë, ku afërmendsh, për llogari të Kryetarit të Organizatës Kriminale, asgjesohet çdo gjyqtar i pavarur jo vetëm në Gjykatën Kushtetuese, por përmes kësaj maskarade anti–Kushtetuese kërcënohet çdo gjyqtar me integritet që mund të ketë kaluar vettingun e Organizatës. Sepse problem kryesor sot i Shqipërisë nuk është as korrupsioni, as krimi i organizuar dhe as ai elektoral, të cilat janë të gjitha pasoja. Problemi kryesor është kapja prej fyti e SPAK–ut dhe e gjithë sistemit të drejtësisë nga Kryetari i Organizatës Kriminale. Çdo gjë tjetër është pasojë e kësaj kapjeje dhe ajo nis nga zgjedhja me 69 vota e Prokurores të Përgjithshme dhe njëkohësisht nga të gjithë hapat e tjerë të cilat garantuan kapjen e çdo hallke të hetimit në Shqipëri, që nga KLP- ja, SPAK- u dhe me rradhë. Po kështu kapja e Gjykatës Kushtetuese ka nisur që prej 8 vjetësh, në 27 Janar 2017, kur pasi në Kuvend u bë një proces tepër transparent për zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit të Emërimeve në Drejtësi, pasi u hapën goglat dhe Edi Ramës nuk i pëlqyen emrat e gjyqtarëve që dolën, një Ambasador u përdor për të bërë një deklaratë deligjitimuese për këtë proces, për të cilën më pas ai kërkoi falje dhe me shkrim, por pasi e kishte bërë me ndërgjegje të plotë dëmin për llogari dhe interes vetëm të Edi Ramës dhe Sorosit. E kështu, këto lojra të shëmtuara vazhduan edhe më pas dhe vendi mbeti 3 vite pa Gjykatë Kushtetuese, sepse ajo duhej kapur me çdo mjet dhe duhej kapur 9 me 0 që të mos kishte asnjë gjyqtar të pavarur dhe asnjë mendim pakice.
Nuk ju mjaftuan 5 vite hetime, që nga Dhjetori i 2019, por kanë kërkuar edhe 6 muaj shtesë deri në Qershor të 2025, pikërisht për të më izoluar përpara zgjedhjeve për llogari të Edi Ramës që të grabisi mandatin e katërt, siç grabiti Lukashenko mandatin e shtatë në garë me “kukull – opozitat” e tij. Edhe ky, kujton se do hutojë qytetarët, t’i konfuzojë me 0.99 e tij, që bëjnë opozitën e opozitës në ekranet që hap Edi Rama dhe që financon me paratë e inceneratorëve. Prandaj ju kërkoj mobilizim total kudo, në Tiranë e anembanë vendit, për të ç’rrënjosur këtë regjim antikombëtar dhe mizor, që ndërsa ka larguar sipas censusit të tij zyrtar të paktën 500 mijë shqiptarë, ka fryrë administratën me 50 mijë punonjës. U bëj thirrje të gjithë njerëzve tanë në diasporë të regjistrohen sa më parë, se 11 Maji është mundësia historike e tyre për të ndëshkuar atë që i largoi qëllimisht, atë që i ka lënë prindërit e tyre me pensione mjerane, atë që u zhvlerëson çdo ditë edhe remitancat që ata dërgojnë për prindërit me 50% të vlerës së tyre me futjen e parave kriminale në vend.
Ilir Metën nuk e përjashton dot nga politika as Rama, as Dumani dhe as McGonigalët. Unë e kam nisur fushatën time edhe nga këtu, nga qelia Nr.5 dhe do të zgjidhem deputet, ndër më të votuarit dhe me pranga në duar, nga qytetarët e Qarkut të Tiranës që do të votojnë këtu, por edhe gjithë ata që do të votojnë nga Italia, Gjermania, Belgjika, Greqia, Franca, Britania e Madhe, SHBA, Kanadaja e kudo në botë. Ju kërkoj të shumëfishoni edhe njëherë të gjitha përpjekjet tuaja, në mënyrë që t’i japim fund njëherë e përgjithmonë kësaj drame, për popullin tonë, për vendin tonë dhe njëkohësisht ta arkivojmë njëherë e përgjithmonë këtë “Rilindje” si mashtrimin më të madh, por dhe tragjedinë më të madhe që përjetoi populli shqiptar, që i kushtoi dhe po i kushton dëme shumë më tepër se sa nga pushtuesit dikur. Duke ju falenderuar juve dhe të gjithë anëtarët dhe simpatizantët tanë për mbështetjen dhe për solidaritetin, shpreh bindjen dhe vendosmërinë time më të fortë dhe më të vendosur në triumfin e kauzave tona, të cilat janë të shenjta, sepse kanë të bëjnë me ekzistencën e shtetit tonë, të kombit tonë dhe të ardhmen e tij. Prandaj kudo të përhapim programin e Partisë së Lirisë, 5 prioritetet e saj dhe njëkohësisht të forcojmë aksionin tonë opozitar, në mënyrë që t’i japim të shtyrën e fundit këtij regjimi të dekompozuar që nuk ka SPAK që i ve kapak dhe që e shpëton. Jam i bindur në triumfin e alternativës tonë. Malet tona më të larta. Fitorja është e guximtarëve.
Faleminderit!
Fitore!
Kreu i Partisë së Lirisë u vu në pranga më 21 tetor teksa po kthehej nga Kosova. Ai kishte planifikuar të mbërrinte në selinë e Partisë së Lirisë ku do të mbante një konferencë me gazetarët, por në hyrje të Tiranës, u ndalua nga efektivët e policisë që i vunë prangat. Policia e Shtetit arrestoi ish-presidentin e vendit Ilir Metën, pasi ai akuzohet nga SPAK për veprat penale: korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurish./ZËRI