
TIRANË-Partia Demokratike ka kërkuar shakrkimin e Erion Veliajt, nga posti i kryebashkiakut të Tiranës. PD i ka dorëzuar Këshillit Bashkiak të Tiranës kërkesën për shkarkimin e Erion Veliaj, në bazë të ligjit ‘Për vetëqeverisjen vendore’.
Kërkesa e dorëzuar nga kryetari i grupit të Këshilltarëve të Partisë Demokratike Ilir Alimehmeti dhe nënkryetarja e grupit të Këshilltarëve të PD, Ilda Zhulali, është dorëzuar këtë të premte (9 maj) në Bashkinë e Tiranës, drejtuar kryetares së Këshillit Bashkiak Romina Kuko dhe sekretarit të Këshillit, Behar Zeneli, ndërsa vihen në dijeni edhe kryetari i Bashkisë Erion Veliaj dhe Prefekti i Tiranës, Afrim Qendro.

PD kërkon mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës më datë 12 Maj, dhe se pas kalimit të afatit 3 mujor të mosparaqitjes së pandërprerë në detyrë të Erion Veliaj, të bëhet shkarkimi i tij.
Erion Veliaj u vendos në pranga më 10 Shkurt. Që prej asaj dite, Veliaj është mbajtur në qelinë e paraburgimit me kërkesë të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi mbi të rëndojnë disa vepra penale. SPAK e akuzon Veliajn se bashkë me të shoqen ka krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash 'OJF'.
Kështu kanë përfituar së paku 1.1 milionë euro në 9 raste. Veliaj akuzohet se ka përfituar vila në Qerret, ndërsa Xoxa akuzohet se ka shpenzuar rreth 890 mijë euro në blerje veshjesh dhe bizhush online. Veliaj është lënë në masën "arrest me burg", ndërsa Xoxa në "detyrim paraqitje", ndërsa për 6 biznesmenët që dyshohen se kanë bashkëpunuar me Veliajn janë lënë në "arrest shtëpie" dhe "detyrim paraqitje."/ZËRI