
TIRANË-Teksa përgatiten për tubimin e fundit elektoral, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe kryeministri Edi Rama u janë drejtuar me një mesazh emigratëve shqiptarë. Rama me një video në rrjetin social Facebook, ftoj shqiptarët që jetojnë në diasporë që të votojnë, pasi sipas tij kanë fatin që të ushtrojnë të drejtën e votës në këto zgjedhje. Rama i cilësoi këto zgjedhje si të rëndësishme, pasi do të përcaktojnë fatin e vendit në vitet e ardhshme.
Edi Rama: Është dita e fundit e ballafaqimit mes të gjithë palëve përpara gjykimit të popullit Sovran, gjykimit të të gjithëve ju me votën tuaj të dielën, më 11 Maj. Ky është mesazhi i fundit që dua tu përcjell të gjithë motrave e vëllezërve tanë në diasporë ku ende ka zarfe që janë nëpër shtëpia, ku ende ka kohë për tu bërë pjesë e takimit historik të 11 Majit. Për të takuar historinë së bashku me shumicën dërrmuese të shqiptarëve që më 11 Maj, do të përcaktojnë pa asnjë ekuivok rrugën e fatit europian të Shqipërisë. Ju lutem, keni marrë mundimin të regjistroheni, jeni në kushtet kur për herë të parë mund të votoni nga jashtë kufijve, por keni shansin të merrni pjesë në një palë zgjedhje që janë më shumë se sa zgjedhje për partitë, se kush do të qeverisë dhe kush do t qëndrojë në opozitë.
Nga ana tjetër edhe kryedemokrati Sali Berisha në konferencën e mbajtur sot për gazetarët, u ka drejtuar një thirrje të drejtpërdrejtë shqiptarëve të diasporës, duke i ftuar të marrin pjesë në votimet e 11 majit. Ai e cilësoi këtë datë si përcaktuese për të ardhmen e kombit shqiptar dhe theksoi se pjesëmarrja e emigrantëve në votim do të ishte një shërbim historik për vendin.
Sali Berisha: Së pari një mesazh për diasporën shqiptare, e cila ka qenë shpirti i kësaj fushate elektorale. Thirrja ime është, cilido prej tyre, që mund të vijë të votojë me datën 11 Maj, i bën një shërbim historik vendit dhe kombit të tij. 11 Maji është dita përcaktuese e të ardhmes së kombit shqiptar. Qindra mijëra emigrantë u regjistruan për të votuar, por një çrregullim i organizuar u konstatua në dy vende me postën, e cila ka një emër autoritar, të mirë, por që shfaqi parregullsitë më të mëdha. Kjo, uroj dhe shpresoj, të mos dekurajojë, por përkundrazi, të nxisë çdo qytetar shqiptar jashtë vendit që mund të vijë këto dy ditë dhe të votojë në qendrat e votimit, do ishte një shërbim i jashtëzakonshëm, një rast unik që u jepet për t’i shërbyer vendit.
Partia Demokratike dhe ajo Socialiste do të mbajnë miting përmbyllës në Tiranë në të njëjtën orë. PD do të zhvillojë takimin përmbyllës në Bulevardin e Ri në orën 19:00, ndërsa PS mbyll fushatën pranë Parkut Olimpik./ZËRI