
TIRANË- Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u arrestua të hënën me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Në dosjen 167 faqe, SPAK-u kishte evidentuar 6 episode ku çifti Meta-Monika Kryemadhi kishin kryer korrupsiom, fshehje pasurie por edhe kishin pastruar paratë. Në një pjesë të dosjes së SPAK, e cila është zbardhur nga ZËRI, në një moment del edhe biznesmeni i njohur i “Gener 2”, Bashkim Ulaj është përfshirë në një përplasje me me Ilir Metën, në lidhje me procedurat për shtrimin e fibrave optike dhe projekte të tjera infrastrukturore.
SPAK ka siguruar disa biseda që tregojnë një seri takimesh mes dy biznesmenëve, Bashkim Ulajt dhe Adrian Shatkut. Ky i fundit, për të njëjtat takime flet edhe me të afërmen e tij, Monika Kryemadhin. Madje, Kryemadhi e këshillon që të ketë kujdes gjatë takimeve që bën pasi mund të përmenden emrat e saj dhe të bashkëshortit të saj, Ilir Metës. Një tjetër moment tjetër, flitet për lëvizjet e Shatkut për të marrë bizneset e telekomunikacionit dhe teknologjisë të monopolizuara nga Bashkim Ulaj i "Gener 2".
EPISODET NË DOSJE:
“Monika Kryemadhi i shkruan Adrianit se: Me kujdes më thotë Iliri se B mos të regjistron dhe mos t’ia përmend emrat tanë.’”
“Adrian Shatku i shkruan Monika Kryemadhit se: Bashkimi 95% gati. Mund të firmosim sonte ose nesër?
Aktualisht, për dosjen, Meta u arrestua ditën e hënën në Tiranë, teksa po kthehej nga Kosova. Ai dhe Kryemadhi, akuzohen për veprat penale: korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurish. Por edhe pse emri i tij përmendet në dhjetra faqe të dosjes së SPAK, nuk ka ende asnjë akuzë të ngritur për Shatkun./ZËRI