TIRANË-Nga 4 shtatori në orën 17:00, qeveria dhe grupi i PS do të nisin me takimet e Pranisë Besnike. Vetë kryeministri Edi Rama njoftoi nisjen e takimeve me qytetarët, të cilat do të zhvillohen çdo të premte. Rama u shpreh se 'Prania Besnike' është dëgjim me radhë, ballë për ballë, pa kamera. Kreu i qeverisë theksoi se çdo deputet dhe drejtues politik do të duhet të dëgjojë qytetarët e të mbajë shënim problemet e tyre, si dhe t’i ndjekin në rrugë institucionale.
Edi Rama: Prania Besnike vendos rregull të thjeshtë, qytetari duhet ta dijë ku dhe kur mund ta gjejë përfaqësuesin e vet, me një kalendar të publikuar më parë. Dhe e premtja e kësaj jave në orën 17:00 është fillimi i një procesi të Pranisë në të gjithë territorin e republikës, s’do të ndalet asnjë të premte. Çdo të premte në orën 17:00 të gjithë ne që jemi këtu do jemi aty ku e kërkon Prania Besnike. Prania Besnike nuk është mbledhje. Prania Besnike është dëgjim me radhë, ballë për ballë, tek për tek, me zë të ulët. Kush do të qajë hallin e tij, vjen në atë orë, në atë vend dhe pret momentin kur do të ulet në tryezë përballë përfaqësuesve të tij dhe do të marrë shënim çfarë robi i Zotit po flet, me respekt dhe Prania Besnike nuk pranon kamera. Prania Besnike pranon fotografi në fillim të takimit vetëm me miratimin e atyre që janë të pranishëm dhe pa ekspozuar fytyrat e tyre. Prania Bensike refuzon përkatësinë partiake. Nëse ti do veshët tanë veshët tanë janë aty në orën 17:00, ditën e premte. Prania Besnike nuk pranon numër telefoni dhe dhënien e shpresës se dikush do të ndihmojë jashtë rregullave. Prania Besnike kërkon që deputetët të mos marrin më në telefon asnjë drejtor, por me shkrim të dërgojnë hallin e qytetarit në destinacion institucional.