
TIRANË- Koalicioni "Nisma Shqipëria Bëhet" në rang kombëtar është subjekti i tretë më i votuar, por ka marrë vetëm një mandat deputeti në Kuvendin e Shqipërisë. Por edhe pse më parë kishte lajmëruar se mandatin nuk do ta mbante vetë, kreu i këtij koalicioni, Adriatik Lapaj duket se ka ndryshua qëndrim. Madje ka edhe një paralajmërim për krerët e partive "të vjetra". Mesazhin e tij të parë ua ka bërë me dije në rrjetet e tij sociale, duke paralajmëruar "luftë" në Kuvend.
“Nuk është 1 mandat jo, është mandati më i votuar i historisë së tranzicionit shqiptar që nxjerr lakuriq sistemin elektoral shqiptar. Ai mandat do u fanepset aq shumë sa si grenxa në poturre do u bëj të mallkoni veten,” – shkruan Lapaj.
Nga zgjedhjet parlamentare që u mbajtën më 11 maj, koalicioni "Nisma Shqipëria Bëhet", arriti që të grumbullonte 57,990 vota, këto pa llogaritur ato të Diasporës, të cilat nuk janë numëruar të gjitha./ZËRI