TIRANË- Kryeministri shqiptar Edi Rama, në një postim të fundit në median sociale Facebook, ka publikuar rastin konkret të një shtese lokali të legalizuar mbi hapësirë publike. Për Ramën, edhe ky rast është pjesë e asaj që ai e quan një "çmenduri" për përfitime personale në kurriz të komunitetit. Teksa ndan pamjet dhe lejen e marrë, kreu i qeverisë ka bërë edhe një lajmërim për punonjësit e ALUIZNI-t dhe Kadastrës që kanë dhënë leje.
“Jo vetëm që do të reagohet me zero tolerancë duke i anuluar ligjërisht këto legalizime të paligjshme, por do të përfshihet edhe një masë ndëshkimi penal për punonjësit e Kadastrës që kanë firmosur këto legalizime kriminale,”-shkruan kreu i qeverisë.
POSTIMI I RAMËS:

Për të gjitha këto lloj çmendurish me qëllim fitimi në kurriz të komunitetit, të cilat kanë marrë dokument legalizimi në hapësirën publike duke ngritur tenda hekuri, jo vetëm që do të reagohet me zero tolerancë duke i anulluar ligjërisht, por do të miratohet së shpejti, si pjesë e reformës së re të kontrollit të territorit edhe një masë për ndëshkimin penal të të gjithë atyre nëpunësve të Aluiznit dje apo të Kadastrës më pas, që kanë firmosur për këto legalizime kriminale në mes të lagjeve të qyteteve tona
Rasti i lokalit në foto, i publikuar nga Kryeministri, ndodhet në Tiranë. Për ndërtimin, siç duket në dokument, Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka anuluar legalizimin e shtesës së këtij lokali, e cila ishte miratuar më 12 mars 2025 në tokë publike. Mesa duket për rastin në fjalë nuk janë marrë masa, edhe pse në nivel kombëtar ka nisur një aksion për shembjen e objekteve pa leje që kanë zaptuar hapësira publike./ZËRI