
TIRANË- Ambasadori i Shqipërisë në Zvicër, Mustafa Nano, është liruar nga detyra me dekret të Presidentit Bajram Begaj. Nano kishte njoftuar dorëheqjen pak kohë më parë, por sot Presidenti Begaj dekretoi lirimin e tij nga kjo detyrë. Në momentin që dha dorëheqjen, Nano kishte 6 muaj në detyrë për arsye personale, ose të paktën kështu kishte njoftuar për median shqiptare në zvicër, “LeCanton27”.
“Mustafa Nano duke falënderuar komunitetin shqiptar në Zvicër dhe gazetarët për bashkëpunim ka thënë: “Dorëheqja ime është diçka e natyrës personale”. Zvicra mbetet pa ambasador shqiptar dhe ende nuk dihet se kush do të zëvendësojë Nanon,”-shkruante pak kohë më parë media në fjalë.

“Presidenti Begaj dekreton lirimin e zotit Mustafa Nano nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Konfederatën e Zvicrës, rezident, si dhe nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Principatën e Lihtenshteinit, jo rezident,”- thuhet në njoftimin e Presidentit të Republikës.
Mustafa Nano, analist dhe ish-deputet, u emërua ambasador në Zvicër në korrik 2023, pas lirimit nga detyra të Ilir Gjonit./ZËRI