
ELBASAN- Aksionet e njëpasnjëshme në Elbasan duket se nuk janë thjesht rastësi! Të paktën muajin e fundit, në media është raportuar disa herë se agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe prokurori i "deleguar" në qarkun e Elbasanit, Ols Dado kanë shkuar në Elbasan. Mesa duket se janë në "gjurmët" e dikujt apo të diçkaje në prag të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
Në fakt, duket se kështu është! Burime për ZËRI-n bëjnë me dije se SPAK ka indicie se në një nga qarqet më të mëdhenj të vendit, nën rrogoz po "luan" për vota edhe një grup kriminal, i cili ka dalë për të mbështetur kandidatë për deputetë. Në Elbasan, duket se fokusi është tek kandidatja për deputete në listën e hapur, Sara Mile. Nga monitorimet e bëra në terren, dyshohet se SPAK ka indicie për shuma të mëdha parash që janë shpërndarë në terren nga ky grup për të mbështetur këtë kandidate, përveç trysnisë që ushtrohet tek banorët e qytetit dhe jo vetëm për ta mbështetur me votë socialisten.

Mila mund të jetë një emër i ri në politikën publike, por lidhjet e saj tregojnë që është krejt e kundërta! Kandidatja e nga PS në Elbasan ka përfituar disa tendera të fuqishëm publikë me anë të kompanisë së bashkëshortit të saj, “Anmetal”. Ambientet e kësaj kompanie u vizituan edhe nga asokohe drejtuesi politik i qarkut, Damian Gjiknuri.
"Në ambientet e fabrikës "Anmetal" që ushtron aktivitetin e saj prej vitit 2013 në prodhimin e profileve metalike, procesin e zinkimit dhe barrierave mbrojtëse për rrugët, prodhimet e së cilës përdoren për eksport në Itali, Rumani, Greqi, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut,"-shkruante gjatë vizitës Gjiknuri. Kështu që, rrjedhimisht, duket se Sara Mile nuk është thjesht rastësisht aty ku është. Përzgjedhja e saj nga platforma “Deputeti që Duam” për t’u bërë deputete (ndoshta) është më pak rastësore.
Por lëvizja e grupeve kriminale nuk po ndodh vetëm në Elbasan. Fuqishëm është rikthyer në një vatër të nxehtë edhe Durrësi, ku fokusi është vendosur tek Arkend Balla. Duke marrë parasysh rastin e Jurgis Çyrbjas dhe ndikimin që kishin bandat kriminale në nxjerrjen e tij si deputet të qarkut, historiku "detyron" SPAK që të ketë sytë hapur në terren.

Por mesa duket në rastin e Ballës, loja po luhet hapur, pa marrë parasysh agjentët e SPAK dhe vetë prokurorët që po monitojnë çdo lëvizje. Ndërhyrjet mund të ndodhin kurdo dhe shembulli i Fredi Belerit tregon se sado ndikim të kesh në zonë, në gabimin dhe në shkeljen e parë të ligjit, kujdo do t'i tunden prangat.
Nëse do të ketë një arrestim të ngjashëm edhe në këtë fushatë që duket më e qetë se kurrë, këtë mbetet ta dëshmojmë. Por diçka dihet, qetësia është gjithmonë shumë shurdhuese para stuhisë./ZËRI