TIRANË- Kryeministri Edi Rama po prezanton paketën me masat ligjore për mbrojtjen e pronës dhe territorit. Në fjalën e tij gjatë prezantimit të paketës ligjore, Rama u shpreh se paketa e re është punuar me intensitet nga një grup ekspertësh, juristësh dhe me kontributin e deputetëve aktivë në komisionin e ligjeve. Kreu i qeverisë theksoi se paketa ligjore është një tërësi masash, përmes së cilave do të ketë instrumente të reja për të mbrojtur territorin.
"Për këtë paketë të re ligjore që do të prezantojmë është punuar me shumë intensitet nga një grup i gjerë ekspertësh, juristësh dhe me ndihmën e disa deputetëve që kanë pasur një aktivitet të lidhur me komisionin e ligjeve. Dua t’i falënderoj të gjithë ata që kanë marrë pjesë në këtë punë që është zhvilluar gradualisht gjatë gjithë periudhës së verës dhe besoj shumë që duke bërë parantezën që padiskutim nuk është asgjë e përkryer, as kjo paketë nuk është e përkryer, por është një tërësi masash që do të na japin mundësinë të kemi në dorë instrumenta të reja për të mbrojtur territorin, duke filluar nga suksesi përfundimtar i një ofensivë që po do të zgjasë aq sa të jetë e nevojshme, ndoshta gjatë gjithë mandatit të ri, për ndalimin pa kthim të çdo shfrytëzimi për të ndërtuar pa leje, duke vazhduar deri te mbrojtja e autorësisë së projekteve arkitektonike, të cilat gjatë gjithë kësaj kohe që kur në Shqipëri ka filluar të ndërtohet, janë deformuar dhe përdhunuar në formën e tyre nga ndërhyrja e ndërtuesve, gjë që sigurisht i kthen në praktikisht pothuajse formale vendimmarrjet që marrin njësitë përkatëse të qeverisjes vendore. Dhe një tjetër pasojë e konsiderueshme mashtrimi që iu bëhet blerësve duke iu shitur objekte që ka marrë leje me pamjet e lejes të paraqitura",- tha Rama.
Kryeministri Edi Rama thotë se dënimet për zjarrvënësit duhet të jenë më të rënda se për ndërtuesit pa leje, duke theksuar se duhet të ndëshkohen si vrasës, kjo pasi sipas kreut të qeverisë nëse një ndërtim i paligjshëm mund të prishet, dëmet ndaj pyjeve kërkojnë vite të tëra për t’u rikuperuar.
“Dënimet për zjarrvënësit duhet të jenë më të rënda se ndërtuesit pa leje. S’mund të dënohet vendosja e një zjarri në Gramsh 3-8 vjet dhe një ndërtim i paligjshëm në një zonë pylli të mbrojtur 5-10 vjet. Ndërtimi e paligjshëm mund ta prishësh ndërsa rigjenerimin pyjeve duhen vite të tëra. Zjarrëvëniet duhet të trajtohen si vrasës dhe zjarrëvënia e qëllimshme duhet të ndëshkohet njësoj si vrasja. Në kushtet kur trashëgimia e shumë brazave shkrihet brenda 2 apo tre netësh dhe jetët e njerëzve vihen në rrezik, ndërkohë që bashkë me pyllin ikën edhe shtëpia. Kjo është vrasje me paramendim”, tha Rama.
Gjatë prezantimit të paketës së re ligjore për mbrojtjen e pronës dhe territorit, kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar për masa më të rënda ndëshkuese ndaj personave që kryejnë ndërtime të paligjshme, apo ata që abuzojnë me lejen. Rama theksoi se aksioni i shembjes së ndërtimeve pa leje do të vijojë deri në çrrënjosjen e këtij fenomeni. Kryeministri tha ndër të tjera se nuk do të ndëshkohen edhe ndërtuesit që shesin dy herë një apartament, deri në konfiskimin e objektit.
“Nuk bën vaki më me hapjen e platformave deri të rruga. E dyta është për paligjshmërinë e ndërtimit të ligjshëm. Një tjetër fenomen që do e ndalim njëherë e mirë. Ka një përmirësim të ndjeshëm, por nuk na intereson përmirësimi, por vetëm çfarë nuk shkon. Do të bëjmë të gjitha këto ndryshme duke ngarkuar me përgjegjësi të gjithë njerëzit që janë hallkat e ndërtimit. Në një ndërtim ku projekti transformohet shpërfytyrohet, të gjithë janë pjesë e një zinxhiri fajësie, në qendër është ndërtuesi. Ndërtuesit që do zihen në faj do hynë në listën e zezë dhe nuk do ndërtojnë dot më. Nuk mund të vazhdojmë të shohim sesi disa ndërtues mashtrojnë qytetarët. Arrihet deri në absurdin që një apartament do shiten dy herë, masa do të jetë e rëndë dhe do jetë imediat konfiskimi i pronës. Është jashtëzakonisht e rëndësishme të bllokohet zinxhiri”-u shpreh Rama.
Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ishte i pranishëm së bashku me kryeministrin Rama, për të prezantuar paketën e re për Mbrojtjen e Territorit. Manja theksoi se paketa parashikon një sërë masash ligjore për mbrojtjen e tokës dhe mjedisit, të cilat do të jenë administrative dhe penale. Gjatë fjalës së tij, Manja theksoi se do te ketë deri në 10 vite burg për ndërtuesit pa leje.
“Kjo paketë masash ligjore synon mbrojtjen e tokës, territorit mjedisit me masa me karakter administrativ dhe penal. Përforcohet e masa penale si reflektim dhe si nevojë. Synon të ndalojë fenomenin e ndërtimeve pa leje. "Propozojmë te shtohen dy paragrafë të reja. Kur ndërtimi kryhet nga persona që ushtrojnë funksione publike të dënohet 3-7 vjet. Kush ka një rol për të luajtur për shkak të detyrës në kontrollin e territorit, duhet të ndëshkohet penalisht. Ndërtimi i paligjshëm brenda zonave të mbrojtura, apo kryhet si ndërtim brenda infrastrukturës kritike, dënimi 5-10 vite burg. Element tjetër është zënia e tokës, që përbën kundravajtje penale. Propozojmë ndryshim rrënjësor të nenit, do ketë 4 paragrafë. Zënia e tokës kryhet në një tokë brenda zonave të mbrojtura, 1-5 vite," tha Manja.