TIRANË-Shqipëria po mbyll 3 kapitujt e parë të negociatave me Bashkimin Europian në Konferencën e 9-të Ndërqeveritare me BE-në. Kryeministri Edi Rama dhe komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos e cilësuan si një “Super të martë” dhe një gur të rëndësishëm kilometrik hapjen e kapitujve të parë negociues për Shqipërinë.
Gjatë fjalës së tij, Rama e cilësoi mbylljen e 3 grupkapitujve si 'një gur kilometrik tjetër në rrugëtimin e pakthyeshëm të Shqipërisë në BE'. Kreu i qeverisë u shpreh se ky moment është një mesazh i rëndësishëm, i cili tregon se Shqipëria po jep rezultate dhe po ecën përpara drejt Bashkimit Europian.
Edi Rama: Ajo çfarë ndodhi tani shënon vërtet një gur kilometrik tjetër në rrugëtimin e pakthyeshëm të Shqipërisë në BE. Sapo ramë dakord të mbyllim tre kapituj të rëndësishëm negociatorë. Ky nuk është thjesht një hap, por një vlerësim që Shqipëria po ecën përpara, që reformat po japin rezultate. Se e sotmja është e rëndësishme edhe sepse thekson një mesazh mjaft të rëndësishëm të ‘Epokës së re’. Shqipëria jep rezultate, BE jep rezultate. Shqipëria ecën përpara dhe BE reagon për këtë. Nuk mundem veçse të theksoj, Thomas, ishte shumë irlandeze. Super e martë. Shpresoj që ju ta ruani këtë ambicie. Faleminderit, Marta, që ke qenë kokëfortësisht e durueshme dhe që na ke mbajtur në drejtim pavarësisht pengesave. Po i sjellim standardet europiane më pranë qytetarëve tanë. Po ndërtojmë Shqipërinë që duam të shohim si anëtare të BE-së. Prova më e mirë e kësaj është që njerëzit duan më shumë dhe janë gjithmonë më pak tolerantë ndaj asaj që nuk funksionon. Duhet të ecim përpara dhe të japim rezultate për njerëzit tanë.
Edhe Marta Kos u shpreh se tashmë Shqipëria është pjesë e familjes Europiane dhe e cilësoi mbylljen e kapitujve si një moment të madh. Kos kërkoi që të vazhdohet progresi në sistemin e drejtësisë, lufta kundër krimit dhe korrupsionit. Kryemosionerja kërkoi që reformat të vazhdojnë të thellohen.
Marta Kos: Është një moment i madh për Shqipërinë, është një ‘super e martë’ për zgjerimin dhe Shqipëria është pjesë. I mbyllëm tre kapitujt, kanë mbetur edhe 30 të tjerë. Këto janë fusha që janë pjesë e familjes evropiane. Përgëzimi për të gjithë miqtë tanë shqiptarë. Kjo u bë e mundur sepse Shqipëria ka përmbushur piketat e ndërmjetme për ligjin muajin e kaluar. Ky është një hap i ndërmjetëm që do të thotë se reformat duhet të vazhdojnë të thellohen. Inkurajojmë që të vazhdohet progresi në sistemin e drejtësisë, lufta kundër krimit dhe korrupsionit. Vazhdojmë të mbështetemi te Shqipëria për reformat. Në Shqipëri, 92% e qytetarëve janë në favor të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, 84% besojnë se do të vijnë avantazhe nga integrimi në BE, 90% u besojnë BE-së. Është në duart tuaja që të jepni rezultate për qytetarët shqiptarë, në reformat që kanë më shumë rëndësi për ta. Unë do të jem krah jush deri në fund të mandatit tim.
Mbyllja e Kapitullit 25 “Shkenca dhe Kërkimi” vlerëson punën dhe arritjet e Shqipërisë për të forcuar ekosistemin e kërkimit shkencor dhe inovacionit për zhvillim, për të rritur më tej investimet në dije dhe zhvillim teknologjik, avancimin me zbatimin e Strategjisë së Specializimit Inteligjent (S3), si një udhërrëfyes i transformimit të ekonomisë shqiptare drejt Tregut Unik Europian, si dhe për të thelluar integrimin në Hapësirën Europiane të Kërkimit.
Mbyllja e Kapitullit 26 “Arsimi dhe Kultura” vlerëson punën dhe arritjet e Shqipërisë në modernizimin e politikave arsimore, të orientuar drejt Hapësirës Europiane të Arsimit, promovimin e gjithëpërfshirjes dhe cilësisë në të gjitha nivelet e arsimit dhe formimit profesional, mbështetjen e zhvillimit të rinisë dhe kulturën, si dhe progresin me përafrimin drejt objektivave europiane të arsimit.
Mbyllja e Kapitullit 30 “Marrëdhëniet me Jashtë” vlerëson punën dhe arritjet, me linjë-veprimi strategjik të Shqipërisë “partner i besueshëm i Bashkimit Europian”. Nëpërmjet përafrimit të marrëveshjeve ndërkombëtare me politikën tregtare dhe pozicionin e Bashkimit Europian në marrëdhëniet me jashtë, Shqipëria dëshmon gatishmërinë dhe kontributin e saj në forcimin e rolit të Bashkimit Europian.