TIRANË- Kryeministri Edi Rama mori pjesë në aktivitetin e Reformës në Trajtimin e Integruar të Mbetjeve, nga ku deklaroi krijimin e një institucioni të ri që do të ngarkohet me detyrën për menaxhimin dhe trajtimin e mbetjeve, që do të quhet Operatori Kombëtar i Trajtimit të Mbetjeve. Rama tha se qeveria po përgatit një plan masash ligjore dhe investimesh është thelbësor për përmbushjen e standardeve të Bashkimit Europian, duke e cilësuar si sfidën më të vështirë në rrugën drejt BE-së.
Kreu i qeverisë theksoi se i gjithë procesi i trajtimit të mbetjeve nuk do të administrohet më nga bashkitë, por nga një operator kombëtar. Sipas Ramës, bashkitë do të jenë klientë, si për shërbime të tjera.
“Dëshiroj që të gjithë pa përjashtim në të gjitha nivelet dhe në të gjithë territorin që kanë një funksion publik si të zgjedhur apo si nënpunës të këtij shteti, të lidhur me të gjitha çështjet e mjedisit, të vetëdijësohen se ky është kapitulli më sfidues i negociatave dhe aspekti më sfidues i anëtarësimit tonë në BE.
E them me keqardhje që, ndërkohë që kemi vënë re me kënaqësi një përmirësim të mëtejshëm të gjithë proceseve të pastrimit, nuk vëmë re asnjë lloj vetëdijësimi nga ana e qytetarëve në raport me mbajtjen pastër të territorit, dhe nuk vëmë re përmirësime domethënëse as në trajtimin e mbetjeve.
Në këto kushte, duke marrë parasysh të gjitha shkallët e ngjitura, vonesat përkatëse, duke parë edhe vendet e tjera, ne do të çojmë përpara një paketë re re reformash dhe masash të cilat ministrja do t’i shpjegojë më në detaje, por për të cilat më duhet të them më së pari është projektligji i ri për menaxhimin e integruar të mbetjeve ku kemi parashikuar krijimin e Operatorit Kombëtar të Trajtimit të Mbetjeve, një agjenci, institucion, ndërmarrje e re e cila do të jetë në dispozicion të gjithë republikës, patjetër të pushtetit vendor, të qytetarëve dhe këtij misioni për anëtarësimin në BE, duke përqendruar të gjithë procesin e trajtimit të mbetjeve, që nuk do të jetë më një proces i administruar nga bashkitë, por nga ky operator kombëtar. Bashkitë do të jenë klientë, si për shërbime të tjera.”, tha Rama.
Gjatë fjalës së tij, Rama njoftoi edhe aksionin e radhës. Bëhet fjalë për mbylljen e të gjitha ‘varrezave’ të makinave, që veprojnë në kundërshtim me ligjin.
“Jemi i vetmi vend në Europë që ‘varrezat’ e makinave i kemi të ligjëruara pa ligj, por me vullnetin e Maliqitn ë territor, si fakte të kryera. Ky do të jetë një operacion që sapo ka nisur dhe do të vazhdojë për shkuljen e të gjitha atyre varrezave. Jemi një vend që nuk ka akoma asnjë informacion nga shpërndarësit, prodhuesit apo importuesit. Ka dhe hapa të tjerë por këto dy hapa janë themelore. Duke filluar nga vendosja në kornizën ligjore dhe duke vijuar me të gjitha fazat dhe përgjegjësitë e implementimin.”, tha Rama./ZËRI