TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka vendosur të mos nxitojë për zgjedhjen e qeverisë së re dhe po mban në 'ankth' kampin socialist për emrat që do të jenë pjesë e kabineti të ri qeveritar. Burime për ZËRI bëjnë dije se me datë 11 shtator do të mblidhet Asambaleja e Partisë Socialiste për të zyrtarizuar formacionin ‘Rama 4’. Shpallja e qeverisë re do të vijë një ditë pas mbledhjes së Kuvendit të ri, që pritet të mblidhet më 10 shtator.
Ndërkohë, prej dy ditësh, Kryeministria është kthyer në një 'zyrë pritjeje', ku ministra, deputetë dhe figura të tjera të njohura janë parë duke hyrë e dalë nga zyra e Ramës. Por, burime nga kryeminsitria kanë thënë për ZËRI se këto takime që pritet të zgjasin deri më 1-2 shtator, nuk lidhen aspak raportimet që kanë dalë në media të cilat flasin për konsultime për kabinetin e ri. Ministrja Delina Ibrahimaj, ish-ministri Ervin Mete, dhe ish-zv.kryeministrja Belinda Balluku, janë ndër figurat e kampit socialist që i shkuan në zyrë kryeministrit mesditën e djeshme.
Rama pritet të vijë me një kabinet të strukturuar, me ndryshime në emërtime. Në parlamentin e ri, PS do të ketë 83 deputetë. Ndërsa nga 140 që të hyjnë në Parlament, 72 prej tyre janë të rinj dhe ulen për herë të parë në Kuvend.
Me nisjen e Kuvendit, brenda 10 ditësh, Edi Rama duhet të paraqesë në Kuvend programin qeverisës dhe kabinetin e ri, që kalojnë për miratim me 71 vota. Pas votimit në Kuvend, qeveria bën betimin përpara Presidentit të Republikës. Brenda 20 shtatorit, vendi do të ketë Kuvendin dhe qeverinë e re. Kush do të jenë ata, do të duhet të presim edhe pak./ZËRI

