
TIRANË- Deputetja e Partisësë Lirisë Monika Kryemadhi është paraqitur sot në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të zbatuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Pasi doli nga ambientetet e SPAK, Kryemadhi tha se sot është një ditë përvjetori për të sepse më 3 mars të 2021 ajo ka depozituar në SPAK padinë për inceneratorin e Tiranës. Ajo gjithashtu bëri batuta me gazetarët duke thënë se mavija është ngjyra e saj.
“Kam dhe thonjtë biles mavi, e kam me përzgjedhje. Mavia ma ka vjedh mua ngjyrën. Po flisja me fëmijët e mi para se të shkoja te SPAK. Ju e dini shumë mirë që unë nuk komunikoj me zotin Meta, po zotin Meta mos e ngatërroni me Erion Veliajn që flet çdo ditë me stafin e tij dhe u përgjigjet edhe komentuesve. Sot unë e kam si ditë përvjetori, pasi më 3 mars në 2021 unë kam depozituar pranë Prokurorisë së posaçme, padin time për inceneratorin e famshëm të Tiranës. Besoj se edhe për herë të parë iu është bërë publike edhe qytetarëve të Tiranës, por edhe Prokurorisë Antikorrupsion se firma e Erion Veliajt që merrte përsipër atributet e Këshillit Bashkiak të qarkut të Tiranës në lidhje me inceneratorin e Tiranës. Po kështu nëpërmjet kësaj deklarate dua t’i rikujtoj edhe njëherë SPAK inceneratorin e Tiranës sesi Bashkia e Tiranës edhe sot e kësaj dite vazhdon dhe paguan vetëm për depozitimin 29 euro për ton mbetjesh, vetëm për depozitimin, pa llogaritur administrimin e qytetit. Më pas për të vazhduar me sipërfaqen, besoj se e mbani mend para 1 viti mbi 15 hektarë sipërfaqe të bashkisë së Tiranës që u uzurpua nga dherat, që inceneratori ka marrë me fatura mbi 60 milionë euro pa llogaritur në volume. Sot shohim që s’ka reagim nga SPAK, duke pasur parasysh që shohim vetëm disa viktima që janë marrë pjesë e evazionit fiskal”, tha Kryemadhi.
Më tej, Kryemadhi foli për vendimin e Gjykatës së Lartë për sekuestrimin e telefonit, ku tha se nuk është zbardhur vendimi. Ajo tha se për shkak të kësaj nuk mund të ankimojë në Gjykatën Kushtetuese.
“Unë kam bërë dhe kërkesë për t’u njohur me fashikujt. Sigurisht që nuk më janë dhënë. Ka katër muaj që nga dhënia e masës së sigurisë, do t’i drejtohem gjykatës tashmë për t’u njohur se ku kanë vajtur deri tani me hetimet. Unë e kam thënë që kjo historia kërkon një durim strategjik. Do durim, do qetësi për shkak se beteja nuk është më me forcë. Këtu nuk ka më forcë, këtu beteaj është për të përfunduar një procedurë që në fund të ditës do të shkojë drejt Strasburgut. Ju besoj e mbani mend që ka një vit që kur është dhënë vendimi i Gjykatës së Lartë për sekuestrimin e telefonit dhe sot e kësaj dite nuk është zbardhur vendimi që unë të ankohem në Kushtetuese. Kur ma bëjnë mua këtë gjë imagjinoni çfarë ndodhë me një qytetar tjetër. Jo se unë kam ndonjë ndryshim nga qytetarët, por unë kam mundësi të bisedoj me mediat”, shtoi Kryemadhi.
Si Kryemadhi, ashtu edhe ish-bashkëshorti i saj, Ilir Meta; të dy, kanë të njëjtat akuza: pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish në lidhje me dosjen e CEZ DIA dhe lobimin e LSI-së në SHBA, por edhe shpenzime për blerje banesash dhe jo vetëm. Për Kryemadhin, SPAK ka zgjedhur masë më të butë sigurie, duke argumentuar gjendjen e saj shëndetësore. Ndërsa Meta, qëndron në ambientet e paraburgimit të burgut "313" në Tiranë./ZËRI