Politikë

Nafta në Shpirag, Rama: Kompania Shell po përpiqet që të bëjë pazar, flet qartë se ka një vlerë të madhe

Rama tha se cilësia e naftës në Shpirag është shumë e lartë, por po aq e madhe është edhe vështirësia e nxjerrjes.

k.m.
Nafta në Shpirag, Rama: Kompania Shell po përpiqet që të
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi në Fier me kompanitë energjetike në Shqipëri tha se kompania "Shell" po përpiqet të bëjë pazar në lidhje me naftën e Shpiragut. Në prezantimin e arritjeve në energji dhe planet për SHQIPËRINË 2030, Rama tha se cilësia e naftës në Shpirag është shumë e lartë, por po aq e madhe është edhe vështirësia e nxjerrjes. Sipas kreut të qeverisë, kompania holandeze po bën "pazar" për nxjerrjen e naftës, që sipas tij tregon se ajo që kanë gjetur vlen shumë.

"Patëm një moment optimizmi që lidhet besoj unë edhe me frustrimin historik, kur ishim në kushtet e  pritshmërisë së lartë nga Shpiragu. Siç e tha dhe përfaqësuesi i ENI-t është, sasia e zbuluar është shumë e madhe, cilësia shumë e lartë, por vështirësia e nxjerrës, shumë sfiduese. Ama fakti që ende SHELL nuk po e dorëzon dhe po përpiqet në traditën më të mirë holandeze, që të bëjë pazar për atë pjesë, flet qartë që aty ka një vlerë të madhe, por do të duhet t’i referohemi një teknologjie më të sofistikuar dhe mbase do të jetë fati i atyre që do të vijnë më vonë moshën e shfrytëzimit të pasurive të Shqipërisë, mbase do vijnë më shpejtë, por gjithsesi këtu kemi edhe aktorë të tjerë që janë në faza eksplorimi të avancuara siç është vetë ENI dhe ne jemi shumë krenarë për bashkëpunimin. Siç u tha këtu, është një bashkëpunim që daton në  fillimet e shekullit të kaluar pastaj pati një ndërprerje dhe tani jemi rilidhur përsëri,"-tha Rama.

Në prill të 2024, gjigandi ndërkombëtar i hidrokarbureve, "Shell" nuk ka gjetur asgjë në Shpirag. Lajmin e ka konfirmuar vetë zyrtarisht dështimin e kërkimeve për naftë e gaz në Shpirag duke paralajmëruar tërheqjen nga ky vendburim. Por raportimi u kundërshtua të nesërmen nga ministrja e Energjitikës dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, e cila tha se në Shpirag ishte zbuluar një depozitë e konsiderueshme nafte dhe gazi, edhe pse është e vështirë puna për nxjerrjen e saj./ZËRI

Poll

MOS HUMB