
TIRANË- Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka zgjedhur "no comment" për çështjen e kontratës së lobimit të Partisë Demokratike me kompaninë amerikane, kontratë që kushton në total 6 milionë euro. Në takimin e sotëm, gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, Celibashi u pyet për një qëndrim lidhur me kontratën, por e vetmja gjë që ai shpjegoi është fakti se partia opozitare ka ende kohë që të deklarojë akordin.
Sipas tij, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ende nuk është depozituar kontrata, ndërsa shton se afati i dorëzimit të bilanceve dhe raporteve financiare përfundon 60 ditë pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve.
“Partitë politike kanë detyrim që të depozitojnë në KQZ të ardhurat dhe shpenzimet jo më vonë se data 31 mars e vitit pasardhës. Kurse koalicionet jo më vonë se 60 ditë nga shpallja e rezultatit zgjedhor. Kjo përfshin edhe Aleancën për Shqipërinë Madhështore, përfundon jo më vonë se 60 ditë nga shpallja e rezultatit. Nuk ka detyrim në këto momente që t’i dorëzojë të ardhurat dhe shpenzimet si subjekt zgjedhor dhe që do të thotë se nuk e kemi këtë kontratë dhe nuk ka as detyrim, sikurse thuhet se ‘pse nuk është kërkuar kjo kontratë nga ne’. Por në momentin që do e kemi, do japim shpjegimin tonë për këtë kontratë,”-tha ndër të tjera në fjalën e tijCelibashi, duke zgjedhur që të mos e komentojë ende, deri në momentin që do të jetë objekt shqyrtimi në KQZ.
PJESË NGA PRONONCIMI:
PYETJE: A jeni njohur me një kontratë të PD, duke parë një lexim tuajin të ligjit, a shihni elementë që kontrata është konform rregullave? Cilat janë verifikimet që do të nisë KQZ?
Celibashi: Partitë politike kanë detyrim që të depozitojnë në KQZ të ardhurat dhe shpenzimet jo më vonë se data 31 mars e vitit pasardhës. Kurse koalicionet jo më vonë se 60 ditë nga shpallja e rezultatit zgjedhor. Detyrimi për subjektet zgjedhore përfshin edhe Aleancën për Shqipërinë Madhështore, për të depozituar çdo dokument që flet për të ardhurat dhe shpenzimet. Përfundon jo më vonë se 60 ditë nga shpallja e rezultatit të zgjedhjeve. Nuk ka detyrim në këto momente që t’i dorëzojë të ardhurat dhe shpenzimet si subjekt zgjedhor dhe që do të thotë se nuk e kemi këtë kontratë dhe nuk ka as detyrim tej spekullimeve që bën dikush për t'ja kërkuar PD në këtë moment. Kanë afat 60 ditë pas shpalljes së zgjedhjeve. Në momentin që kemi këtë kontratë do të japim vlerësimin dhe gjykimin tonë. Por në momentin nuk kemi se çfarë të themi më shumë se kaq.
Kontrata e lobimit e Partisë Demokratike në SHBA është firmosur më prill nga sekretari i përgjithshëm i PD, Flamur Noka është bërë me kompaninë amerikane "Continental Strategy". Vlera e kontratës arrin në 6 milionë dollarë, nga të cilat 3 muajt e parë 750 mijë dollarë janë paguar tashmë. Kompania merr përsipër t’i ofrojë PD-së shërbime të marrëdhënieve me qeverinë në lidhje me këtë fushë shërbimesh si krijimi i marrëdhënieve me aktorë kyç në degët ekzekutive dhe legjislative për të lehtësuar zhvillimin e politikave dhe objektivave të saj elektoral dhe qeverisës./ZËRI