TIRANË- Partia Demokratike është shprehur kundër ndarjes së re të Komisioneve Parlamentare, që u prezantua nga kryeministri Edi Rama në Asamble, dhe u bë fakt sot me propozimin e emrave të drejtuesve nga PS. Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha u shpreh kundër kësaj ndarje, ndërsa nuk pati një qëndrim të prerë nëse opozita do t’i bojkotojë këto komisione.
Berisha: Absolutisht, nuk do votojmë strukturën e re të komisioneve parlamentare. Këtë ndryshim të strukturës parlamentare, ne nuk e votojmë. Jo, sepse është bërë një gjë e turpshme. Ndahet një komision në tre komisione për t’ia dhënë opozitës. Dhe, rriten shpenzimet për qytetarët, etj, etj me radhë.
Edhe Gazment Bardhi u shpreh kundër ndarjes së Komisioneve, pas mbledhjes së krerëve të grupeve parlamentare në Kryesinë e Kuvendit, thirrur nga Niko Peleshi.
Gazment Bardhi: Për PD është e papranueshme që në Asamblenë e PS të njoftohet publiku për organizimin e Kuvendit, janë organizma të përbashkëta pune të opozitës dhe mazhorancës. Organizimi duhet të jetë rezultat i punës së të dyjave.
Fakti i bërë sot i kryer me caktimin e kryetarëve dhe zëvendës kryetarëve, tregon frymën autoritare që Edi Rama ka instaluar në Republikën e Shqipërisë. Shkrija e komisionit Europian, mekanizmin që kishte në dorë opozita zerohet pasi ky komision është bashkuar me komision e jashtëm.
Shkrirja vërteton vullnetin e mazhorancës për të përjashtuar opozitën nga procesi. Shqipëria i pari vend që përjashton opozitën që nuk ka komision të dedikuar për integrimin kur e ka prioritet procesin.
Nga ana tjetër socialistët propozuan krerët e komisioneve parlamentare, të përhershme dhe të posaçme, ku bie në sy emërimi i ish-ministrave.
Ulsi Manja do të drejtojë Komisionin e Ligjeve dhe Administratën Publike
Igli Hasani, Komisionin e Politikës së Jashtme
Blendi Klosi, Komisionin parlamentare për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural
Milva Ekonomi, Komisionin e Ekonomisë
Bledi Çuçi, Komisionin e Sigurisë
Anila Denaj, Komisionin parlamentar për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qendrueshëm
Damiani Gjiknuri, Komisionin e posaçëm për reformën zgjedhore
Fatmir Xhafaj, Nismat qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen institucionale
Arbjan Mazniku, Reforma Territoriale
Ndërkohë që socialistët kanë zgjedhur dhe emrat e nënkryetarëve, për Komisionet që do të drejtohen nga opozita.
Eduard Shalsi – Nënkryetar i Komisionit për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale
Iris Luarasi – Nënkryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik
Evis Kushi – Nënkryetare e Komisionit për Edukimin, Shkencën dhe Sportin
Erjon Malaj – Nënkryetar i Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën
/ZËRI

