TIRANË-Kryetari i sapozgjedhur, Niko Peleshi, do të mbledhë sot kryetarët e grupeve parlamentare, ku do t’u kërkojë emrat për përbërjen e kryesive dhe anëtarësisë e komisioneve dhe përbërjen e organeve të tjera si Byroja apo delegacionet. 7 prej tyre komisioneve do të drejtohen nga mazhoranca dhe 4 prej tyre nga opozita.
Ndërkohë, nesër (16 shtator) është parashikuar një seancë plenare për votimin e anëtarësisë së komisioneve, gjithshtu do të shqyrtohen me procedurë të përshpejtuar ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit, përfshirë dhe skemën e re të komisioneve parlamentare. Mësohet se gjatë seancës së paradites do të ngrihet Këshilli për Rregulloren dhe Mandatet, për të vijuar më pas në një seancë të dytë pasdite ku do të votohet rregullorja e re.
Me nisjen e Kuvendit, brenda 10 ditësh, Edi Rama duhet të paraqesë në Kuvend programin qeverisës dhe kabinetin e ri, që kalojnë për miratim me 71 vota. Pas votimit në Kuvend, qeveria bën betimin përpara Presidentit të Republikës./ZËRI