TIRANË-Inspektori i Lartë i Drejtësisë nuk ka nisur një hetim disiplinor ndaj prokurores së Shkodrës Elsa Gjeli, e cila u akuzua nga kryeministri Edi Rama se nuk nisi hetim për një ndërtim pa leje në zonën e Thethit. ILD ka njoftuar ish-ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja se e ka arkivuar kërkesën e tij për hetim disiplinor ndaj prokurores, por pas verifikimeve paraprake nuk ka gjetur asnjë element për ta bërë këtë. Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Metani thotë se nuk konstatohen elementë të juridikë apo faktikë për të krijuar një dyshim të arsyeshëm për të nisur hetim ndaj Gjelit.
“Ju vëmë në dijeni se, Inspektori Lartë i Drejtësisë (ILD) pas shqyrtimit fillestar të ankesës tuaj, të regjistruar me nr. 2138 prot., datë 10.07.2025, ndaj veprimtarisë së magjistrates znj. Elsa Gjeli, prokurore e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, si dhe referuar vendimit nr. 2138/3 prot., datë 15.07.2025 të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë "Për verifikimin pas shqyrtimit fillestar të ankesës dhe informacionit të marrë, ka konkluduar se, nuk konstatohen paraprakisht elementë juridikë apo faktikë të cilët i krijojnë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë një dyshim të arsyeshëm për fillimin e hetimit disiplinor ndaj magjistrates znj. Elsa Gjeli me detyrë prokurore në Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër. Për këtë arsye, është vendosur arkivimi pas verifikimit të ankesës tuaj, bazuar në nenin 122, pika 4 të ligjit ar. 96/2016 "Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar.
Në mbështetje të nenit 119, pika 4 dhe nenit 122, pika 5 të ligjit nr. 96/2016 "Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar, bashkëlidhur këtij njoftimi, ju lutemi, të gjeni një kopje të vendimit të arkivimit të ankesës Në përputhje me nenin 122, pika 5 të ligjit nr. 96/2016 "Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar, ju keni të drejtë të ankimoni këtë vendim në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, brenda 1 (një) jave nga datá e marrjes së vendimit të arsyetuar”, thuhet në letrën e ILD-së.
Rasti në fjalë lidhet me vendosjen e bujtinave "Eagle Hill" pa leje në zonën e mbrojtur të fashtit turistik. Bujtinat zotërohej nga Prekë Kodra, një personazh i dyshuar për një sërë veprash penale; i shpallur aktualisht në kërkim nga SPAK. Rama tha se rasti, nuk është ndjekur penalisht nga prokuroria e Shkodrës. Kjo e fundit sqaroi se nuk mund të niste ndjekjen penale për këtë rast, pasi strukturat e vendosura ishin të lëvizshme e si të tilla nuk ka parashikime ligjore për ndjekje penale.
Vetë prokurorja Elsa Gjeli u shpreh se nga deklaratat që ka bërë kryeministri i është cënuar dinjiteti dhe pavarësia profesionale. Gjeli kërkoi që KLP të analizojë sjelljen e kryeministrit në kontekstin e cenimit të pavarësisë së Prokurorisë dhe respektimit të ndarjes së pushteteve. Ajo u shpreh e gatshme të hetohet para të gjithë organeve të drejtësisë./ZËRI


