TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka prezantuar Albana Koçiun në krye të Ministrisë së Brendshme, në një takim me kupolën e policisë. I pranishëm në këtë takim ishte dhe ministri në largim Ervin Hoxha. Rama tha se zgjedhja e Koçiut në këtë pozicion është historike, si e para grua që do të drejtojë këtë ministri. Sipas Ramës do të ketë një ndryshim radikal të profilit të ministrit të brendshëm, që tashmë është parë vetëm si një ministër i policisë. Një nga çështjet e para që do t’i ngarkohet Koçiut është sistemi i ri i adresave, që sipas Ramës do të duhet që të reformohet menjëherë.
“Ministri i Brendshëm nuk është kryepolici i vendit. Ndryshimi radikal i profilit të ministrit të Brendshëm është pikënisja logjike e ndryshimit përmbajtësor dhe cilësor që ministrja Koçiu duhet të sjellë në vizionin, qasjen dhe impaktin e kësaj ministrie, në mbarëvajtjen e punëve të brendshme të vendit”, u shpreh mes të tjerave kryeministri Edi Rama në nisje të fjalës së tij.
"Si rezultat i fokusimit të kësaj ministrie tek policia, sot 35 vjet transformime demografike dhe fizik i vendbanimeve të Shqipërisë, që nga Tirana, nuk e kemi ende një sistem funksional integral adresash. Akoma sot na gjejnë shtëpinë me të pyetur apo me shenja në rrugë. Lumë ata që kanë pallat me shigjeta, ose për shembull sot kemi një sistem të prapambetur me gjithë ndryshimet që kanë ndodhur, por me këtë mandat të katërt nuk më interesojnë dhe shpresoj të na interesojë ndryshimet që kanë ndodhur. Zjarrfikësit janë lënë përherë në planin e dytë. Problemi në i madh sot i shfaqur në verën që po kalojmë dhe që do jetë një problem qendror për vitet në vijim janë zjarret", vijoi fjalën e tij kryeministri.
Rama foli dhe për ndërtimet pa leje, ku tha se nuk do të lejohet që punonjësit e policisë të jenë pjesë e problemit.
“Shpërndajnë paga dhe impakti i të cilave në punët e brendshme janë afër 0. AMP është një strukturë e re për të mbikëqyrur Policinë e Shtetit, pra është e pavarur. Me një sërë atributesh të reja e shërbimit të brendshëm, deri para ca vitesh dhe që kërkon të shoqërohet në këtë proces dhe të udhëhiqet që të adresojë si duhet objektin e punë së vetë, se nuk mund të kemi drejtues të agjencisë së AMP në territor që janë ndërkohë ndërtues pa leje. Mbrohen nën hijen e babait. E ka bërë ndërtimin babai, a thua se meqë është babai i drejtorit, është i amnistuar nga krimi i ndërtimit pa leje? Ndërtues që mbulojnë babain, e përdorin babain për mbulesë dhe bëjnë rolin e çarçafit duke deklaruar që ndërtimi është bërë në 2018, a thua përsëri që justifikon? Por meqë 2020 është limiti i legalizimit, drejtues injorant që nuk e ka mësuar që gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra. Di mund të pritet nga një drejtues i këtij niveli që të mbikëqyrë policinë, kur ai duhet mbikëqyrur nga drejtësia”, u shpreh Rama./ZËRI