
TIRANË- Vota e diasporës është në rrezik! Kryedemokrati Sali Berisha ka vendosur "bllokadë" duke i lëshuar një mesazh socialistëve nga selia blu. Sot, gjatë një konference për mediat, kryedemokrati Berisha tha se nuk do të pranojnë asnjë ligj për votën e diasporës nëse maxhoranca nuk pranon amendamentin e opozitës. Prej kohësh, Partia Demokratike kërkon që të votojnë edhe shqiptarët që nuk kanë dokumenta shqiptare, pasaportë ose kartë identiteti, por socialistët dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve janë kundër. Në këto kushte, Berisha duket se ka thënë fjalën e tij të fundit. Por nuk e ka sqaruar se çdo bëjë për të penguar votimin.
QËNDRIMI I DEMOKRATËVE-Sali Berisha: Negociatat janë, Partia Socialiste kërkon të përjashtojë të gjithë shqiptarët me të drejtë vote jashtë Shqipërie, që nuk disponojnë dokumente shqiptare dhe ky është një akt antidemokratik, antikushtetues. Pasja apo jo e letërnjoftimit apo pasaportës shqiptare nuk ka asnjë implikim me qenien apo jo shtetas shqiptar. Pra, mund të jesh shtetas shqiptar dhe të mos kesh pasaportë shqiptare, por të kesh dokumente të një, dy apo tre vendeve të tjera që lejojnë dyshtetësi. Nuk e pranojnë socialistët. Kështu që unë e deklaroj këtu, asnjë votim, asnjë ndryshim nuk bëjmë nëse nuk pranohet ky amendament i yni, që është krejtësisht pa asnjë lloj anësimi politik, por strikt për të respektuar të drejtën kushtetuese të shqiptarëve jashtë vendit. Për ne, ky është kushti. Vota e diasporës vihet në rrezik nëse përjashton dy të tretat e shqiptarëve jashtë vendit. Ti e bën me këtë qëllim këtë, se këta e shohin që diaspora e urren PS-në.
Socialistët e shohin ndryshe çështjen e votës. Deputeti socialist Damian Gjiknuri, i vendosur si negociues për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, thotë se kjo kërkesë nuk qëndron, por në fakt do të përdoret nga demokratët si alibi për humbjen e zgjedhjeve. Nga të dhënat e bëra publike nga KQZ, rezulton se rreth 160 mijë shtetas nuk disponojnë asnjë dokument shqiptar. Por edhe përballë këtij numri domethënës, Gjiknuri thotë se nuk mund të bëhet asgjë, për shkak se regjistrimi i tyre nuk lejohet nga platforma elektronike.
QËNDRIMI I SOCIALISTËVE-Sali Berisha: Nëse një njeri nuk ka foto, nuk ka të dhëna, minimalisht nuk ke me çfarë ta krahasosh. Dhe hapet hapësira për abuzim. Dhe ka të bëjë me parimin: një njeri që nuk ka asnjë lidhje me territorin e Shqipërisë, s’ka ardhur asnjëherë të marrë një ID, nuk e di çfarë lloji votuesi është ky. Një shtetas shqiptar që jeton këtu nuk voton dot pa ID, pse ai që jeton jashtë e paska këtë privilegj?
Ndërkohë, qeveria shqiptare ka vendosur të zgjasë afatin e përdorimit të pasaportave dhe kartave të identitetit të skaduara në zgjedhjet e 11 majit 2025. Sipas njoftimit të dhënë nga ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, janë 500 mijë emigrantë shqiptarë, të cilët përfitojnë nga ky vendim i Qeverisë.
Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi tha se sistemi aktual i regjistrimit të emigrantëve nuk i njeh dokumentat e identifikimit që vijnë nga shtetet e huaja ndaj nëse ky amendament pranohet do duhet të ndërhyhet në PER apo të krijohet një sistem i ri. Por thekson se kohë nuk ka! Po sot kryekomisioneri tha se palët politike do të duhet që të ndërhyjnë në Kodin Zgjedhor sa më shpejt, pasi nëse ndryshimet s'janë miratuar ende deri në fund të muajit mars, nuk do të kenë asnjë dobi.
QËNDRIMI I KQZ-Ilirjan Celibashi: Nuk do më takon të komentoj propozimet që partitë kanë në lidhje me ndryshime të mundshme të kodit. Nëse bien dakord ato, ne kemi detyrimin për t’i zbatuar. PER është ndërtuar për të identifikuar dokumentet e identifikimit të lëshuara nga Republika e Shqipërisë. Nëse palët bien dakord që identifikimi mund të bëhet edhe përmes dokumenteve të tjera, do të duhet të bëhet një sistem tjetër ose të zhvillohet ky sistem.
Por ku jemi deri më tani me votën e diaporës?
Palët duhet të bien shpejt dakord, pasi gjithçka "duhet" të vendoset në seancën plenare të 13 shkurtit, kur mazhorancës do t'i duhen 84 kartonë jeshil për të siguruar ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Por pa opozitën nuk ia del dot! Kushti i demokratëve është i qartë; duan votimin e shqiptarëver që nuk kanë dokumenta identifikimi. A i ka maxhoranca votat për të kaluar ligjin? Dihet se PS ka 'në xhep', 78 vota të sigurta; 75 të vetat dhe 3 të PSD-së.
Edhe Dashamir Shehi e ka shprehur votën e tij "pro", ndërsa Enkelejd Alibeaj ka kusht listat e hapura, pra nuk konsiderohet si votë për socialistët; Flutura Açka ka deklaruar se është kundër, ndërsa Lulzim Basha, Oriola Pampuri dhe Agron Shehaj nuk kanë folur publikisht për qëndrimin e tij. Socialistët mund t'i "ndihmojë" edhe PDIU me 4 mandatet e saj, por sërish nuk i grumbullojnë dot pas sinjaleve për afrimitet me socialistët të shprehura më herët, por sërish as votat e tyre nuk mjaftojnë për të bërë 84. Palët deri tani duket se nuk kanë pika të përbashkëta, por ka ende kohë për negociata.
Aktualisht, janë regjistruar për të votuar 147,439 shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të vendit. Por kërkesat u janë miratuar vetëm 93,025 personave. Numri më i lartë i kërkesave për të marrë fletën e votimit vjen nga Italia, e ndjekur nga Greqia dhe Gjermania./ZËRI