TIRANË-Kryeministri Edi Rama në podcastin e tij 'Flasim' ka njoftuar nismën e re lidhur me fëmijët e spektrit autik. Rama deklaroi se do të krijohet një Këshill Kombëtar për fëmijët me aftësi ndryshe. Gjatë bisedës, ku të ftuar ishin një nënë së bashku me djalin e saj me aftësi ndryshe, Rama tha se synimi është që prindërit të kenë një rol më të drejtpërdrejtë në përcaktimin e politikave dhe masave mbështetëse.
Më tej, shpjegoi se ky Këshilli do ketë në përbërje përfaqësues të institucioneve, prindërve dhe mësuesve. Kreu i qeverisë kërkoi edhe ndërtimin e një sistemi trajnimi për mësuesit ndihmës dhe propozoi që ata të përfitojnë një pagesë shtesë mbi pagën.
“Duhet ndërtuar një sistem trajnimi dhe duhet parë mundësia që këtyre mësuesve t’u jepet një mbështetje ekstra financiare. Ata duhet të kenë një bonus mbi pagën”, tha kryeministri.
Edi Rama: Qeveria dhe unë personalisht po bëjmë përpjekje për të hyrë në një fazë të re të marrëdhënieve të institucioneve me fëmijët me aftësi ndryshe dhe familjet e tyre, duke angazhuar pikërisht prindërit që janë në pararojë të kësaj përpjekjeje. Ne duam të bëjmë më të mirën duke krijuar në radhë të parë një Këshill Kombëtar për fëmijët me aftësi ndryshe dhe pastaj duke vijuar më tutje përmes udhëheqjes, orientimeve dhe sugjerimeve të këtij Këshilli, që do të ketë në përbërjen e vet përfaqësues të institucioneve, prindërve dhe mësuesve.