
TIRANË- Batutat e kryeministrit Edi Rama, kanë sjellë një reagim nga kreu i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha. E gjitha nisi sepse sot, gjatë rubrikës së komunikimit me qytetarët në “Sy m’sy”, dikush e përmendi ish-kreun e Partisë Demokratike. Një nga qytetarët e pyeti kryeministrin nëse do të bëjë ëmbëlsirë për shqiptarët që e duan, ndërsa kreu i qeverisë u ndal gjatë tek "ndjenja" e mungesës që i ka lënë kolegu.
"Do i bësh një tortë si Basha në Tiranë, shqiptarët që të duan." Nuk e di ku ke dash të thuash, por me thënë të drejtën një omëlsinë kemi pas. Dhe nuk e di sesi do të bëjmë që ta kemi prapë. Edhe tortën jo rastësisht e bëri Lul Basha. Nga të gjitha ato që ka thënë vetëm tortë ka bërë. O Lul ku je mo se sa herë më kujtojnë ty kam një nostalgji, një përvëlim,"-tha Rama.
Një përgjigje i ka ardhur menjëherë edhe nga ish-kryedemokrati. Edhe njëherë në kundërpërgjigje ndaj Ramës, Basha i shkruan se sipas kryeministrit, kush nuk vjedh është i paaftë. Më tej, vazhdon me akuzat ndaj numrit një të qeverisë.
"Sipas Edi Ramës, kush nuk vjedh është i paaftë. Nëse s’ke vjedhur, s’ke bërë asgjë sipas Ramës. E vërteta është se, në Bashkinë e Tiranës nuk ka patur 5D, por ka nisur ndërtimi i Bulevardit të ri të Tiranës. Nuk ka patur kulla betoni ku pastrohen paratë e krimit, por ka patur projekte zhvillimi, rrugë, shkolla, çerdhe, kopshte. Nuk ka patur projekte që mbushin xhepat e kryetarit të bashkisë, por projekte që i jepnin zhvillim qytetit dhe dinjitet qytetarëve në çdo cep të kryeqytetit. Nuk kishte vjedhje me inceneratorë imagjinarë, por projekte për një Tiranë të pastër me kosto të ulëta. Kryeministri që ka hyrë në histori për futjen e krimit në qeveri, për bashkëpunimin e tij për të marrë pushtetin, për nivelin më të lartë të korrupsionit në Europë, nuk e kupton se: Është më mirë një tortë për gëzim, apo burg për t’i marrë pronën për kullat ku pastrohen paratë e krimit? Më mirë siguri përmes NATO-s, apo t’ia dorëzosh qeverinë krimit? Më mirë t’u japësh qytetarëve lëvizjen e lirë, apo t’i përzësh sepse nuk ia dalin të mbyllin muajin në Shqipëri? Më mirë t’u japësh rrugë me standarde europiane, apo t’i vjedhësh duke i detyruar të paguajnë taksën e korrupsionit?,"-i përgjigjet Basha.
Kjo është hera e dytë që të dy kanë një diskurs publik, pasi herën e parë Basha përgënjeshtroi një fake-neës për jetën e tij, ndërsa Rama e ironizoi./ZËRI