
TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pranuar kërkesën e SPAK ka shpallur të pafajshëm, kreun e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi. Ky i fundit ishte paditur për veprat penale “Shpifje” dhe “fyerje botërisht” nga Korporata Energjetike Shqiptare (KESH).Padia ndaj tij u ngrit pasi Bardhi deklaroi publikisht se KESH ka shitur energjinë elektrike me humbje jashtë tregut të bursës, duke kushtuar më shumë se 180 milionë euro dëm, e gjitha me qëllim, favorizimin e 4-5 kompanive.
Gjatë seancës së sotme, SPAK përmes përfaqësuesit të saj, prokurorin Sotir Kllapi, tha se Bardhi e ka bërë denoncimin në kuadër të postit që ai mban në partinë më të madhe opozitare. E po ashtu, shtoi se për çështjen, Bardhi ka bërë edhe një kallëzim në SPAK dhe Prokuroria e Posaçme e ka regjistruar procedimin penal. Ndaj edhe deklaratat e tij nuk përbëjnë vepër penale.
Prokurori Sotir Kllapi: Duke marrë në konsideratë pozicionin publik të të akuzuarit dhe faktin që është figurë qëndrore e PD, ne mendojmë se deklaratat e të akuzuarit Gazmend Bardhit janë në sajë të funksionit publik që ka. Fakti që Bardhi i ka adresuar zyrtarisht pretendimet e tij në SPAK dhe kjo prokurori ka regjistruar procedim penal, nuk do të thotë që janë konsumuar veprat penale “Shpifje “ dhe “Fyerje” vetëm sepse ka deklaruar publikisht diçka qe e ka kallëzuar edhe në SPAK. Kërkojmë që Gazment Bardhi të shpallet i pafajshëm. Nuk rezulton kryerja e veprave penale nga prej tij. Deklarata nuk është asgjë me shumë se sa leximi i kallëzimit që Gazmend Bardhi ka depozituar në SPAK.
Nga ana tjetër, avokatët e deputetit u shprehën se qëllimi i deklaratave të Bardhit ka qenë mbrojtja e buxhetit të shtetit.
Avokatët e Gazmend Bardhit: Deputeti nuk mund të sillet as si prokuror apo hetues. Veprimet e Gazmend Bardhit kanë qenë të kujdesshme. Qëllimi i deklarimeve ka qenë mbrojtja e buxhetit të shtetit. Ka qenë garanci për opinionin publik. Në vlerësimin tonë, kjo garanci nuk është respektuar. Ne pamë që në seancën e 2 prillit 2025, pala akuzuese ishte e paaftë të tregonte se ku ishte shpifja dhe fyerja që ka bërë Gazmend Bardhi. Nuk e pamë këtë as ditën e sotme. Në vlerësimin tonë nuk ka as shpifje as fyerje. Kërkojmë rrëzimin e kërkesës dhe deklarimin e pafajshëm të Gazmend Bardhit. Ndërsa për veprën penale të “Fyerjes” kërkojmë pushim sepse është e pabazuar.
Pasi dëgjoi të dyja palët, gjyqtarja Etleva Deda shpalli të pafajshëm deputetin.
Gazment Bardhi ka fituar edhe gjyqin me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), në lidhje me të njëjtën çështje, e cila e kishte kallëzuar në SPAK për “shpifje të kryer botërisht”, ndërkohë që ka ende në gjykim padinë e ish-kryepolicit të Shkodrës. Edmond Sulaj e paditi pasi Bardhi tha nga Foltorja e Kuvendit se ish-kryepolici i Shkodrës ishte caktuar në detyrë nga Pëllumb Gjoka, duke lexuar edhe disa mesazhe të shkëmbyera në platformën "SkyECC" ku përmendej emri "Mondi". Por për këtë çështje, ende nuk ka një vendim nga GJKKO./ZËRI