
TIRANË- Kuvendi do të mblidhet sot në seancë plenare në orën 17:00, teksa pritet të ketë tensione nga partitë politike, pasi mazhoranca kërkon që të vijojë me rendin e ditës pa deputetët e përjashtuar të Partisë Demokratike. Nga ana tjetër, Opozita ka paralajmëruar mosbindje civile, pas arrestimit të kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe ish-deputetit të Partisë Demokratike Ervin Salianji.
Seancat plenare prej javësh nuk po zhvillohen normalisht, pasi Opozita ka shkaktuar kaos. Në seancën e kaluar Kuvendi u pezullua për disa minuta, pas Elda Hoti dyshohet se spërkati benzinë në dyshemenë e sallës, por ajo tha se ishte parfum. Ndërsa Petrit Doda mblodhi karriget pranë foltores për të penguar deputetët të flisnin në sallë. Ndaj Albana Vokshit u kërkua marrja e masave pasi sulmoi verbalisht dhe u afrua për t’i sulmuar apo penguar kolegët e saj të mazhorancës, veçanërisht Petro Koçin.
Po ashtu pasi seanca plenare përfundoi më 17 tetor, qytetarët që kishin dalë për të protestuar para Bashkisë së Tiranës, shkuan në oborrin e Kuvendit të Shqipërisë dhe tentuan që të “çmontonin” gardhin e krijuar nga Garda bashkë me deputetët e Opozitës. Në një moment, brenda Kuvendit janë futur edhe efektivët e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Futja e tyre brenda ambienteve të Kuvendit ka shkaktuar përplasje mes kreut të Gardës, Ermal Onuzi dhe vartësve të tij. Gjithashtu, PD ka pasur pretendime se një punonjës i FNSH u ka drejtuar armën. Menjëherë reagoi Policia duke sqaruar se sipas ligjit për tubimet, asnjë efektiv nuk lejohet që të shkojë i armatosur në protesta. Megjithatë ky version nuk është pranuar nga opozita që ka paralajmëruar një padi në SPAK. Padi ka paralajmëruar edhe ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha pasi gjatë seancës dyshohet se Elda Hoti hodhi benzinë në sallë. Përfaqësuesit e Partisë Demokratike lajmëruan se aksioni i mosbindjes civile vazhdon, por sërish skenarët i kanë mbajtur sekret. Mbetet për t’u parë se cili do të jetë hapi i radhës.
Gjithashtu më parë, Sekretariati i Etikës mori masa dhe përjashtoi me 10-60 ditë 24 deputetët e opozitës për shkak të kaosit që shkaktuan në Kuvend në seanëcn e 30 shtatorit, ku dhe dogjën karriget e Kuvendit në formë proteste për dënimin e ish-deputetit Ervin Salianji me një vit burg nga Gjykata e Apelit. /ZËRI