
TIRANË- Komisioni Hetimor i Shëndetësisë është mbyllur pas 8 orësh debate dhe tensione në mbledhje. Kryetarja Albana Vokshi dhe nën kryetari Plarent Ndreca vendosën ta përfundonin me kaq mbledhjen, por do ta vazhdojnë nesër në orën 10:30, po me të njëjtin rend dite.
Për shkak të debateve të zhvilluara, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj nuk arriti të dëshmojë në mbledhje. Ai kërkoi të bëj një prezantim me PowerPoint, por kërkesa e tij nuk u pranua nga Partia Demokratike. Kjo shkaktoi debate të ashpra në Komision me socialistët që akuzuan opozitën se po e ndalonte atë të fliste.
Pas kësaj, mbledhja e komisionit u karakterizua nga debate të shumta veçanërisht mes Albana Vokshit dhe Plarent Ndrecës, ku nuk munguan as akuzat personale mes njëri-tjetrit. Mbledhja u ndërpre disa herë për shkak të debateve të shumta dhe mos dakordësisë mes anëtarëve të Komisionit. Mandati i Komisionit përfundon të enjten, ku opozita kërkoi një shtyrje të afatit, pasi kanë munguar disa nga dëshmitarët. Por, socialistët e kundërshtuan këtë kërkesë duke thënë se është shtyrë disa herë.
Deri më tani, Komisioni Hetimor ka shtyrë dy herë afatet e tij, por opozita insiston që të dëshmojë edhe kryeministri Edi Rama dhe biznesmenia Vilma Nushi. /ZËRI